Grupi 6 + si precedent

11 Korrik 2014 - 09:43 - Halil Matoshi      

Në aspektin legal për seancën konstitutive të Kuvendit të Kosovës, më 17 korrik 2014, çdo gjë është e qartë (shih mbledhjen konstitutive të Kuvendit të Kosovës më 2010), mirëpo në aspektin politik PDK-ja është e interesuar që të prodhojë ngërç institucional, duke u bazuar në procedura të (pa) përshkruara në Kushtetutë, pra duke u bazuar në burime dytësore e jo në Kushtetutë, në Ligjin mbi zgjedhjet, në Rregulloren e Kuvendit, e madje edhe në Ligjin mbi financimin e partive politike!?

Presioni politik dhe barrikadimi i PDK-së pas kauzave mujshore e plangprishëse e sipas modelit të kapjes së shtetit krejt çfarë mund të bëjë është shkaktimi i krizës institucionale dhe dërgimi i vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme, në vjeshtë.
PDK-ja ndonëse fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit 2014 (shumicë relative në Kuvend – sipas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese) duhet që para 17 korrikut ta gjejë përgjigjen në pyetjen: Përse askush nga partitë tjera nuk po do që të hyjë në koalicion më të? Realisht në thelbin e kësaj pyetjeje gjendet edhe vetë përgjigjja!

PDK-ja në bashkëpunim me presidenten e vendit mund të shkaktojnë krizë institucionale dhe ta dërgojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, por a është kjo zgjidhja e duhur? Jo!
Paramendoni rezultatet e njëjta ose të përafërta edhe në zgjedhjet tjera?
Sipas kësaj logjike vendi po hyn në një çark të mbyllur vicioz, nga i cili s'mund të dalë as lehtë, as shpejt, së këndejmi PDK-ja mund të bëhet organizatë që e cenon rendin juridik dhe kushtetues të vendit. Prandaj lidershipi i kësaj partie duhet të reflektojë dhe ta ndihmojë shtetndërtimin dhe demokracinë në vend nga opozita.
Së këndejmi ka gabuar rëndë Gjykata Kushtetuese, po gabon edhe më rëndë PDK-ja, duke dashur që edhe presidenten e vendit ta implikojnë “në krim” ndaj rendit kushtetues dhe ta krijojnë nga ajo protagonistin që do të mbahet mend gjatë për cenimin e demokracisë në vend, për karshillëk ndaj konstitucionalizmit, duke mësyrë që presidentja ose t’i bëhet “patericë” pushtetit të Hashim Thaçit, ose ta detronizojë unitetin e popullit dhe ta humbasë fillin e garantimit të institucioneve demokratike.

Fati i presidentes konsiston në faktin se në çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjen e kryetarit roli i saj është pasiv dhe jo si në rastin e propozimit të mandatarit, ku roli i saj është në diskrecion të plotë.
Rendi procedural për mbledhjen konstitutive është i qartë dhe i njohur, për të gjithë ata që marrin vesh në procedura demokratike, për ata që kanë qenë aktorë në konstituimin e legjislaturës paraprake (2010), si dhe për monitoruesit e punës së Kuvendit të Kosovës. Mirëpo ky rend procedural po interpretohet nga konstitucionalistë pasionantë partiakë (që s’duan t’u rrëshqasë pushteti politik nga duart) që duan të shkaktojnë krizë institucionale, të qëllimtë – për të mos i lënë vendit asnjë zgjidhje racionale, sipas modelit maoist, që tingëllon tashmë si postuyalt i kohëve të shkuara revolucionare: “O do të jetë Kosova jona - o do bëhet shkrumb e hi.”

Një të tillë interpretim partikular e dha dr. Arsim Bajrami (anëtar i Kryesisë në PDK.) Ky zotëri ka shmangur praktikat e përparshme të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, si dhe precedentët që vetë kjo kastë politike i ka parë si demokratike dhe krejtësisht në suaza të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit.
Prandaj dy janë shmangiet thelbësore të “konstitucionalistit” Bajrami në interpretimin e tij kuaziprofesional.
Sipas Bajramit zgjedhja e kryetarit dhe e Kryesisë së Kuvendit është e rregulluar me nenin 12 të Rregullores së punës së Kuvendit. Neni 12.2. thotë: “Kryesuesi i mbledhjes konstitutive kërkon nga grupi më i madh parlamentar ta propozojë kandidatin për Kryetar të Kuvendit. Kryetari i Kuvendit zgjidhet me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit”.

Kurse në interpretimin e tij për Grupin më të madh parlamentar, në këtë rast, përvijohet postulati i njëjtë si në rastin e verdiktit të Kushtetueses për partinë/koalicionin fitues të zgjedhjeve (shumica relative.) “Grupi më i madh parlamentar përcaktohet si grupi që ka numrin më të madh të mandateve në Kuvend, sipas dokumentacionit përkatës të zgjedhjeve të lëshuar nga KQZ-ja. Këtë e konstaton në seancën konstitutive edhe Komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve, i cili duhet të punojë duke shqyrtuar dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve, pra vendimit të KQZ-së për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës” – shkruan juristi i PDK-së, Bajrami.

