3 Gusht 2014 - 16:38 - Halil Matoshi
Prokurori Clint Williamson tha në Bruksel se nuk ka gjetur dëshmi të mjaftueshme për pohimet e Dick Martyt për trafikim organesh, por, sipas tij, nuk do të thotë se kjo nuk ka ndodhur.
“Ne do t’u shkojmë deri në fund këtyre hetimeve”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, ish-kryeprokurorja e Hagës, Carla Del Ponte, ka shprehur “shpresën” që ndoshta në të ardhmen do të gjenden dëshmi të mjaftueshme të dëshmohet për “tregtinë me organe”, duke thënë se nga konferenca për shtyp e Williamsonit bëhej e qartë që ai vetë ishte i bindur që ka pasur tregti organesh!?
Po, Williamson ka deklaruar se nuk e përjashton mundësinë e përfshirjes në këtë aktakuzë edhe trafikimin e organeve
“Nëse gjejmë dëshmi.”
Sipas tij, janë rreth 10 drejtues të menaxhmentit të lartë të UÇK-së të cilët do të akuzohen.
E mira thelbësore e raportit është amnistia për ushtarët e rëndomtë dhe akuza ndaj zyrtarëve të UÇK-së.
Sipas raportit, disa vepra penale të tjera vendore – duke përfshirë torturën – nuk mund të ndiqen penalisht, ngase ato krime janë parashkruar, me skadimin e afatit prej 15 vjetësh.
“Pa pasur një gjykatë në dispozicion në këtë kohë, e rrjedhimisht duke qenë e pamundur të paraqesim një aktakuzë, nuk jemi në pozitë që të ndërpresim kalimin e kohës së parashkrimit. Megjithatë, unë nuk besoj që kjo do të ketë një ndikim të dëmshëm në këtë rast, sidomos për shkak se shumë nga këto vepra mund të ndiqen në kontekstin e shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare humanitare për të cilat nuk ka parashkrim.”
Mirëpo nuk ishte çështja se Kosova nuk kishte një gjykatë, ajo e kishte kinse-sistemin e vet gjyqësor (të drejtuar nga UNMIK-u) dhe më pas binte nën juridiksionin e TPI-së (Tribunali i Hagës), mirëpo pakkush ose askush në shoqërinë kosovare (as intelektualët që shtiren sot si humanistë) nuk guxuan t’i hynin kësaj pune - që të bëheshin zëdhënës të atyre që s’kishin zë - sepse presionet, persekutimet dhe torturat ishin të një shkalle të gjerë, gjithëkosovare!
Prandaj këto vepra do t’i mbesin “në qafë” gjyqësisë kosovare - e cila një ditë - kurdo s’ka çare pa u marrë me to.
Me gjithë këto vështirësi, Williamson është i bindur se TFHS-ja ka zhvilluar hetimin më të plotë që është bërë deri sot për krimet e kryera pasi lufta përfundoi në Kosovë, në qershor të vitit 1999.
“Si rezultat i këtij hetimi, ne besojmë se TFHS-ja do të jetë në gjendje të ngrejë një aktakuzë kundër zyrtarëve të lartë të caktuar të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Këta individë mbajnë përgjegjësinë për fushatën e persekutimit që është drejtuar kundër popullsive serbe, rome dhe pakicave të tjera në Kosovë, si dhe kundër bashkëkombëtarëve shqiptarë të Kosovës të cilët i etiketuan si kolaboracionistët e serbëve ose, më shpesh, të cilët ishin thjesht kundërshtarë politikë të udhëheqjes së UÇK-së.”
Debati për luftërat e drejta dhe të padrejta është një debat i madh, i përmasave planetare dhe që nuk ka sjellë ndonjë përgjigje përfundimtare, ndonëse luftërat çlirimtare merren për të drejta, ndërsa ato pushtuese si të padrejta.
Mirëpo ky debat e ka vërtetuar vetëm një fakt: Nuk paskësh luftë të pastër!?
Nëse merret parasysh fakti se në Kosovë, gjatë konfliktit të armatosur të vitit 1998-1999 nga forcat e sigurisë të Serbisë janë vrarë mbi 10 mijë civilë shqiptarë të Kosovës, ndërsa nga UÇK-ja janë ndjekur, rrëmbyer, vrarë disa qindra civilë serbë, romë, por edhe shqiptarë të cilësuar si bashkëpunëtorë të armikut, ose thjesht vetëm si kundërshtarë politikë (pjesëtarë të LDK-së) del se lufta e Kosovës në të dyja kahet ka qenë një luftë e drejtuar kundër popullsive civile e për pushtet personal, duke abuzuar me idenë e “Tokës së shenjtë serbe” (pala serbe) dhe me idenë e “Çlirimit të Kosovës” (zyrtarët e UÇK-së.)
