Referendumi britanik ankth për BE-në

22 Qershor 2016 - 08:18 - Augustin Palokaj      

Nga Brukseli, e sidomos nga Parisi dhe Berlini, krahas dëshirave të sinqerta që britanikët të mbeten në BE, vijnë edhe porosi se nuk do të mund të llogarisin në raporte të cilat do t’u mundësonin privilegjet e qasjes në tregun e lirë, por pa obligime që dalin nga anëtarësimi

Kjo është një javë vendimtare për Bashkimin Evropian dhe pas kësaj jave proceset integruese të cilat kanë sjellë deri tek krijimi i asaj që sot e njohim si BE mund të marrin drejtime të paparashikueshme. Nuk është se BE-ja nuk mund të funksionojë me një shtet më pak apo më shumë, por është fjala për mundësinë që pas kësaj jave të nisin brenda Bashkimit Evropian proceset dezintegruese. Qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së veriut, siç është emri zyrtar i Britanisë së Madhe, do të vendosin në referendum se a duan të mbeten në BE apo të dalin nga anëtarësia. Vetëm disa ditë para referendumit, sipas anketave, del që qytetarët janë të ndarë në dysh dhe nuk dihet se si do të vendosin. Nëse vendosin të dalin nga BE-ja, kryeministri britanik, David Cameron, ka premtuar se do ta respektojë atë vendim dhe do të nisë procedurën për dalje nga BE-ja.

Por edhe në këtë rast Britania e Madhe niset në një rrugë pa kthim, por edhe të panjohur. Nga Brukseli, e sidomos nga Parisi dhe Berlini, krahas dëshirave të sinqerta që britanikët të mbeten në BE, vijnë edhe porosi se nuk do të mund të llogarisin në raporte, të cilat do t’u mundësonin privilegjet e qasjes në tregun e lirë, por pa obligime që dalin nga anëtarësia. Pra, rregullimi i raporteve të ardhshme mes Britanisë jashtë BE-së me Bashkimin Evropian do të ishte një proces shumë i gjatë dhe me përfundim të panjohur. BE-ja do të dojë gjithsesi që në atë rast përmes Britanisë së Madhe t’u dërgojë mesazhe vendeve të tjera se nuk mund të pranohet një proces dezintegrues, ku secili shtet që do të dilte nga BE-ja do të vazhdonte të mbetej pjesë e tregut të përbashkët. Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni kanë raporte të tilla, sepse i kanë arritur ato në një proces të gjatë pa hyrë në BE. Por britanikëve nuk do t’u mundësohet një raport i tillë, së paku jo menjëherë.

Në rastin e vendimit që Britania të dalë nga BE-ja, atëherë duhet të nisë një proces i cili do të mund të zgjaste deri në shtatë vjet. Do të ishte pak a shumë i ngjashëm edhe me procesin e anëtarësimit. Kandidati për dalje nga BE-ja do të duhej të aplikojë formalisht për një gjë të tillë. Komisioni Evropian do të duhej të jepte mendimin dhe gjithçka do të duhej të jetë e pranueshme për secilin vend anëtar të BE-së. Dhe në fund, çfarëdo që të arrihet do të duhej të ratifikohej edhe në Parlamentet e vendeve anëtare.

Më së miri do të ishte sikur britanikët të vendosin të mbeten në BE. Me këtë do të kursenin edhe veten, edhe Bashkimin Evropian nga komplikimet e mëdha. Llogaritë se kush do të përfitonte e kush do të humbte më shumë, BE-ja apo Britania, janë të kota, sepse nuk ka “win – win” situatë, por do të ketë humbës nga të dyja anët.

Gjatë debatit në Britani të Madhe kemi parë kryesisht një qasje të frikësimit nga të dyja palët. Këtë faktor e ka përdorur kampi që është në favor të mbetjes në BE duke dhënë edhe analiza për humbjet e mëdha ekonomike dhe tregtare që do të kishte Britania e Madhe, sa vende pune do të mund të humben dhe sa rrezik do të jetë dalja nga BE-ja për Citin, qendrën financiare në Londër. Kampi për dalje nga BE-ja përdor faktorin e frikës duke thënë se mbetja në BE do t’i mbajë kufijtë e jashtëm të shtetit të tyre të pakontrolluar, se do të mund të vinë në mënyrë të pakontrolluar emigrantët nga shumë vende, terroristët, keqpërdoruesit e fondeve sociale, e kështu me radhë. Nuk ka pasur shumë argumente logjike pos frikësimit dhe toneve ksenofobe nga kampi i atyre që janë kundër.

Gjithsesi e tërë java do të kalojë në pritje të rezultateve të referendumit në Britani të Madhe dhe të gjitha zhvillimet në BE do të koordinohen në pritje të këtij referendumi. Edhe samiti i BE-së që është dashur të mbahej para referendumit është shtyrë të zhvillohet më 28 dhe 29 qershor. Menjëherë pas referendumit në Britani të Madhe, të nesërmen, kur do të duhej të dihej edhe rezultati final, në selinë e Komisionit Evropian në Bruksel do të zhvillohet një takim i krerëve të BE-së. Do të takohen: presidenti i Këshillit, Donald Tusk, i Komisionit, Jean Claude Juncker, i Parlamentit, Martin Schulz, dhe kryeministri i Holandës, Mark Rutte, në cilësinë e kryesuesit të radhës së BE-së. Ata do të duhej të arrinin një marrëveshje për reagimin e parë ndaj rezultatit të referendumit. Reagimet duhet të shkojnë drejt qetësimit të tregut financiar, parandalimit të ndonjë tërmeti që mund të ndodhë në bursat ndërkombëtare. Edhe pse shpresojnë se nuk do të ketë nevojë për panik dhe se qytetarët e Britanisë do të votojnë për të mbetur në BE, janë përgatitur edhe skenarët në rast se do të shkojnë gjërat në drejtim të padëshiruar. BE-ja gjithsesi është në ankth dhe në pritje të shohë se a mund të nisë për herë të parë në historinë e saj procesi dezintegrues. 

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...