2 Dhjetor 2015 - 09:10 - Augustin Palokaj
Para tri javësh ushtria e Sllovenisë kishte filluar të vendoste rrethojën me tela në një livadh në kufirin me Kroacinë për të pamundësuar hyrjen ilegale të refugjatëve. Ushtarët vendosnin telat nëpër fusha dhe livadh. Shumë shpejt aty erdhi policia speciale e Kroacisë duke kërkuar që të hiqen, sepse një pjesë ishte vendosur brenda kufirit të Kroacisë. Kroatët thoshin se vija kufitare nuk është drejt nëpër fushë dhe gardhi slloven disa herë hynte dhe dilte në territorin e Kroacisë. Pastaj edhe Sllovenia dërgoi njësitë speciale të policisë së vet. Dhe në një moment nga të dyja anët e telave dukeshin policë të armatosur deri në dhëmbë dhe dukej sikur do të shpërthente një konflikt i madh mes dy shteteve. Shpejt u bart gjithçka në nivel diplomatik. Kroacia thotë se edhe me hartat e Sllovenisë shihet qartë se një pjesë e telave sllovenët kanë vënë në territorin kroatë. Sllovenët përgjigjen se linja kufitare nuk është caktuar ende. Pse mes Sllovenisë dhe Kroacisë ende, as pas 25 vjetësh pavarësi, nuk është bërë demarkacioni i kufirit. Si është e mundur që dy popuj miq, të cilët së bashku edhe u shkëputën nga ish-Jugosllavia, dy vende që janë anëtare të BE-së dhe të NATO-s.
Dy popuj të cilët kurrë në histori nuk kanë pasur konflikte mes vete, nuk janë në gjendje të merren vesh se ku është kufiri. Për shkak se asnjë lider, as në Kroaci e as në Slloveni, nuk ka as guxim e as të drejtë të vendosë për diçka që prek territorin e shtetit. Janë shumë pika kufitare rreth të cilave nuk pajtohen Sllovenia dhe Kroacia.
Më problematikja është linja e kufirit detar në gjirin e Piranit për të cilën Sllovenia dhe Kroacia kanë kontest të gjatë për shkak të së cilës Sllovenia, duke dashur ta shfrytëzoj pozitën e favorshme si anëtare e BE-së dhe NATO-s bllokonte negociatat e anëtarësimit të Kroacisë. Por as me këtë çmim Kroacia nuk lëshoi pe. Kroacia, duke besuar se e drejta ndërkombëtare është në anën e saj, kërkonte që çështja të zgjidhet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, apo në Gjykatën e së Drejtës Detare. Sllovenia, duke insistuar se, pos normave të së drejtës ndërkombëtare, duhet të merren parasysh edhe disa kritere të cilat asaj i shkojnë në favor, si e drejta në qasje në detin e hapur, kërkonte të arrihej marrëveshje duke e shantazhuar kështu Kroacinë dhe duke e akuzuar se po prejudikon kufirin.
Në fund palët, me “lehtësimin” e “miqve ndërkombëtarë” u morën vesh që çështjen ta zgjidhin përmes një arbitrazhi. E Arbitrazhi vendosë në bazë të marrëveshjes dhe kritereve për të cilat janë pajtuar palët. Pra me marrëveshje nuk arrihet zgjidhja, por dakordohen mënyra dhe kriteret se si ajo të arrihet. Dhe palët nuk kanë mundësi ankese, sepse vendimi i arbitrazhit është i obligueshëm dhe të dyja palët janë pajtuar se do ta pranojnë atë, pa marrë parasysh se cili do të jetë vendimi. Dhe në të dyja këto shtete marrëveshja u aprovua nga parlamentet, në rastin e Sllovenisë madje edhe me referendum.
Por gjatë verës ndodhi diçka e papritur. Mediat në Kroaci dolën me dëshmi, nga bisedat e përgjuara, se si zyrtarë të Qeverisë Sllovene ndikonin në arbitra, që nuk është e lejueshme. Dhe duke u bazuar në këtë, Parlamenti i Kroacisë, me pajtimin e plotë të të gjitha partive politike, vendosi të tërhiqet nga procesi i arbitrazhit, duke thënë se ai më nuk do të jetë në gjendje të nxjerrë një vendim të paanshëm, sepse procesi është diskredituar në mënyrë të pakthyeshme.
Është mirë të analizohet kontesti mes Sllovenisë dhe Kroacisë rreth demarkacionit për të parë se si edhe në vendet e zhvilluara, pa marrë parasysh se kush ka qenë në pushtet, sa ka qenë i fortë e sa jo, nuk mund të vendosë për territor. Nga ai mund të hiqet dorë vetëm nëse bëhet marrëveshje dypalëshe, ku secila palë jep dhe merr diçka, ose me vendim të një gjykate apo arbitrazhi ndërkombëtar, ose me referendum. Kroacia ka sa të duash det, por këtu nuk është e rëndësishme madhësia.
