8 Janar 2015 - 08:00 - Halil Matoshi
* * *
Rreth orës 5:30 të mëngjesit një kërcëllimë e hekurt në derë ia nxori gjumin që s’kishte as gjysmë ore që e kishte mundur. Brofi në këmbë.
“Vishu dhe eja me ne” - i thanë me zë të prerë, urdhërues, në agun e 21 majit 1999.
Gruaja ia solli bluxhinët, por Rrezarti refuzoi të vishte rrobat e reja.
I erdhi një mendim absurd në kokë: “Këta do të më vrasin pas pak, prandaj përse të vesh rroba të reja, pse t’i dëmtoj ato – lufta dhe rrethimi na kanë leckosur, por edhe nuk i dihet sa mund të zgjasë akoma, prandaj le të gjenden rrobat në shtëpi, mund ta mbulojë trupin e zhveshur dikush, pas... Në liri!? – e kishte justifikuar Rrezarti mendimin e tij absurd.
Derisa po i lidhte këpucët, njëri nga xhandarët me britmë e pyeti: “A ke qenë në luftë”?
-“ Jo,jam shkrimtar” - ishte përgjigjur shkurt ai.
Pyetjen e parë që policia sekrete e Sorrnajës ia bëri Rr-së ishte ajo nëse e dinte se ku gjendej.
Rr. heshti pak çaste, pastaj u përpi dhe – për herë të parë prej se dinte për veten – nofullat iu shtangën – dhe po mendonte se e kishte rrokur një lloj epilepsie, që kur kjo sindromë prekte ndokënd, andejpari njerëzit thoshin se “i kish ra damlla”.
Nuk mund të nxirrte zë. E deshi të thoshte, ashtu siç mendonte, se ishte në Sekretariatin e Punëve të Brendshme (SPB – ishte asokohe akronimi i Ministrisë së Rendit).
“Natyrisht që nuk e di, këtu je në askund, ose të them më drejt dhe ndër sy: je në ferr; edhe nëse do të thosha se je në parajsë, kjo s’të zgjidhë asnjë gjë” – iu drejtua në serbisht - me një qëndrim kërcënues inspektori Lakiçeviq, emrin e të cilit do ta mësonte tek pas daljes nga një burg i vogël siç ishte gjysmërrethi i Bregshtogjeve.
E lanë si të gozhduar në një karrige druri për më shumë se dy orë, krejt të vetëm. Ishte në një zyrë të policisë sekrete në katin e katërt, dritaret e së cilës shihnin në rrugën përballë.
Rr. pa se njëra nga dritaret ishte e hapur.
I shkoi ndër mend se e kishin lënë me qëllim. Tashmë shumë veta nga Bregshtogjet kishin kryer vetëvrasje duke u hedhur nga dritarja, për t’iu ikur masave shtrënguese. Torturave...
Rr-së prej zorit i shkoi buza në gaz.
-Ia kajsha belanë, e kam hasur shumë herë nëpër histori këtë dritare të hapur, dhe çuditërisht të katit të katërt, – tha si nëpër dhëmbë!
Sakaq në zyrë hyri një tjetër inspektor policie.
Fliste mirë edhe shqip, edhe serbisht, i cili ia dha disa fletë të bardha dhe një laps grafiti.
-“Shkruaje deklaratën” – iu drejtua Rr-së, pa ia shqitur një shikim ashiqare armiqësor, por që Rr-së iu duk tepër i egër dhe cinik.
-“Edhe ashtu ne i dimë të gjitha për ty! Ne jemi UDB-ja famëkeqe”!
Rr. e dinte se DB ishte shkurtesa për Drzavna Bezbednost (Sigurimi i Shtetit), por po ngatërrohej me U-në!?
I shkoi mendja të ishte: “udruzena” apo “ujedinjena” (sinonime për fjalën shqipe “e bashkuar”), por nuk ishte i sigurt.
Rr. e shkroi deklaratën dhe e firmosi në fund të faqes së tretë, ashtu siç i tha inspektori që fliste shqip,– dikur vonë pas mesnatës.
Dikur iu kujtua një letër që inspektorët ia kishin dhënë si dëshmi bastisjeje, e që ishte në shqip, në të cilën shkruante DSSH – Drejtoria e Sigurimit e Shtetit – Bregshtogje.
Disi u ndie i çliruar që e kishte zgjidhur një enigmë. Nga ajo mori fjalësh e kishte gjetur kuptimin e njërës, ose të vetëm një germe, ‘U’-së, në akronimin më mizor që e kishte menduar regjimi, pra U-ja do të thoshte: Uprava (drejtoria.)
Iu bë se po rrëshqiste brenda një ‘U’-je gjigante si të ishte një pus i zi.
Ajo po i dëftonte një epokë të tërë përplot mizori.
* * *
* * *
I ftuar në kongresin e shkrimtarëve “Pricigin” (që i binte si të thuash - thuaje tregimin tënd!) në Split të Kroacisë, Rrezart Shtogu e kishte radhën që të mbante ligjëratën e tij, të cilën e kishte titulluar: “Si humbet aftësia për të folur”?
...Fillimisht dua ta ndaj me ju një tregim nga përvojat e mia, si justifikim përse Halil Matoshi nuk fliste serbisht?
Më ka folur njëherë se si në Spartë i ishte konfiskuar një dorëshkrim poetik nga Kriptena Famëkeqe. Pastaj libri “Pobuna masa” (Rebelimi i masave) i Gustav lë Bon, të cilin ia kishte sekuestruar policia sekrete e Sllavojugovinës, dhe i cili ende gjendej në pronësi të po asaj policie sekrete, edhe pse ajo vetë nuk ekziston më.
E kishin akuzuar se po ua mësonte ishullarëve të VraNinës artin e vrapimit pas fluturave të kaltra...
