Për shkak të komunizmit nuk bën të zbehet antifashizmi

14 Maj 2014 - 09:25 - Augustin Palokaj      

Evropa e sotme moderne është e ndërtuar në vlerat e antifashizmit. Kjo e keqe, e cila i ka ndodhur qytetërimit vazhdon të dënohet si ideologji çdo ditë, ndërsa promovimi i fashizmit në Gjermani dënohet edhe me ligj. Për fat të keq në vendet e Evropës Lindore pas fitores kundër fashizmit u instaluan diktaturat komuniste, të cilat nuk lejuan zhvillimin e demokracisë, por mohuan liritë e shumta. Sot në Shqipëri, në Kroaci, në Kosovë e gjetiu, ku ende vazhdon debati se kush ka qenë në anën e drejtë të historisë, nuk duhet harruar se vlerat e Luftës Nacionalçlirimtare nuk mund të mohohen për shkak të krimeve dhe represionit komunist

Nganjëherë na i prishin nervat politikanët perëndimorë kur na thonë vazhdimisht se ne nga rajoni i Ballkanit „duhet të shohim kah e ardhmja e jo të kthejmë kokën nga e kaluara!“. Na duket sikur nuk e kuptojnë se përmes çfarë lloj krimesh dhe tmerresh kanë kaluar popujt e rajonit.

Nganjëherë e teprojnë duke e shndërruar përpjekjen për ripajtimin e popujve në rajon në një lloj fushate që të harrohen krimet dhe arsyet pse ato kanë ndodhur. Por gjithsesi kanë të drejtë kur thonë se e kaluara nuk mund të jetë pengesë për të ardhmen.

Problemi i së kaluarës në diskursin publik, e besa edhe në atë politik, në Ballkan, nuk është për shkak se njerëzit merren me të kaluarën. Është në faktin se debati devijon dhe përshkallëzon në gjuhë të urrejtjes. Me „fakte“ merren ata të cilët as nuk e kanë historinë si profesion e as nuk kanë qenë dëshmitarë okularë të zhvillimeve historike për të cilat debatohet.

Historia dhe zhvillimet gjatë periudhave të ndryshme nuk po i ndanë vetëm popujt e Ballkanit nga njëri-tjetri. Por diskutimi për kuptimin e historisë vazhdon të bëjë ndarje edhe brenda vetë një grupi etnik apo tjetrit. Maqedonasit, për shkak të kuptimit dhe interpretimit të tyre të historisë, dhe obsesionit për madhështinë e kombit maqedonas, në njërën anë kanë lënë peng të historisë të ardhmen e vendit në integrimet evropiane.

Politikanët e këtij shteti kanë kaluar në një delirium të tillë saqë ndërtojnë një „qytet më të vjetër“, duke ngritur përmendore megalomane kiçi në qendër të Shkupit. Serbët vazhdojnë të besojnë se janë popull i pagabueshëm, i cili gjithmonë ka qenë në anën e drejtë të historisë dhe se asnjëherë nuk ka qenë i kuptuar sa duhet nga të tjerët. Kroatët vazhdojnë të debatojnë se a kanë qenë më të tmerrshme krimet e qeverisë kuislingë neofashiste apo ato të diktaturës komuniste.

E tek ne shqiptarët ndasi krijojnë tash pothuajse të gjitha fazat më të rëndësishme të historisë, duke filluar nga periudha e Skënderbeut e deri tek shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Madje edhe për vetë figurën ende më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, Gjergj Kastriotin- Skënderbeun, (themi „ende“ për shkak se ka tendencë të njollosjes ose të relativizimit të figurës së tij nga vetë disa „opinionistë“ shqiptarë) tash debatohet se a ka qenë në anën e drejtë apo jo.

Një pjesë thotë se Fan Noli ka qenë hero e të tjerët e quajnë hero Ahmet Zogun, duke e kritikuar rolin e Nolit. Dhe së fundi në Shqipëri është rihapur debati për Luftën Nacionalçlirimtare dhe se a ka qenë fitorja ndaj fashizmit çlirim apo jo i shqiptarëve. Në këtë debat gjithsesi janë përfshirë edhe „komentuesit“ nga Kosova.

Kështu në kohën kur Shqipëria ka një rast që më në fund të marrë statusin e vendit kandidat për t’u anëtarësuar në BE, në kohën kur shteti duhet të dëshmohet se ka vullnet, por edhe mjete për të goditur krimin e organizuar, debati kryesor është rreth asaj se a ka qenë fitorja e partizanëve çlirim apo jo.

Shqiptarët nuk janë të vetmit që kanë këtë debat dhe të cilët ende i ndanë Lufta e Dytë Botërore. Kjo është për keqardhje, sepse gjërat nuk janë edhe aq të paqarta. Problemi qëndron kryesisht në faktin se diktatura komuniste e Enver Hoxhës në Shqipëri dhe ajo e Titos në ish- Jugosllavi e kanë diskredituar edhe vetë Luftën Nacionalçlirimtare.

