29 Mars 2014 - 09:26 - Halil Matoshi
Kriza e Krimesë ndonëse e përmasave të rrezikshme, për habi nuk u cilësua si rrezik për një luftë të mundshme botërore, siç ishin cilësuar zbarkimi i raketave sovjetike në Gjirin e Derrave më 1962, ose lëshimi i një rakete me rreze të largët veprimi në drejtim të Japonisë nga ana e regjimit të Kim Il Sungut më 1994 (që për fat kishte dështuar.)
Ukraina s'kishte gjasë për ta mbrojtur territorin e saj dhe këtë e dinte mirë jo vetëm Rusia, por edhe tërë Perëndimi.
Prandaj aneksimi i Krimesë është kryer pa asnjë problem, me pak incidente të izoluara.
Krimeja është shembull klasik i politikave hegjemoniste (sovjetizuese) ruse duke aplikuar spastrimin etnik dhe deportimet e popullsive që nga Lenini përmes Stalinit e deri tek Putini.
Nëse Vladimir Putinit i pëlqen aq shumë krahasimi i Krimesë me Kosovën, pra i pëlqen vetëvendosja e popujve (përmes referendumit), atëherë përse e aplikoi aneksimin duke e mbajtur Krimenë për vete, përse nuk e la të lirë, duke ia siguruar pavarësinë shtetërore, siç bënë amerikanët me Kosovën?
Në fakt, Krimeja nuk ka ngjashmëri me Kosovën, ngase mbi popullin e Kosovës po ndërmerreshin masa gjenocidale nga shteti serb, ndërsa rusët në Krime nuk i ngiste kush.
Kryetari rus Vladimir Putin u orvat që politikën hegjemoniste ruse ta paketonte si ndërhyrje për t'i mbrojtur të drejtat e rusëve në Krime nga ekstremizmi dhe nacionalizmi i Kievit (me të njëjtin pretekst siç ndërhyri Serbia në veriun e Kosovës pas pavarësimit të saj, kinse për t'i mbrojtur serbët lokalë nga ekstremizmi i Prishtinës) edhe pse ky "ultranacionalizëm" nuk ishte i orientuar kundër rusëve si entitet në Ukrainë, por ishte i orientuar tek Revolucioni i Portokalltë - që ta nxjerrë Ukrainën nga ndikimi rus (risovjetizimi) dhe ta afrojë me BE-në, përkatësisht me Perëndimin.
Dhe kjo nuk i pëlqeu Moskës zyrtare (sepse NATO-ja po i afrohej pak si tepër Kremlinit), prandaj përmes qeverisë kukull të Janukoviqit u përpoq që ta mbante Ukrainën në orbitën e vet.
Dhe si masë ndëshkuese ndaj forcave proevropiane ukrainase që rrëzuan Janukoviqin, Rusia e aneksoi Krimenë.
Mirëpo, në anën tjetër, pasojat afatgjata për Rusinë do të jenë të ndjeshme.
Perëndimi tashti është gjetur para një akti të kryer dhe duhet ta rimendojë kundërveprimin.
Ndoshta Krimeja është sakrifica që ia vlen, ndoshta është kësmet i Çeçenisë!?
Leksioni i Krimesë duhet të vlejë si thirrje zgjimi për NATO-n dhe BE-në, sepse neglizhimi i rajoneve të ish- Lindjes komuniste i bën ato pre të lehta për hegjemonizmin rus.
Siç ndodhi me Gjeorgjinë, kur Federata Ruse aneksoi Osetinë dhe Abhazinë, dhe me gjasë do të ndodhë edhe aneksimi i Transdnjitrisë nga Moldavia!?
Dhe cili do të jetë reagimi i Perëndimit?
Duket si gjithnjë reagim i ngathtë dhe pa shumë alternativa, ngase lufta me Rusinë nuk është alternativë për Perëndimin.
Nëse BE-ja fillimisht do ta mbështeste Revolucionin e Portokalltë dhe do ta mbronte atëbotë lidershipin e Timoshenkos, duke i thënë po afrimit të Ukrainës me bllokun, dhe nëse NATO-ja po ashtu do ta integronte Ukrainën si anëtare me të drejta të plota këtë shtet, sigurisht se duke pasur parasysh Kapitullin 4 (mbrojtja e secilit anëtar nga agresioni), Rusia nuk do ta ngucte Krimenë.
Ideja proevropiane e Ukrainës solli humben e territorit, së këndejmi NATO do të duhej që në vitet 2000 ta integronte Ukrainën nën ombrellën e saj, mirëpo neglizhimi i Ukrainës nga Brukseli zyrtar e çoi Ukrainën në trazira të dhunshme kundër instalimit të një qeverie kukull (proruse) të Janukoviqit dhe fitorja e opozitës ukrainase ishte një fitore e Pirros, ngase Ukraina humbi territor pa luftë!?
