Koha që Perëndimi të nxitojë në Ballkan

27 Mars 2014 - 09:25 - Augustin Palokaj      

Agresiviteti i Rusisë, i cili ka përshkallëzuar tashmë në konflikt mes këtij shteti dhe Perëndimit, mund të ketë reperkusione edhe në Ballkan. Nga Moska nuk mund të pritet më që të luajë rol pozitiv në Ballkan por, e kundërta, të krijojë sa më shumë probleme në oborrin e BE-së dhe të NATO-s. Prandaj Perëndimi, BE-ja dhe NATO-ja duhet të nxitojnë me Ballkanin. Sot, kur mbushen 15 vjet nga ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, koha është për të përshpejtuar procesin e integrimeve të Ballkanit në BE dhe në NATO

Një prej citateve me të cilat kritikët e burokracisë ndërkombëtare përshkruajnë sjelljen e institucioneve të BE-së është, kur thonë, se “atyre nuk u intereson rezultati, por procedura!”. Edhe një prej definicioneve po ashtu cinike të burokracisë thotë se “burokracia është kur secili e kryen mirë punën e vet dhe asgjë nuk ndodh!”. Ka shumë gjëra në funksionimin e Bashkimit Evropian që t’i përkujtojnë këto dy thënie dhe ato mund të përdoren për shumë politika të saj, përfshirë edhe procesin e zgjerimit. Ky proces, sidomos pas anëtarësimit të Bullgarisë dhe Rumanisë në BE, është bërë gjithnjë e më shumë procedural ndërkohë që gradualisht është zvogëluar rëndësia politike dhe gjeostrategjike e këtij procesi.

Në kushte normale sjellja e BE-së është e kuptueshme, sepse nuk duhet bërë lëshime ndaj atyre të cilët nuk i përmbushin kriteret e nevojshme për të avancuar në procesin e integrimeve në BE. Po ashtu duhet kuptuar edhe mësimet që ka nxjerrë vetë Bashkimi Evropian nga rasti i Bullgarisë dhe i Rumanisë, për të cilët edhe sot e kësaj dite, ndonëse kanë kaluar shtatë vjet nga hyrja e tyre në BE, thuhet se nuk i përmbushin të gjitha kushtet për të qenë anëtare.

Por nuk duhet harruar edhe një anë tjetër të procesit të zgjerimit, që nuk është vetëm detyrimi i shteteve kandidate që të përmbushin një grumbull ligjesh dhe normash evropiane. Fjala është për rëndësinë e këtij procesi në ndërtimin e paqes së qëndrueshme në Evropë, si në zemër të saj ashtu edhe në periferi.
Prej vitit 1990, BE-ja ka kaluar përmes një procesi të rritjes së paqes dhe të sigurisë, me përjashtim të rajonit të Ballkanit, ku agresioni serb shkaktoi luftëra të përgjakshme dhe aq shumë viktima. Shtetet e Evropës Lindore janë bërë anëtare të BE-së dhe të NATO-s. Edhe shtetet e Ballkanit ose i janë bashkuar BE-së, ose kanë arritur marrëveshje të cilat i lidhin ato në mënyrë të pandashme me të duke i vënë në rrugë drejt anëtarësimit të plotë një ditë.

Duke e konsideruar paqen në Evropë si diçka të vetëkuptueshme, të garantuar, BE-ja ia ka lënë vetes komoditetin që të harrojë rëndësinë politike të procesit të zgjerimit dhe ta bëjë këtë proces më shumë burokratik. Prandaj u është thënë vendeve të Ballkanit se më nuk do të ketë lëshime, nuk do të ketë rrugë të shkurtuar drejt BE-së dhe nuk do të ketë heqje dorë nga detyrimet dhe kushtet për shkaqe politike, siç ka ndodhur në të kaluarën. Kroacia ishte e para që në lëkurën e sajë përjetoi këtë kushtëzim burokratik të BE-së, ndërsa pas Kroacisë, nëse nuk ndodh ndonjë ndryshim, shtetet e tjera të rajonit do të integrohen me dinamikë edhe më të ngadalshme.

Kriza në Ukrainë megjithatë ua dërgon nga një vërejtje Perëndimit, NATO-s dhe BE-së se asgjë në Evropë më nuk mund të merret si e garantuar. Se kahja e proceseve pozitive të rritjes njëkahëshe të bashkëpunimit me Rusinë nuk është e pakthyeshme, për momentin ka marrë fund.
Agresiviteti i Rusisë, i cili ka përshkallëzuar tashmë në konflikt mes këtij shteti dhe Perëndimit, mund të ketë reperkusione edhe në Ballkan. Nga Moska nuk mund të pritet më të luajë rol pozitiv në Ballkan por, e kundërta, të krijojë sa më shumë probleme në oborrin e BE-së dhe të NATO-s. Prandaj Perëndimi, BE-ja dhe NATO-ja duhet të nxitojnë me Ballkanin. Sot, kur mbushen 15 vjet nga ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, koha është për të përshpejtuar procesin e integrimeve të Ballkanit në BE dhe në NATO.

