20 Mars 2015 - 08:27 - Halil Matoshi
E para, kolegia Arbana Xharra, me guximin e saj për t’u përballur me një botë të errët lindore, me botën e burrave me mjekra që në emër të islamit janë shndërruar në armiq të lirisë, me fanatizmin e tyre brutal, kurse i dyti me guximin e tij që e shquan në vazhdimësi - po përballet me një botë kriminelësh vendorë dhe burokratësh ndërkombëtarë (veçanërisht të BE-së), pra po përballet me një mision perëndimor për sundimin e ligjit, që është ngritur mbi ligjin në Kosovë, përkatësisht me një pjesë të njerëzve të korruptuar e lakmitarë të Perëndimit, që po u qesin hije të zezë vlerave të përbashkëta evropiane.
Natyrisht se komuniteti i gazetarëve kosovarë (ndonëse i përçarë nën influencën e politikës, i detronizuar nën presionin e pushtetit, “i shitur dhe i blerë” sipas disa vëzhguesve që veten e pandehin për “princa hijesh”) i është gëzuar fort laureimit të koleges Arbana Xharra me çmimin për guxim, një çmim prestigjioz që jepet nga Departamenti i Shtetit.
Vlerësimi për Xharrën është njëherësh edhe vlerësim për gazetarinë kosovare, e cila po e mban gjallë tek publiku shpresën se pushteti nuk do të mund t’i fshehë të vërtetat e hidhura të abuzimeve me postet politike, duke u pasuruar nga zyrat publike dhe duke bashkëpunuar ngushtë me krimin e organizuar.
Pra, gazetarët kosovarë dëshmojnë përditë sy bote se në Kosovë pushteti politik po e gërryen legjitimitetin horizontal, duke u shndërruar në kastë kleptokratësh, e cila e dominon shoqërinë duke ndenjur komod mbi ligjin, ngase ka mbledhur shumë fuqi politike dhe financiare nga veprimtaria kriminale brenda dhe nga mbështetja permanente nga jashtë.
Arbana Xharra, kolegia jonë që besoj se do të jetë shembull për shumë gra kosovare se duhet luftuar jo vetëm për çështje që këndej pari cilësohen si “punë grash”, por edhe me kauza më madhore, siç është t’ia shtosh volumin e zërit altoparlantit e të flasësh kundër korrupsionit në një shoqëri të korruptuar dhe t’ia ulësh zërin “radios së prishur” të ekstremizmit fetar.
Mirëpo, Arbana dhe shumë gra të tjera, që pa dyshim janë të guximshme, këtë nuk duhet ta bëjnë nga prizmi ideologjik (as nga prizmi nacionalist e ateist dhe as nga ai socialist), por nga prizmi liberal dhe humanistik.
Me këtë rast, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, e nderoi kosovaren me një editorial (shih: http://m.huffpost.com/us/entry/6824064) duke theksuar rolin e saj si frymëzuese e gazetarëve të rinj për t’u ngritur kundër padrejtësive.
"Në Kosovë, gazetarja Arbana Xharra ka shkruar një varg të artikujve hulumtues mbi ekstremistët fetarë në vendin e saj. Me përpjekjet e saj të palodhshme, ajo nxori në dritë lidhjet me organizatat e huaja terroriste, gjë që na ndihmon për ta luftuar rritjen e ekstremizmit radikal që po kërcënon paqen dhe begatinë në botë. Shembulli i saj ka nxitur një brez të ri të gazetarëve që punojnë në një demokraci në lindje e sipër për t’u ngritur kundër padrejtësive dhe korrupsionit".
Kolegia Arbana Xharra e di se e drejta jonë zgjatohet deri aty ku fillon e drejta e tjetrit/tjetrës, pra kufizohet me të drejtën e të tjerëve, prandaj lirinë e besimit duhet ta trajtojë si një të drejtë universale, që natyrisht duhet ruajtur të mos preket nga viruset ekstremiste…
Një ditë njerëzit këtu dhe përreth do ta kuptojnë se nuk ekziston “krimineli im i mirë” dhe “krimineli yt i keq”, porse ata janë vëllezër për nga profili dhe të bëmat, pra thjesht kriminelë.
Nga nëntë gratë e shpërblyera këtë herë nga State Departamenti, katra ishin të mbuluara, me shami, secila sipas mënyrës së vet, prandaj Arbana Xharra sigurisht se do të kthehet me një përvojë shtesë nga Washingtoni: nuk është problem besimi as mënyra e veshjes (as shamia), por mënyra e të menduarit.