Dhe tek tashti Perëndimi po e sheh me sytë e vet vonesën e pakuptimtë në rastin e Ukrainës, dhe nëse kriza e Krimesë nuk do të shërbejë për të nxjerrë mësime, atëherë kjo sindromë mund të rikthehet në hapësirat e ish-Jugosllavisë, përkatësisht në Bosnjë, Kosovë dhe Maqedoni.
Këto ditë Michael Turner, anëtar republikan i Komisionit për Shërbimet e Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, foli në një konferencë në Bruksel, ku merrte pjesë edhe komandanti suprem i Forcave të NATO-s për Evropën, gjeneral Philip Breedlove tha se përgjigjet ndaj aneksimit të Krimesë nga Rusia duhet të përfshijnë përshpejtimin e hapave të afrimit me NATO-n për vende si Gjeorgjia dhe Mali i Zi, zgjidhjen e mosmarrëveshjes për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë, si edhe rishikimin e marrëveshjeve të Dejtonit për Bosnjë-Hercegovinën.
Mirëpo këto thirrje rëndom arrijnë vonë në qarqet vendimmarrëse të BE-së dhe NATO-s, sepse kalojnë nëpër duar të ngathëta burokratësh komodë të pasluftës së ftohtë në Bruksel.
Konflikti i Krimesë, pos që ka ngjashmëri me Republika Sërpskan në Bosnjë (entitet i krijuar me spastrime etnike dhe gjenocid, fillimisht të provokuar nga milicitë lokale serbe e pastaj nga vetë ushtria e Federatës së mbetur jugosllave) sa për simbolikë ka ngjashmëri edhe me pjesën veriore të Kosovës, por jo me procesin e pavarësimit të Kosovës, e cila as nuk u pushtua nga NATO-ja dhe as nuk u aneksua nga Shqipëria, porse u la e lirë.
Paralelizmi mes Krimesë (ndonëse Krimeja ka më shumë se dy milionë banorë) dhe pjesës veriore të Kosovës mund të bëhet vetëm në mënyrën sovjetizuese të zhvendosjes së popullsive dhe territoreve.
Përderisa Stalini ia kishte falur Ukrainës Krimenë, duke e bërë pjesë administrative të saj, si shpërblim për pjesëmarrje në luftën antifashiste.
Kurse tri komunat në veri të Kosovës, (Leposaviqin, Zveçanin dhe Zubin-Potokun) regjimi komunist i Titos (që funksiononte mbi parimet sovjetizuese për sa i përket çështjes kombëtare dhe të pakicave) ia "fali" Kosovës në vitet '50 për arsye ideologjike, të përzierjes së popullsive, (rritjes së serbëve në përbërjen etnike të Kosovës) përderisa mbajti brenda kufijve administrativë Luginën e Preshevës, që ishte pjesë integrale e Kosovës.
Por derisa veriu kosovar nga një konflikt i ngrirë u kthye në një konflikt demokratik, Krimeja nga një konflikt demokratik u kthye në një konflikt të ngrirë…
Prandaj veriu kosovar është në rrugë të duhur që të marrë zgjidhje demokratike.
Anëtarësimi i Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi dhe Bosnjës në BE, në paketë, si dhe anëtarësimi i përshpejtuar i Maqedonisë në NATO, do të paraqiste edhe fundin e ëndrrave hegjemoniste ruse në Evropën Juglindore…
Meqë Putini po ka dëshirë ta njëjtësojë Krimenë me Kosovën, duhet përkujtuar atij se jo Krimeja por Çeçenia është identike me Kosovën, e cila vazhdon të mbahet e pushtuar me zjarr dhe hekur, me gjithë vullnetin e çeçenëve të shprehur tash e një shekull për liri e pavarësi nga Moska.
Fundja, ShBA-ja dhe aleatët e saj në NATO, nuk e bombarduan Serbinë për ta mbajtur Kosovën për vete, por ua siguruan kosovarëve vazhdimësinë e të qenit gjallë ndër popujt e gjallë, duke e lënë të ndërtojë vetë, sipas vullnetit demokratik, jetën institucionale.
Gadishulli i Krimesë ka qenë historikisht vija ndarëse mes botës klasike dhe asaj të stepave, prandaj tendenca e Ukrainës që të përafrohej me Evropën e kishte edhe simbolikën e vet të shkëputjes përfundimtare nga "bota e stepave".
Kur Ukraina u pavarësua nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991, statusi i Sevastopolit ishte kontestuar nga Federata Ruse dhe vetëm pas një procesi të gjatë negociator ai u shpall "qytet me status të veçantë" brenda Ukrainës, me një traktat ruso-ukrainas në vitin 1997.