Pasi Sllovenia dhe Kroacia janë edhe në NATO, edhe në BE, për Slloveninë më nuk ka ndonjë rëndësi praktike të ketë dalje në detin e hapur pa pasur nevojë të kalojë nëpër ujërat kroate, sepse ato janë ujëra të përbashkëta të BE-së dhe peshkimi është një politikë e përbashkët e jo nacionale në BE. Por, edhe sllovenët mbrojnë parimet dhe atë që e shohin si të drejtë të tyre.
Nga Kroacia e deri te Maqedonia pothuajse të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë kanë çështje të pazgjidhura mes vete sa i përket kufirit. Kjo është trashëguar nga ish-Jugosllavia, e cila i kishte të zgjidhura të gjitha çështjet kufitare me shtetet fqinje, por nuk i kishte dhënë rëndësi të madhe kufijve të brendshëm administrativë mes njësive të veta federale. Prandaj, sot Kroacia ka probleme edhe me Slloveninë, edhe me Bosnjë e Hercegovinën, edhe me Malin e zi.
Edhe Mali i Zi ka me Bosnjë e Hercegovinën, edhe Kosova me Malin e Zi e madje, siç kemi parë në dialog, as Serbia, ndonëse e tërë Kosova sipas saj është Serbi, nuk e njeh tërë Liqenin e Gazivodës si të Kosovës. Problemet e kufijve janë aq të mëdha dhe të komplikuara, saqë duhet kuptuar se nuk mund të ketë zgjidhje të shpejtë. Edhe mes shteteve të BE-së ka mospajtime rreth kufijve, disa kanë zgjatur me qindra vjet. Pas disa shekujve janë zgjidhur disa mospajtime mes Holandës e Belgjikës. Pra ato nuk duhet marrë si diçka katastrofale, si diçka që mund të nxisë konflikt me fqinjët. Dhe këtu dalim te problemi i kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Këtu duhet ulur tonin dhe duhet thënë disa fakte. Mali i Zi është shtet mik, i cili e ka njohur Pavarësinë e Kosovës. Së shpejti, me gjasë, do të bëhet edhe anëtar i NATO-s. Nuk ka kurrfarë arsye të mos tregojë Kosova gatishmëri që me marrëveshje të zgjidhë secilin problem kufitar me Malin e Zi. Por kjo nuk mund të bëhet shkel e shko siç u bë marrëveshja e fundit. Nuk mund të ketë nxitim vetëm sa për të pasur mundësi kryeministri të fotografohet në samitin e Vjenës, duke nënshkruar një dokument të rëndësishëm dhe ai me zëvendëskryeministrin të dëshmohen se sa evropianë të mirë janë. Ajo marrëveshje, nëse gjykojmë nga ajo që u tha rreth saj deri tash, del së paku të jetë problematike.
Nga disa qytetarë të rajonit të Pejës dëgjohen edhe shembuj praktikë ku ata shohin se si dikujt pylli apo kullosa i ka dalë në Mal të zi. Pra duhet kërkuar rinegocim me Malin e Zi. Pa kurrfarë hidhërimi. Nëse nuk mund të zgjidhet me marrëveshje, atëherë të kërkohet arbitrazh. Kosova nuk është anëtare e OKB-së, prandaj nuk mund të shkohet para Gjykatës, ndryshe ajo do të ishte zgjidhja më e mirë, nuk do të kushtonte, e shpenzimet e arbitrazhit duhet t’i mbajnë vetë shtetet. Por kur është fjala për territorin, atëherë shpenzimet shkojnë në plan të dytë.
As Malit të Zi nuk duhet t’i ngutet. Nuk është e vërtetë se rregullimi i kufijve të vet me fqinjët është kusht për anëtarësimin e vet në NATO- Ja Kroacia dhe Sllovenia janë në NATO dhe nuk i kanë të rregulluar kufijtë. Mali i Zi nuk e ka të rregulluar kufirin detar as me Kroacinë dhe Kroacia është në NATO dhe BE.
Si kusht për anëtarësim në BE dhe NATO nuk është demarkacioni i kufijve me çdo kusht, por është gatishmëria që të gjitha kontestet të zgjidhen me mjete paqësore, me marrëveshje, e nëse kjo nuk është e mundur, atëherë përmes gjykatave apo arbitrazheve ndërkombëtare. Prandaj, kur dikush nga Qeveria e Kosovës thotë se e ka nënshkruar marrëveshjen me Mali e Zi, sepse kjo ka qenë një “obligim ndërkombëtar” ose nuk e thotë të vërtetën ose nuk është i informuar. Në rastin e kryeministrit Mustafa edhe mund të ndodhë që të jetë i painformuar, sepse duket se për shumë gjëra ai nuk na qenka i informuar.