Mirëpo prokurori amerikan, Williamson, ka përjashtuar që hetimet dhe më vonë edhe aktakuzat, që do të ngrihen, të jenë të drejtuara ndaj UÇK-së.
Sipas tij, ato kanë të bëjnë me individë, të cilët realisht kanë njollosur luftën e drejtë çlirimtare të atyre që u përpoqën për lirinë e vendit e të popullit.
Me këtë hov, ashiqare po përdoret një floskulë politike dhe terminologji e qulltë, edhe nga vetë Williamson, kinse po atakohen individët përgjegjës dhe jo organizata, pra UÇK-ja.
Natyrisht se përgjegjësia juridike është individuale.
Porse, kush ishin ata individë dhe nga kush drejtoheshin, kush ishin komandantët e tyre dhe idealet ose planet e tyre?
Për këtë pyetje, raporti jep një përgjigje që nuk i shkon shumë për shtat UÇK-së si organizatë, përkatësisht “Drejtorisë politike” dhe “komandantëve” të saj të nivelit më të lartë.
Pra qe çfarë thuhet në raport: “Ne besojmë se provat janë bindëse që këto vepra nuk ishin veprat e individëve batakçinj që kanë vepruar me dëshirën e vet, përkundrazi këto janë kryer në një mënyrë të organizuar dhe janë miratuar nga individë të caktuar në nivelet më të larta të udhëheqjes së UÇK-së. Natyra sistematike ose e gjerë e këtyre krimeve në periudhën pasi përfundoi lufta në qershor të vitit 1999 e justifikon ndjekjen penale për krimet kundër njerëzimit. Kështu që ne presim që akuza të tilla mund të paraqiten në këtë çështje kundër disa zyrtarëve të lartë të ish-UÇK-së, dhe që një aktakuzë, me sa duket, gjithashtu do të përfshinte akuza për krimet e luftës, dhe shkelje të caktuara të ligjit vendor të Kosovës, duke përfshirë vrasje”.
Kosovarët nuk duhet harruar faktin se prokurori Williamson e ka hartuar aktakuzën kundër Milosheviqit.
“Unë isha në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999 dhe e mbikëqyra hetimin pasues nga TPNJ-ja për krimet e kryera nga serbët gjatë asaj periudhe, duke e shkruar si bashkautor aktakuzën e parë kundër Slobodan Milosheviqit dhe të tjerëve për krimet e drejtuara kundër viktimave shqiptare kosovare.”
Vërtet raporti i prokurorit Williamson do t’i shërbejë Kosovës dhe popullit të saj për të mundur të bëjë përfundimisht ndarjen mes luftës së drejtë çlirimtare dhe abuzimeve me të nga zyrtarët e UÇK-së, të bëjë dallimin mes ushtarëve të rëndomtë atdhetarë dhe “Drejtorisë politike”, e cila ka planifikuar dhe vrarë pa gjyq kundërshtarët politikë në luftën për pushtet personal politik dhe për pasuri.
Me mijëra herë politikanë e gazetarë, si dhe qytetarë të rëndomtë e kanë përdorur postulatin e një “lufte të pastër”, por po del se as lufta e UÇK-së nuk paska qenë gjithaq e pastër, sepse paskësh bërë fushatë të spastrimit etnik, paskësh dhunuar gra dhe zhdukur njerëz...
“Të dhënat e përpiluara nga TFHS-ja tregojnë që elementë të caktuar të UÇK-së qëllimisht i vunë popullsitë pakicë në shënjestër me veprat e persekutimit që përfshinin vrasje të paligjshme, rrëmbime, zhdukje të detyruara, burgime të paligjshme në kampe në Kosovë dhe në Shqipëri, dhuna seksuale, forma të tjera të trajtimit çnjerëzor, zhvendosja me dhunë të individëve nga shtëpitë dhe komunitetet e tyre si dhe përdhosjen dhe shkatërrimin e kishave dhe vendeve të tjera fetare.”
Pra këtu po flitet për krime të njëjta, çfarë i kanë bërë edhe serbët – veglat qorre të regjimit të Milosheviqit – vetëm se në përmasa më të vogla numerike, porse, statistikat nuk më hyjnë fare në punë kur është fjala te krimet monstruoze.
Prandaj është mirë që kosovarëve po u jepet mundësia nga gjyqësia ndërkombëtare që t’i shohin në sy më në fund kriminelët tanë “heroikë”, që janë ngjitur në majat e pushtetit politik me ndihmën e PDK-së dhe Hashim Thaçit.
Populli i Kosovës përfundimisht po shkëputet nga bashkëjetesa me krimin, ndërsa ushtarët e vërtetë të lirisë më në fund do të jetojnë të qetë dhe me ndërgjegje të pastër.
Sipas Williamsonit, ndaj kundërshtarëve politikë (kryesisht të LDK-së) nga eksponentë të UÇK-së (zyrtarë të lartë) ka pasur fushatë të dhunës dhe të frikësimit.