Vërtet interpretimi i tij do të mund të cilësohej profesional, po të fliste së pari edhe për mënyrën se si është bërë konstituimi i Kuvendit të vitit 2010, përkatësisht se si është pranuar përmes formularit të regjistrimit të Kuvendit të Kosovës Grupi Parlamentar 6+; që ndërlidhet me përkatësinë politike si rubrikë e posaçme në formular, të cilin e plotësojnë deputetët e zgjedhur para seancës konstitutive të Kuvendit.
Dhe së dyti, po e zëmë se formulari në fjalë nuk e ka qartësuar çështjen, sepse ende nuk janë verifikuar mandatet dhe ende nuk është dhënë betimi dhe nuk janë zgjedhur organet drejtuese të Kuvendit, po atëherë si do të dihet se cilit grup parlamentar do t’i takojnë (ose do t’i bashkohen) deputetët e komuniteteve joshumicë për t’i zgjedhur në organet e Kuvendit sipas ligjit?

Nuk thuhet së koti në gazetari se në detaje fle djalli.
Prandaj për kërshërinë e konstitucionalistëve të PDK-së po e zbërthejmë një të tillë, detajin se kur deputetët përcaktohen se cilit grup parlamentar do t’i takojnë, ose do të qëndrojnë të pavarur.
Nëse deputetët mund të lëvizin vetëm pas konstituimit të udhëheqjes së Kuvendit dhe për këtë u dashka që paraprakisht ta njoftojnë me shkrim kryetarin e Kuvendit (sipas Rregullores së punës; Neni 20.2.) atëherë si mund të paragjykohen pozitat e dy nënkryetarëve që u takojnë grupeve parlamentare të komuniteteve joshumicë (ende të pakonturuara)?

Pra e dashka rendi sipas “legalistit” Bajrami që së pari të zgjidhet kryetari dhe Kryesia e Kuvendit, e tek pastaj të formohen grupet e reja parlamentare ose deputetët të lëvizin nga një grup në tjetrin dhe atëherë t’u jepen dy vendet vakante të nënkryetarëve komuniteteve joshumicë, përderisa tre nënkryetarët tjerë tashmë lihet përshtypja se janë zgjedhur sipas grupeve parlamentare që kanë dalë nga zgjedhjet dhe që janë certifikuar nga KQZ-ja!?
Porse, qytetari me votën e tij nuk zgjedh grupe parlamentare as kryetar dhe as nënkryetar Kuvendi (pra as mandatar e Qeveri), por vetëm zgjedh përfaqësuesit e tij.

Nuk ka procedurë kushtetuese për regjistrim të Grupit parlamentar, pra duke qenë se neni 20, pika 2 e Rregullores së punës është pa objekt juridik, atëherë deputetët duhet të veprojnë sipas Kushtetutës; (neni 70) si entitete të pavarura politike e sipas vullnetit të patjetërsueshëm të tyre të përcaktohen për përkatësinë politike në formularin e regjistrimit në Kuvend. Neni 70 [Mandati i deputetëve] 1. Deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues. 2. Mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës fillon ditën e certifikimit të rezultatit të zgjedhjes. 3.

Mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, nëse: (1) nuk bën betimin; Etj.
Grupi parlamentar sipas nenit 20.2 të Rregullores së punës së Kuvendit mund të formohet dhe të deklarohet, me njoftim me shkrim për kryetarin e Kuvendit.
Mirëpo në rastin tonë, kryetari ende nuk është zgjedhur!?.
Por çka flet precedenti 6+?
Më 7 shkurt të vitit 2011, KQZ-ja ka certifikuar zgjedhjet parlamentare. Më 9 shkurt të vitit 2011, Mahir Yagcilar ka deponuar në Kryesinë e Kuvendit (legjislatura e kaluar) njoftimin me shkrim për krijimin e Grupit Parlamentar 6+.

Më 10 shkurt, në mbledhjen përgatitore të seancës konstitutive, të cilën e ka thirrur Jakup Krasniqi si kryeparlamentar i legjislaturës së kaluar, për ta caktuar rendin e ditës bashkë me Kryesinë e vjetër të Kuvendit dhe përfaqësuesit e partive politike që kanë marrë pjesë në zgjedhje, është folur për njoftimin e krijimit të Grupit Parlamentar 6 +.
Sipas burimeve të Politiko.net në mbledhjen përgatitore për seancën konstitutive, Jakup Krasniqi i ka deklaruar 7 grupe parlamentare: 6 që janë konsideruar të formuara sipas rezultateve zgjedhore, dhe 1 që është krijuar ndërkohë: Grupi Parlamentar 6 +.

Prandaj, precedenti me Grupin 6+ do t’i shërbejë koalicionit opozitar që të deklarohet përmes formularit si grup i vetëm parlamentar dhe ta propozojë (natyrisht nëse arrin të sigurojë 61 vota në Kuvend) kryetarin e Kuvendit, që me automatizëm e jep grupi më i madh parlamentar.
Në këtë situatë, secili interpretim politik i këtyre procedurave dhe zvarritjes së zgjedhjes së institucioneve të reja, do ta shpjerë vendin në krizë institucionale, përkatësisht në zgjedhje të jashtëzakonshme. Por pyetja për një milion në këtë tregim është: Çka nëse nga zgjedhjet e reja do të dalin rezultate të ngjashme?
PDK-ja me Gjykatën Kushtetuese dhe me “ekspertët e saj juridikë” po e çon Kosovën në qorrsokak institucional, politik, moral dhe mbi të gjitha në shtigje të rrëshqitshme në aspektin e sigurisë!

©KOHA.net

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...