Sepse Ballkani Perëndimor (disa shtete në territorin e ish-Jugosllavisë dhe Shqipëria) është një enklavë e rrethuar nga BE-ja. Po ashtu edhe nga NATO-ja, si pjesa e dytë e asaj që quhet “zona euroatlantike”, me faktin se vetëm Kroacia dhe Shqipëria janë anëtare të saja, tjetër negociojnë anëtarësimin ose janë partnerë, ose, në rastin e Kosovës, NATO-ja është e pranishme në territorin e tyre.
Ngjarjet në Ukrainë duhet të dërgojnë një sinjal edhe në Bruksel dhe në kryeqytetet e vendeve anëtare. Ato duhet të shikojnë mirë se nga do të drejtohen vendet e Ballkanit. Nuk është rastësi se vetëm Shqipëria dhe Mali i zi janë bashkangjitur vendimeve të BE-së për sanksione ndaj zyrtarëve rusë për shkak të situatës në Ukrainë. Shqipëria nuk ka pasur mundësi tjetër, sepse është vend anëtar i NATO-s, pret statusin e kandidatit për në BE dhe, edhe ashtu pajtohet me politikën e aleatëve perëndimorë. Mali i Zi këtu ka treguar një guxim të madh, sidomos duke pasur parasysh se në këtë shtet të vogël ndikimi rus ka qenë i madh.

Por Serbia nuk i është bashkangjitur qëndrimit të përbashkët të BE-së në këtë rast, edhe pse politikisht një gjë e tillë kërkohet nga secili vend kandidat. Politika e Serbisë se “jemi mirë me BE-në dhe me Rusinë” mund të kalojë vetëm në rrethanat kur BE-ja dhe Rusia janë mirë me njëra-tjetrën. Kjo më nuk është një situatë e tillë, sepse mes Rusisë dhe BE-së janë prishur punët dhe situata është duke shkuar drejt përshkallëzimit të mëtejmë. Prandaj shumë shpejt BE-ja do të kërkojë edhe nga Serbia që të marrë qëndrimin e saj dhe të dëshmojë se sa është e përkushtuar drejt integrimeve në BE.
Qëndrimi i Serbisë është shumë i rëndësishëm, sepse ajo ka ndikim të madh edhe në dy shtete, në një pjesë të Bosnjë-Hercegovinës dhe në Kosovë. Në Bosnjë- Hercegovinë lideri i atjeshëm i entitetit serb, Milorad Dodik, i ka uruar “vëllezërit rusë në Krime” për vendimet e tyre që t’i bashkohen Rusisë, dhe ai këtë e sheh haptas si shembull që edhe entiteti i tij duhet ta ndjekë, të shkëputet nga Bosnjë- Hercegovina dhe t’i bashkohet Serbisë. Nga Serbia pritet të distancohet qartë nga politika e tillë e Dodikut në Bosnjë-Hercegovinë. Në Kosovë, në një masë edhe si rezultat i dialogut, asgjë e rëndësishme nuk mund të bëhet pa pëlqimin e Beogradit i cili, përmes imponimit të listës së vet për përfaqësues të serbëve në institucionet kosovare, në nivel lokal dhe në të ardhmen edhe qendror, do të ketë rol të jashtëzakonshëm në zhvillimet e brendshme në Kosovë.

Nëse Beogradi do të luajë rol destruktiv, ka në dorë shumë mjete për të bërë një gjë të tillë. Dhe kjo mund ta destabilizojë përsëri rajonin.
BE-ja dhe NATO-ja nuk kanë shumë kohë për të humbur në rajon. Pa pasur nevojë që të heqin dorë nga parimet e tyre themelore, siç janë sundimi i ligjit, respektimi i parimeve të demokracisë, duhet të përshpejtojnë disa procese. Shqipërisë BE-ja duhet t’ia japë sa më shpejt statusin e kandidatit. Bosnjë-Hercegovinës duhet t’i imponohen reformat kushtetuese që do ta bënin këtë shtet funksional dhe ta vënë në binarët që do ta çojnë drejt BE-së dhe NATO-s. Me Kosovën duhet jo vetëm të përmbyllë negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, por edhe ta nënshkruajë atë marrëveshje dhe të heqë vizat. Me Serbinë dhe Malin e Zi duhet të vazhdojë negociatat me insistimin ndaj Beogradit që të mos luajë lojë të dyfishtë.

NATO-ja, nga ana tjetër, duhet ta shpërblejë Malin e Zi pse ia ka kthyer shpinën Moskës dhe është vënë në krah të Perëndimit. Këtë duhet ta bëjë duke i dërguar ftesë nga samiti i shtatorit që të bëhet anëtare e NATO-s. Planin e veprimit për anëtarësim duhet ta hapë edhe me Bosnjë-Hercegovinën, ndërsa Greqisë duhet t’i bëhet presion që të heqë dorë nga bllokimi i Maqedonisë për t’u anëtarësuar në NATO, sidomos duke pasur parasysh se të gjitha kushtet e tjera Shkupi i ka përmbushur qysh para gjashtë vjetësh. Kosovës duhet t’i garantohet se NATO-ja do të rrijë në Kosovë derisa kjo të mos anëtarësohet në NATO. Po ashtu duhet të gjejë mënyra për ta përfshirë Kosovën në Partneritetin për paqe.
Të gjitha këto janë gjëra që në anglisht quhen “duable” (të bëshme). Ato nuk do t’u kushtonin asgjë BE-së dhe NATO-s, nuk do të kuptoheshin si heqje dorë nga kriteret, por vetëm si një tejkalim i disa barrierave burokratike, procedurale, që janë shkaktuar për shkak të rrethanave politike.

BE-ja duhet ta ketë kuptuar tashmë se sa gabim ka bërë me vonesat dhe kalkulimet rreth Marrëveshjes së Asociimit me Ukrainën dhe insistimit që në asnjë mënyrë këtij shteti të mos i përmendet mundësia e integrimit të ardhshëm në BE- Tash me nxitim ka nënshkruar një pjesë të Marrëveshjes së Asociimit, për shkak të së cilës i gjithë problemi edhe ka filluar në Ukrainë. Edhe pse shumë gjëra në Ballkan janë ndryshe dhe nuk mund të krahasohen me Ukrainën, edhe Ballkani është një zonë ku vonesat e ardhshme do të kenë pasoja.

© KOHA Ditore
 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...