Kosovarët Arbanën duan ta shohin tek vendos dialog të durueshëm e përmbajtjesor me ato kosovare, gra, nëna dhe vajza, që bartin shami, e që perceptohen si të ndryshme nga gratë e tjera.
Edhe ato e duan, besoj një fotografi të përbashkët me gruan e guximshme të quajtur Arbana!?
Këtu në Kosovë.
Njerëzit, ose janë të çliruar nga të gjitha ideologjitë skllavëruese, ose janë edhe vetë skllavërues!?
Bob Dylan legjendar, ka thënë: “Unë e mendoj heroin që e kupton shkallën e përgjegjësisë, e cila vjen me lirinë e tij”.
Në anën tjetër, Vehbi Kajtazi, një gazetar hulumtues i “Kohës Ditore”, që nga Shpallja e Pavarësisë së Kosovës e këtej, ka vënë në pah dhe ka hedhur më shumë dritë mbi shumë afera kriminale, që nga vrasjet e kërcënimet e influencuara politikisht, krimi i organizuar dhe zhvatja nga ana e segmenteve klandestine si SHIK-u, e deri tek korruptimi dhe influencimi politik i sistemit të drejtësisë në vetë misionin e BE-së për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX.
Kajtazi i shpërblyer me dhjetëra çmime kombëtare e ndërkombëtare për gazetari hulumtuese, po aq i kërcënuar me jetë, me gjyq, me prerje koke, me gurë e dru, nuk u tremb, porse u motivua edhe më tepër që t’i davarisë frikën dhe frikësimin që po e dërrmonin shoqërinë kosovare nën qeverisjen e kabineteve Thaçi 1 dhe 2.
Reagimet e vrazhda e të paargumentuara të vetë kreut të EULEX-it ndaj “Kohës Ditore” dëshmojnë se jo të gjithë evropianët dhe perëndimorët janë miq të fjalës së lirë.
Shefi i EULEX-it, Gabriele Meucci, e ka akuzuar së fundmi “Kohën Ditore” se e ka mision shkatërrimin dhe dëbimin e EULEX-it nga Kosova.
Mbi këtë bazë e ka bërë të qartë se misioni që drejton refuzon të kryejë hetime për dyshimet se ka pasur ndërhyrje politike në rastin “Kleçka”.
Sipas gazetës, Partia Demokratike e Hashim Thaçit në bashkëpunim me ish-shefin e EULEX-it, Bernd Borchardt, dhe disa zyrtarë të Brukselit, besohet se kishin ndërhyrë në Gjykatën e Apelit me qëllim që Limaj dhe nëntë të tjerët të akuzuar në rastin “Kleçka” të dënoheshin për krime lufte. Kjo përpjekje e tyre dëshmohet nga disa shkëmbime e-mailesh dhe një denoncim i bërë nga një zyrtar i EULEX-it.
Kryeredaktori Agron Bajrami shkurt e shqip e ka qitur Misionin e BE-së në rrenë. “Gazeta posedon edhe incizime, të cilat e konfirmojnë raportimin”.
Kjo akuzë e EULEX-it ta përkujton një akuzë më të hershme në adresë të kësaj gazete nga eksponentë të Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) të viteve 2008- 2010, sipas të cilëve “zyrat e ‘Kohës Ditore’ do të rrethoheshin me shirit të verdhë ‘Do not enter – crime scene’ dhe atë shumë shpejt…”, mirëpo gazeta i mbijetoi edhe këto sulme të armiqve të lirisë.
Dikur SHIK pushteti, e sot edhe EULEX-i po duan ta privojnë qytetarin e Kosovës nga e vërteta, të cilën këto struktura vendore e ndërkombëtare po mësyjnë ta zaptojnë dhe burgosin, duke i mbajtur gjallë vetëm të vërtetat zyrtare, të cilat, askush normal më s’i beson në Kosovë!?
Vlen të citohet në këtë rast Giovanni Sartori, që thoshte se nëse njeriu nuk guxon ta thotë lirshëm atë që e mendon, ai dikur heq dorë nga të menduarit e asaj që nuk mund ta thotë.
Mirëpo “Koha Ditore” së bashku me një dorë mediesh kredibile, duke u bërë zëdhënës të atyre që nuk kanë zë, jo vetëm që e kanë mbrojtur dhe po e mbrojnë qytetarin kosovar, por njëherësh janë shndërruar në gardianët e parë dhe të fundit në mbrojtje të Republikës.
