Pse po dështohet me Kartonin e Gjelber?

22 Prill 2014 - 12:10 - Adriatik Kelmendi      

Në atë që është mbititulluar “Reagim i Asamblesë së Byrosë Kosovare të Sigurimit në lidhje me shkrimin e z. Adriatik Kelmendi me titull ‘Mafia e sigurimeve dhe izolimi i Kosovës’ në Kohën Ditore, të datës 17.04.2014”, por që është një shkrim shumë i gjatë dhe me shumë gabime drejtshkrimore e logjike (herë shkruhet duke u nisur nga veta e parë njëjës, pastaj kalohet në shumës, ndërsa herë më referohet mua në vetë të tretë, e herë në vetën e dytë njëjës), bëhen përpjekje që të ARSYETOHET DËSHTIMI i BKS-së për të siguruar lirinë e qarkullimit të shtetasve të Republikës së Kosovës me automjete jashtë vendit, si dhe bëhen përpjekje të KËRCËNOHEN ME GJYQ të gjithë ata që do të guxojnë të ngrehin pyetje dhe dyshime për kapacitetet e BKS-së dhe qëllimet aty.

Pasi që në këtë “reagim”, duke më cilësuar si “gazetar të shkathët” dhe “gazetar profesionist” kritikohem që nuk kam bërë hulumtim si duhet pasi që paskam shkruar “shumë me nguti dhe presion” (sic!), si dhe duke parë zellin që një Asamble e tërë mëështë përgjigjur me kaq zell në pandehjet e mia të botuara në kolumnen e së enjtes, po vazhdoj të besoj se po mbetem po aq i shkathët dhe profesionist nëse do t’i shtroj, tash në formë pyetjesh, disa çështje qëshpresoj do të marrin sërish përgjigje të shpejtë dhe me të njëjtin zell nga Asambleja (mund t’i dërgohen edhe mediave të tjera përgjigjet e BKS-së, ashtu siç iu dërgua reagimi në shkrimin tim mediave që nuk e kanë botuar atë, duke harruar këtu gazetën “KOHA Ditore” dhe mua vetë si autor):