Kriza e Krimesë nxori në pah edhe një fytyrë tjetër të Rusisë. Mosmbajtjen e fjalës, siç ishte marrëveshja me Ukrainën nën patronazhin britanik, që Ukraina për pavarësinë e saj të obligohej t'ia kthente Rusisë tërë potencialin bërthamor.
Krimeja e qiti në pah sërish simbolikën e dallimeve mes botës klasike dhe asaj të stepave dhe duket se ky kufi mes dy botësh do të rezistojë gjatë, duke e shndërruar gadishullin në një konflikt të ngrirë, ndonëse sipas Kushtetutës së Ukrainës, Krimeja vazhdon të mbetet pjesë integrale e saj.
Të kthehemi pak në histori.
Gjatë luftës civile ruse, Krimeja kontrollohej nga ushtria bellogardiste. Pasi ata u mundën nga Ushtria e Kuqe, Krimeja u bë pjesë e Bashkimit Sovjetik në vitin 1921 si Republikë Socialiste Autonome Sovjetike.
Në vitin 1954 , ajo iu transferua Ukrainës si Republikë Socialiste në kuadër të Bashkimit Sovjetik . Në vitin 1991, ajo u bë pjesë e Ukrainës së pavarur.
Rajoni reagoi negativisht ndaj revolucionit proevropian në Kiev dhe brenda natës u vu nën kontrollin e Federatës Ruse.
Rusia ka ndërhyrë me shtrëngime represive në përbërjen etnike të Krimesë, duke e ndryshuar atë në mënyrë dramatike, që nga fillimi i shekullit 20. Më 1879, sipas statistikave të Perandorisë Ruse, në Krime jetonin 194.294 (35.55 %) tatarë dhe 180.963 (33.11 %) rusë, kurse ukrainas 64.703 (11.84 %).
Po ashtu në Krime historikisht kanë jetuar edhe hebrenjtë, kështu, sipas regjistrimit të vitit 1879, raportohej një popullsi hebraike prej 4.20 % , duke mos përfshirë një popullsi karaite prej 0.43%. Në vitin 1941 në Krime jetonin rreth 45.000 gjermanë, të cilët u zhvendosën kryesisht në Poloni gjatë pushtimit nazist. Kurse sipas të dhënave të vitit 2001, në Krime kishin mbetur vetëm 2,500 gjermanët etnikë (0.1 % e popullsisë).
Dëbimi i tatarëve të Krimesë nga Stalini e ktheu këtë grup në një minoritet edhe pse ata u lejuan të ktheheshin në Krime në vitin 1980, ata mbetën në numra simbolikë.
Përveç tatarëve të Krimesë, Stalini në vitin 1944 kishte deportuar grekët, si dhe pakicat bullgare. Që nga viti 2007, vlerësohet se numri i popullsisë së përgjithshme të Republikës Autonome të Krimesë dhe Sevastopolit ishte 2.352.000 njerëz. Kurse përbërja etnike e popullsisë ishte në favor të rusëve etnikë: 1.450.000 (60.4 %), pastaj ukrainasit 577.000 (24.0 %), tatarët e Krimesë 245.000 (10.2 %), tatarë të tjerë 135. 000 (0.5 % ), belarusët 35 mijë (1.4 % ), armenët 10.000 (0.4 % ) dhe hebrenjtë rreth 5.500 (0.2 %).
Duke qenë se Krimeja u bë dëshmitare e një ndarjeje të re të botës, siç ndodhi në Jaltë (qytet në Krime) në fund të Luftës së Dytë Botërore, Perëndimi duhet të reagojë me shpejtësi e zgjuarsi, jo vetëm me integrimin e Gjeorgjisë dhe Ukrainës në NATO, por edhe të Ballkanit Perëndimor, ngase Gadishulli i Krimesë është tepër afër dhe tepër kërcënues për paqen në Evropë.
Krimeja është e rëndësishme edhe për portet që sigurojnë qasje të shpejtë në Mesdheun Lindor, Ballkan dhe Lindjen e Mesme. Pas vënies nën ombrellën e NATO-s të Gjeorgjisë, Moldavisë dhe Ukrainës, duhet integruar në NATO edhe tërë Ballkani Perëndimor për ta kthyer shikimin drejt Kaukazit.
ShBA-ja duhet t'i rikthehet pengut të intervenimit humanitar në Bosnjë dhe Kosovë, Çeçenisë, për ta përgatitur atë për shkëputje nga Rusia.
Nëse duhet që Rusia ta paguajë një çmim për politikat aneksioniste (sovjetike), që po i rikthen me shpejtësi, atëherë jepuni çeçenëve "Stinger"!?
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...