Përderisa komisioneri për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi i Bashkimit Evropian, Dimitris Avramopoulos, solli në Prishtinë shpresën se ëndrra e kosovarëve për të lëvizur pa viza drejt vendeve evropiane mund të bëhet realitet, nuk ka lënë pa i përmendur hajnat e profilit më të lartë – që afër mendsh duhet arrestuar dhe sjellë para drejtësisë!?
Po kush janë ata se?
“Kam ardhur në Kosovë që t’ia ofroj ndihmën Qeverisë që të ecë në miljen e fundit drejt statusit pa regjim të vizave. Vetëm me rezultate reale në rastet e profilit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe masave të jashtëzakonshme ndaj krizës aktuale të migrimit, unë do të jem në gjendje personalisht t’i bind shtetet anëtare që qytetarëve të Kosovës duhet t’iu hiqet regjimi i vizave”.
Në këtë vazhdë zyrtarë të lartë amerikanë dhe evropianë bëjnë deklarata të forta se “peshqit e mëdhenj” duhet kapur, në realitet këta e kanë kapur shtetin, ndërsa personat si Avramopolusi, në anën tjetër, mbështesin po këta hajna të profilit të lartë!
Sepse në Kosovë këso profilesh banojnë vetëm në majat e pushtetit politik.
Pra në Qeverinë e Kosovës!?
Dhe rëndom këta “peshq të mëdhenj” shpërblehen nga strukturat ndërkombëtare, në vend se të izolohen dhe të ndihmohet gjyqësia kosovare që t’i zërë e t’i burgosë, atyre u hapen harqet e dyerve të kancelarive perëndimore, ngase gjatë kohë u kanë shërbyer me përulësi për interesa të tyre të ngushta e kundër Kosovës…
Përse administrata e presidentit Obama (që vlen në Ballkan për pishtar të të drejtave civile) asnjëherë nuk falënderoi ose nuk e dekoroi një gazetar që me guxim, vetëmohim e konsistencë kritikoi pushtetin në Kosovë për krim të organizuar, zhvatje dhe pasurim nga zyrat publike?
Pra, as Arbana Xharrën, e cila ka shkruar shumë artikuj të hulumtuar mirë për financimet e dyshimta dhe klientelizmin e partisë që ishte për dy mandate në pushtet, PDK-së ?
Por edhe për partitë e grupimet e tjera formale e klandestine që e kanë dominuar shoqërinë kosovare dhe e kanë zaptuar shtetin e ri!?
Dhe as Vehbi Kajtazin, i cili së fundmi po i mbron vlerat e përbashkëta evropiane dhe qytetarët evropianë nga burokratët e vet në Kosovë, që për famë e para janë në gjendje të ballkanizohen brenda pak kohësh, pra duke abuzuar me taksat e po atyre qytetarëve!?
Mbështetja e parezervë amerikane dhe evropiane për pushtetin në Kosovë - nga ky prizëm - duket vërtet hipokrizi.
Fundja, zyrtarët ndërkombëtarë nuk munden gjatë që ta kritikojnë Kosovën abstrakte (shoqërinë kosovare), por do të duhej t’i adresonin kritika konkretisht Qeverisë së saj të zgjedhur.
Ndonëse ekziston ajo Kosova e dytë, civile, qytetare, askush nga burrështetasit botërorë nuk u kujtua që t’i nderojë me ndonjë çmim guximi as Arbana Xharrën dhe as Vehbi Kajtazin, por edhe kolegë të tyre të tjerë, për ballafaqimin e ashpër me njerëzit e fuqishëm të Kosovës, shumë nga të cilët kanë arritur majat e pushtetit politik - duke u shndërruar nga opingat në milionerë - përmes vrasjeve të oponentëve politikë, frikës e frikësimit të qytetarëve me falanga dhe polici sekrete; përmes shantazhit e korrupsionit, në bashkëpunim me krimin e organizuar dhe përmes zhvatjes në njërën anë, si dhe përuljes ndaj ndërkombëtarëve në anën tjetër.
Dhe për ironi, askush nga burrështetasit e demokracive të mëdha asnjëherë nuk u ul në Prishtinë të fliste me gazetarët dhe shoqërinë civile, gjatë dy mandateve të qeverisjes së HTH dhe as që u vajti mendja t’i inkurajonin ata gazetarë të cilët u ngritën me dekada kundër degradimit të Republikës nga falangistë e banditë të tjerë, që në emër të patriotizmit dhe të lirisë u shndërruan në armiqtë më të përbetuar të saj.
Prandaj në këtë sfond, deklarata e Avramopoulosit dhe e shumë zyrtarëve të tjerë europerëndimorë janë cinike.
© KOHA
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...