Me represionin e pasluftës i kanë bërë edhe vetë shumë pjesëtarë të asaj lufte të kenë dyshime nëse kanë bërë mirë apo jo që i janë bashkuar asaj. Shpesh ndodh që pas luftës, për shkak të atyre që keqpërdorin rolin e tyre në luftë për të arritur qëllime personale, njerëzit të kenë dyshime të tilla. Ajo që duket shumë bizare, sidomos në Shqipëri, është tentimi që të paraqitet Enver Hoxha si një figurë pozitive.

Enver Hoxha nuk ka jetuar para 100 vjetësh. Ende janë gjallë njerëzit të cilët kanë vuajtur nga regjimi i tij, dhe numri i tyre nuk është i vogël. Ata e dinë se çfarë ka qenë ai regjim. Edhe në ish-Jugosllavi, fakti se regjimi i Titos për nga lejimi i disa lirive ka qenë ndoshta më pak i keq sesa ai i Enver Hoxhës nuk do të thotë se ai ka qenë i mirë. Edhe nën regjimin e Titos ka pasur qindra e mijëra njerëz të dënuar vetëm për shkak se kanë menduar ndryshe dhe kanë marrë guximin që ta shprehin mendimin e tyre.

Tito, Enveri, Çaushesku, Todor Zhivkovi, Josef Stalini dhe diktatorët e tjerë komunistë nga Evropa Lindore kanë qenë komandantë dhe heronj në luftën kundër fashizmit. Këtë ua njeh historia dhe e pranojnë edhe vetë vendet perëndimore, të cilat kanë qenë aleate në luftë kundër fashizmit. Por kjo nuk mjafton që atyre t’u falen krimet e tmerrshme që kanë bërë regjimet e tyre.

Dhe si të tillë më së shumti do të mbahen mend, sepse ata instaluan diktatura në kohën kur pjesa perëndimore e Aleancës kundër fashizmit ndërtoi demokracinë dhe mirëqenien sociale. Po ashtu për shkak të krimeve të komunizmit nuk bën të mohohen vlerat e Luftës Nacionalçlirimtare.

Evropa e sotme moderne, së cilës duam t’i bashkohemi, është e ndërtuar në vlerat e antifashizmit. Kjo e keqe e cila i ka ndodhur qytetërimit vazhdon të dënohet si ideologji çdo ditë, ndërsa promovimi i fashizmit në Gjermani dënohet edhe me ligj. Për fat të keq në vendet e Evropës Lindore pas fitores kundër fashizmit u instaluan diktaturat komuniste, të cilat nuk lejuan zhvillimin e demokracisë, por mohuan liritë e shumta.

Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë të lumtura për pjesëmarrjen në anën e drejtë të historisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, pra kundër fashizmit. Edhe ata të cilët e kanë parë okupimin italian apo gjerman si çlirim, për shkak të përvojës para ardhjes së tyre, asnjëherë nuk e kanë përqafuar ideologjinë fashiste. Fenomeni i mbrojtjes së hebrenjve gjatë kësaj lufte është një element që dëshmon këtë. Ka pasur shumë raste që nga të njëjtat familje anëtarë të ndryshëm të gjenden gjatë luftës në anët e ndryshme, sepse edhe njëra, edhe pala tjetër e ka quajtur veten si çlirimtare.

Historianëve duhet t’u lihet historia, përfshirë edhe hulumtimet për Luftën e Dytë Botërore. Hulumtimet historike asnjëherë nuk mund të përmbyllen, sepse gjithmonë zbulohet diçka e re. Por historianët duhet ta bëjnë punën e tyre si profesionistë e jo në interes të ndonjë propagande të sotme. E strukturat e sotme politike në Kosovë dhe Shqipëri duhet të merren më shumë me zgjidhjen e problemeve të qytetarëve e më pak me përfshirje në debate politike rreth historisë apo edhe vetë nxitjen e tyre.

Por nuk duhet harruar se në Evropë nuk pranohet asnjë tentim për të relativizuar fashizmin si ideologji. Sado i tmerrshëm të ketë qenë komunizmi, përpjekjet në BE që ai të barazohet me krimet fashiste nuk kanë pasur sukses. Prandaj sot edhe në vetë vendet e BE-së (Franca, Qiproja, Greqia dhe vendet e tjera) ka të regjistruara parti komuniste. Ka dhe do të ketë edhe në të ardhmen deputetë të Parlamentit Evropian nga radhët e partive komuniste. Por ata nuk janë komunistë përjashtues, të cilët do të kërkonin përndjekjen e të gjithë kundërshtarëve.

Këta komunistë në Evropën Perëndimore nuk kanë krijuar diktatura në shtetet e tyre. Në anën tjetër të perdes së hekurt komunizmi identifikohet si një e keqe, sepse represionin e kanë ndier në lëkurën e tyre qytetarët dhe atij regjimi me të drejtë nuk mund t’i gjejnë të mira.

comments powered by Disqus
Augustin Palokaj
Augustin Palokaj

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...