Marrëveshja me Malin e Zi nuk ka nevojë të tërhiqet, por mjafton që Mali i Zi të njoftohet se Kosova heq dorë nga zbatimi i saj. Kështu ka bërë Kroacia rreth Marrëveshjes që kryeministri i dikurshëm, Ivica Raçan, kishte arritur me kryeministrin e Sllovenisë, Janez Drnovshek, rreth kufirit në det. Tekstin e asaj Marrëveshjeje e kishin sigluar por jo edhe nënshkruar. Raçan nuk kishte arritur t’i bindte as deputetët e partisë së vet në Kuvend dhe ajo dështoi. Edhe presidenti shumë i fuqishëm i dikurshëm i Kroacisë, Franjo Tugjman, i cili njihet si themelues i shtetit dhe udhëheqës fitues i luftës, kishte nënshkruar një Marrëveshje për demarkacion me ish-presidentin e Bosnjë e Hercegovinës, Alija Izetbegoviq. Por as atëherë, e as sot, as ajo Marrëveshje nuk siguroi mbështetje në Parlamentin e Kroacisë dhe ajo nuk zbatohet. Nëse nuk ushtrohet një presion i madh, kombinim i shantazhit, kërcënimeve dhe “lutjeve të miqve ndërkombëtarë”, duket se edhe Marrëveshja që ka nënshkruar Mustafa në Vjenë me Malin e Zi nuk do të kalojë në Parlament dhe nuk do ta ketë përkrahjen as të deputetëve të partive në pushtet.
Qytetarëve u thuhet se “pronësia private e tokës është e paprekshme dhe toka do të mbetet e tyre, pa marrë parasysh se ku është vija kufitare”. Por për tokën është e rëndësishme të dihet po ashtu se në cilin shtet ndodhet e jo vetëm pronë e cilit person është.
Marrëveshjet me Serbisë janë tregim në vete. Ato as nuk janë marrëveshje, as nuk janë ndërkombëtare e as që kanë garantues nga pala e tretë. Ato janë vetëm marrje e obligimeve politike nga një proces i çuditshëm, jo mirë i organizuar, i cili nuk është as proces negociator, por vetëm “dialog”. Kosova vetëm duke i bartur ato obligime politike në legjislacionin e vet vendor i bën ato dokumente dhe obliguese ligjore. Natyrisht nëse nuk i zbaton ato “obligime” mund të ketë edhe pasoja. Por duket se pasojat edhe më të mëdha do të jenë nëse ato zbatohen. Ekziston kufiri se sa larg mund të shkojë cilado qeveri e Kosovës në marrjen e obligimeve në proceset ndërkombëtare, madje pa u njohur si shtet, duke u mjaftuar me fjalë të mira të diplomatëve të huaj dhe duke injoruar opinionin e brendshëm dhe opozitën.
Gabohen rëndë zyrtarët e Qeverisë nëse vërtet mendojnë se të gjithë ata që nuk morën pjesë në protestat e opozitës janë në anën e qeverisë dhe mbështesin nënshkrimet e tyre. Numri prej 200.000 nënshkrimeve në një Kosovë e cila ka më pak se 2 milion banorë, është sikur në Francë peticionin ta kishin nënshkruar 6 milionë njerëz. Madje edhe në BE-në prej mbi 500 milionë qytetarë mjaftojnë 1 milion nënshkrime nga së paku 7 shtete që të niset procedura legjislative nga Komisioni Evropian. Qeveria gabon rëndë, e përfaqësuesit ndërkombëtarë edhe më rëndë, nëse mbështetjen për kërkesat e opozitës e masin vetëm për nga numri i atyre që të shtunën dolën në protesta, edhe pse për kushte të Kosovës dhe rrethanave pjesëmarrja ishte e madhe.
Rregullimi i brendshëm i Kosovës dhe kompetencat që mund t’i jepen ndonjë entiteti të pakicave, si dhe vendosja e kufijve shtetërorë, janë gjëra të cilat nuk mund të vendosen me procedura të përshpejtuara për shkak të disa takimeve ndërkombëtare, por për to duhet të ketë konsensus të brendshëm. Kur përmendëm rastin e Kroacisë as atje Qeveria dhe opozita nuk e kursejnë njëra-tjetrën, madje as nga akuzat për tradhti, por së paku për raportet me shtetet fqinje dhe për vijën kufitare pajtohen gjithmonë. Dhe janë transparent e jo si Qeveria e Kosovës e cila vetëm pasi ishte gati nënshkrimin në Vjenë bëri të ditur se po nënshkruhet diçka për kufirin ndërkohë që mediat morën vesh nga mediat e Malit të Zi.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...