Më ka folur beli edhe për një makinë shkrimi “Olimpia”, me gjasë të sekuestruar nga Securitatea rumune e kohës së Nikolae Causheskut...
Dhe për një rreng nga Sigurimi i Shtetit shqiptar...
I kishin marrë – ankohej- shumë gjëra. Mbi të gjitha shumë vjet.
As vetë s’e dinte se nga kush dhe kur.
Po i ngatërronte kohët dhe vendet, ose gjendej njëkohësisht në dy kohë e dy e më shumë vende. Përmendte vend e pavend KGB-në dhe CIA-n, MOSAD-in, Mi6-in, STAS-in, Securitatean, UDB-ën, pastaj BIA-n..., pastaj SHISH-in e SHIK-un, AKI-në...
Dosjet e këtyre shërbimeve për të nuk dallonin në thelb, ishin të thuash identike...
E përshkruanin si të rrëmbyeshëm e teatral...
Me një të folme mërmëritëse deri në dramaticitet dhe me mungesa drejtshqiptimi të ‘r’–së dhe ‘rr’-së. Paranojak obsesiv dhe mbi të gjitha poet!
Në përgjigjet e tij ju mund të dalloni paaftësinë për të folur gjuhën e atyre që i kanë shkaktuar vuajtje të drejtpërdrejtë atij, duke e çuar në një lloj amnezie të detyruar.
Trupi i tij duket se fizikisht iu reziston përpjekjeve të tij racionale për të folur gjuhën e torturuesve të tij.
Ja, kjo është historia ime – e mbylli ligjërimin Rrezart Shtogu.
* * *
Rrezart Shtogu tek po hulumtonte në androidin e tij për gjuhët, hasi në një tekst që e la pa fjalë. Aty thuhej se për çdo ditë në botë zhduket nga një gjuhë...
Do të jetë romani i parë i një memeci, i cili ka ditur dikur të fliste, por që në ndërkohë i ka harruar gjuhët që dinte - mendoi më vete.
Së pari serbishten, pastaj edhe shqipen, e në fund fare, të gjitha gjuhët e botës.
Disa njerëz veshur me të zeza thyen derën e zyrës së tij të shtypit.
Po kërkonin nga Rrezarti interpretimin e ëndrrës që kishte parë po atë natë...
U kishte thënë dikush se ëndrra e Rr-së përmbante një kod të fshehtë e të lashtë, që dëftonte lehtësinë e padurueshme të kryengritjes.
Çfarë ëndrre more faqezinj? – u tha Rrezarti duke i porositur të thyenin qafen tej kohës së tij, në humbëtirën e shekujve...
-Të lëmë të lirë nëse na e premton heshtjen, përndryshe të ha terri, ngase ne jemi njësiti gjakatar “Seiko”, i tha koloneli i Garnizonit të Policisë së fshehtë të Drenisë, pa e ditur që Rrezart Shtogu edhe po të donte nuk mund të fliste më!?.
I kishte humbur fjalët ose gjuhët ishin arratisur nga ai...
Pra, ata, këmishat e zeza të kohës së tij, e kishin fituar tashmë heshtjen e tij – ngase Rrezart Shtogun e kishte tradhtuar goja, pak para se t’ua jepte bregshtogjasve lajmin e madh të fitores.
Ishte shndërruar kështu në një lajmës memec, mu sikur e kishte parandier autori H.M. në librin e tij “Lajmësi memec”, botim i vitit 1996.
Dhe aq u bënte atyre, nëse një njeri flet ose jo.
Tashmë të folurit nuk u shkaktonte asnjë telash.
-A ke menduar keq për prijësin tonë legjendar? – e pyetën, dhe ai pohoi me kokë.
Deshi t’iu thoshte se mendimi është guxim i dëshpërimit, por sapo e kishte bindur edhe veten se ishte në fundin e gjuhëve...!?
E rrahën aq keq, sa i ishin errur sytë.
* * *
Epilog
Sulmuesit s’u gjetën kurrë. E shkuar tashmë!
E Rrezart Shtogut gjithçka po i rikthehej si dhëmbëzoret e një elevatori, gjithçka po përsëritej.
-Ja kajsha nanën – shfryu sërish. Lirinë askush s’e pret i gjallë.
Sunduesit e të gjitha kohërave e lexuakan të njëjtin libër, e mësuakan të njëjtin leksion, e përdorkan të njëjtën metodë nënshtrimi.
Edhe makineritë e së keqes – mjetet e torturës - i konstruktojnë sipas të njëjtave parime dinamike, mbështetur tek të njëjtat ligje të fizikës, pos që më të rejat janë më efektive...
Në vend se të t’i thyejnë dhëmbët, të lënë pa vitamina, pa kripëra dhe pa kalcium.
Ata të grimcohen dhe të bien në copëza, si shkëmb i bluar. Ti i pështyn...
Si dikur që viktimat i lidhnin për një rrote, të cilën pastaj e rrotullonin përmes propagandës që “e rrotullojnë” pa pushim në transmetuesin publik, ta shembin botën para syve, e ty të flihet...
D.m.th. të përqeshin, derisa ti mendon se po e krijon lirinë...
Nënshtrohu n’daç të hash ose ji heretik dhe i ndjekur një jetë njeriu!?
Rrezart Shtogut iu kujtua fëmijëria dhe talljet kur s’i shqiptonte dot germën ‘r’ dhe ‘rr’...
Iu errën sytë.
Njeriu mundka edhe pa një gjuhë - tha. Phu, bela... i erdhi të shante, pështyu.
Kjo është koha për të fjetur – mendoi më vete Rrezart Shtogu...
Më në fund mund të flinte i lirë si vdekja!?
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...