“Për më tepër ne kemi konstatuar që disa elementë të UÇK-së ndërmorën një fushatë të zgjatur të dhunës dhe të frikësimit gjatë viteve 1998 dhe 1999 të drejtuar kundër kundërshtarëve politikë shqiptarë kosovarë, e cila gjithashtu përfshinte veprat e vrasjeve pa gjyq, burgimeve të jashtëligjshme dhe trajtimit çnjerëzor.”
Në anën tjetër Qeveria e Kosovës e ka vlerësuar raportin e prokurorit Williamson, duke e quajtur si hap të rëndësishëm drejt përcaktimit të përgjegjësive individuale dhe përfundimin e akuzave të padëshmuara.
Porse ky raport nuk do t’i shërbejë Qeverisë kosovare në largim, ndonëse ajo po përpiqet që t’i lajë duart nga UÇK-ja, përkatësisht nga individët përgjegjës – të cilët – shumica nga ta ose janë në majat e pushtetit politik të PDK-së dhe HTH, ose i kanë shërbyer si milici gjatë ngjitjes në pushtet dhe për mbajtjen e tij, përmes zaptimit të shtetit.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë në konsideratë deklaratën e sotshme të lëshuar nga Task Forca Speciale Hetuese (TFSH) të BE-së rreth hetimeve të pavarura për krime lufte të pandehura që janë përmendur në raportin e Këshillit të Evropës të shkruar nga Dick Marty në janar 2011.
“Shpresojmë se ky do të jetë hap kah drejtësia për familjet e afro 400 serbëve të Kosovës, që besohet se ishin rrëmbyer nga UÇK-ja dhe menjëherë janë transferuar në Shqipëri, ku ka dyshime se ata janë vrarë”, tha Sian Jones, nga Amensty International. Sipas organizatës që shumë gjatë ka mbrojtur të drejtat e shqiptarëve AI, Bashkimi Evropian dhe autoritetet e Kosovës, tash duhet të veprojnë menjëherë për të siguruar se gjykata e specializuar të krijohet sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Sian Jones, për të shtuar se çdo vonesë mund të çojë po ashtu në mosndëshkim dhe keqtrajtim të mëtejshëm të dëshmitarëve potencialë.
Qeveria e Republikës së Kosovës po ashtu deklarohet se ka bashkëpunuar me TFSH-në gjatë gjithë procesit dhe do të vazhdojë bashkëpunimin derisa këto hetime të marrin fund.
Kjo është demonstruar edhe nga miratimi nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për krijimin e një Dhome të veçantë në kuadër të sistemit ligjor të Kosovës për t’i adresuar këto çështje. Kjo është dëshmia më e mirë se Kosova është shtet ligjor dhe se do të vazhdojë të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm në bashkëpunim të plotë me partnerët ndërkombëtarë në vazhdim të këtij procesi. Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson përfundimin e punës së ambasadorit Williamson, që është një hap i rëndësishëm për përcaktimin e mundshëm të përgjegjësisë individuale dhe u jep fund pretendimeve për akuza tjera të padëshmuara.
Qeveria e Kosovës po sillet kinse është krejt në rregull!
Madje po thotë se Kosova na qenkësh “shtet ligjor” derisa po e komenton deklaratën e një mekanizmi ligjor që do të funksionojë jashtë Kosovës dhe së dyti po thotë se amerikani u jep fund pretendimeve për akuza të padëshmuara.
Mirëpo Williamsoni po thotë se nuk i ka dhënë fund asnjë pretendimi.
Dhe së treti mos e harroni faktin se HTH ka bashkëqeverisur me këta njerëz që sot po i ndjek Williamsoni!
Sidoqoftë pa e paragjykuar fajësinë ose pafajësinë e askujt, këso aktakuzash i vyejnë shoqërisë kosovare, që të mësohet të mos bashkëjetojë me kriminelët dhe njerëzit e dhunshëm!?
Në kontekst të ngërçit politik në vend, pak ditë para se raporti i Williamsonit të bëhej publik në Bruksel, nënkryetari i PDK-së, Adem Grabovci, tha se dhuna dhe PDK-ja janë dy botë të ndryshme.
“Dhuna për ne është e huaj, ne jetojmë në kushte të demokracisë. Vullneti i qytetarëve të Kosovës duhet të respektohet. Detyrë jona është të krijojmë hapësirë të mjaftueshme që vërtet qytetari i Kosovës ta shprehë vullnetin e vet lirshëm dhe të japë votën e vet aty ku ai beson. Ne do të angazhohemi të punojmë në këtë drejtim dhe nuk do të lejojmë veprime të tjera.”
Kështu flet Grabovci dhe “engjëjt tjerë” të lirisë së Kosovës!?
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...