  • A kanë dëshirë dhe vullnet të vërtetë kompanitë e sigurimeve dhe Byroja kosovare për të jetësuar qarkullimin e lirë të kosovarëve me automjete jashtë, apo u mungon ekspertiza dhe dija anëtarëve të Asamblesë së Byrosë që ta bëjnë këtë, duke u thirrur në “precedanët” ose “pengesat ligjore” me të cilat do të duhej të shërbeheshin?
  • A janë ekspertë të lëmisë së sigurimeve, ekspertë të legjislacionit ndërkombëtar, ose edhe të automobilizmit, drejtorët e zv.drejtorët dhe anëtarët e BKS-së, apo në mungesë të këtyre kualifikimeve, ka mjaftuar që janë familjarë të njerëzve të fortë të pushtetit dhe politikës?
  • Pse BKS-ja thirret me aq lehtësi (për të mos thënë kënaqësi) në “pengesat” që i ka Kosova në thyerjen e barrierave ndërkombëtare për shkak se vendi ynë nuk është anëtar i OKB-së, dhe harron se po të kishim pasur parasysh “pengesat” Kosova sot nuk do ta kishte as lirinë, as pavarësinë, as 108 njohje, as pasaporta të njohura, as targa të njohura, as nuk do të gjente hapësirë për të luajtur ndeshje miqësore nën organizim të FIFA-s, as nuk do të ishte në FMN, Bankë Botërore e në BERZH për të përmendur vetëm disa? A s’kemi mundur që për të gjitha këto vetëm të thirremi në pamundësinë e anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe të mos anëtarësohemi askund tjetër?
  • Pse BKS-ja bën përpjekje që të hedhë poshtë argumentimin tim se Kosova pritet të nënshkruajë MSA-në drejt Bashkimit Evropian, duke thënë se BE-ja nuk parasheh kriter që Kosova të jetë anëtare e OKB-së, por duke harruar se në BE mund të aderojnë vetëm shtetet? Apo, BKS-ja dëshiron që edhe Qeveria ta ndjekë shembullin e tyre dhe të heqë dorë nga ky synim, pasi që ende të gjitha shtetet e BE-së nuk na kanë njohur?
  • Zvicra u bë anëtare e OKB-së vetëm në vitin 2002. Si e kishte të rregulluar Zvicra qarkullimin me automjete nëpër shtete të tjera pasi që nuk ka qenë anëtare e OKB-së? A kanë qenë të izoluar zviceranët, apo kanë qenë të detyruar që të paguajnë sigurime të ndryshme nëpër kufijt që kanë kaluar?
  • Zvicra është anëtare në Këshillin e Byrove që nga viti 1949, pa qenë anëtare e OKB-së. Përse nuk u përdor “precedani” i Zvicrës për të kërkuar anëtarësimin, qoftë edhe me fusnotë, të Kosovës në Këshillin e Byrove?
  • Nëse iu referohemi përjashtimeve dhe rasteve sui generis si Zvicra, edhe Kosova përmendet si përjashtim që nga paslufta. Ka pasur disponim pozitiv lidhur me përfshirjen e Kosovës brenda Sistemit të Kartonit të Gjelbër, si përjashtim i veçantë nën perkujdesjen e OKB-së, UNECE-së dhe Këshillit të Byrove, gjë të cilën e argumentojnë Vendimet e Asambleve të Përgjithshmetë Këshillit të Byrove, të mbajtur në qershor në Gjenevë (Asambleja 34, shih faksimilen) dhe në Andorra në qershor 2001 (Asambleja 35, shih faksimilen), kur ishte instaluar model i veçantë për Kosovën, që automobilistët kosovarë të pajisen me Karton të Gjelbër për udhëtim jashtë vendit, si dhe qëKartoni i Gjelbër nga të gjithë anëtarët e Këshillit të Byrove tëvlejë për territorin e Kosovës. Çka ndodhi që këto vendime nuk u jetësuan as pas 14 vjetësh? Përse kompanitë e sigurimeve dhe Byroja kosovare asnjëherë nuk janë thirrur në këto vendime? A i janë fshehur ato opinionit publik?
  • Pse BQK-ja dhe BKS-ja, përveç me Maqedoninë dhe Shqipërinë, që nga viti 2003 nuk ka bërë përpjekje që, në mungesë të Kartonit të Gjelbër, të sigurojë së paku Marrëveshje Mirëkuptimi me shtete të veçanta në rajon dhe në Evropë, në mënyrë që të njihen polisat e ndërsjella? A nuk është vepruar njësoj kështu edhe për pranimin e targave dhe të pasaportave të Kosovës? Kush i ka penguar që të bëjnë Marrëveshje Mirëkuptimi me shtete? A i kanë kthyer përgjigje negative ndonjëherë shtetet, nëse ka pasur ndonjë kërkesë ndonjëherë? Përse nuk është menduar edhe kjo si strategji për të bërë presion te Këshilli i Byrove për ta pranuar Kosovën në Kartonin e Gjelbër?
  • Nëse do të kishtë vullnet të kompanive të sigurimit dhe të interesave partiake që qëndrojnë pas tyre, përse u vonua aq shumë miratimi i Ligji i sigurimeve (si një ndër kushtet për anëtarësim në Këshillin e Byrove) dhe kjo ndodhi vetëm në korrik të vitit 2011?
  • Përse tolerohet që të kemi numër të madh të mospërmbushjessë detyrimeve dhe pagesëssë dëmeve të automjeteve nga kompanitë e sigurimeve? Pse ka aq lëndë në gjykata që presin shqyrtim e që kanë të bëjnë me mospërmbushjen e obligimeve nga kompanitë? A është e qëllimshme kjo zvarritje dhe mos po bëhet edhe me qëllim qëKëshilli i Byrove dhe UNECE-ja të mos e trajtojë Kosovën si një shtet serioz që meriton Kartonin e Gjelbër?
  • Përse BQK-ja dhe BKS-ja nuk i bëjnë publike shënimet lidhur me preminë e inkasuar dhe dëmet e paguara për çdo vit, duke filluar nga 2001? Përse BQK-ja, qëështë mbikëqyrëse e sigurimit dhe ka për detyrim të shqyrtojë rezultatet në sigurime, si dhe ka kompetenca të lejojë tarifën e premive, nuk ka intervenuar që kjo premi të zbritet? Si shpjegohet ky raport?
  • • Përse kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në emisionin tim “Rubikon” të datës 27 mars 2014, publikisht në KTV, deklaroi se kosovarët do ta kenë Kartonin e Gjelbër deri para fillimit të kësaj vere? Nëse unë si gazetar nuk i paskam pasur të qarta “ligjet” dhe “rregulloret” ndërkombëtare që nuk e lejojnë këtë, atëherë si nuk e paska të qartë as kryeministri Thaçi, në të cilin thirretBKS-ja edhe në “reagim”? Ose – kërkoj falje për vrazhdësinë! – a po gënjenBKS-ja, apo kryeministri në këtë rast, pasi që të dy thonë gjëra të ndryshme dhe të dyja palët të thonë të vërtetën - nuk e rrokë logjika?
  • • Pasi që në “reagim” më tërhiqet vërejtja se shkrimi im “dëmton rëndë imazhin dhe reputacionin e industrisë së sigurimeve, e cila paraqet bazë të mjaftueshme ligjore për ndjekje penale ndaj” meje, sa e dëmtojnë këtë imazh këto çështje që ju shtrova më lartë? Sa e dëmtojnë qytetarin e izoluar të Kosovës, si dhe bashkëatdhetarin tonë të vuajtur në mërgim, sa e dëmton xhepin e tyre moslëvizja nga status quoja? Sa i pasuron ata që marrin paga nga BKS-ja dhe nga kompanitë e sigurimeve kjo status quo? Unë edhe mund të jem vetëm një gazetar “i shkathët dhe profesionist”, i cili edhe mund të gabojë dhe për gabimet e tij edhe mund të kërkojë falje pa dëmtuar askënd, ose edhe mund të “ndiqet dhe të dënohet penalisht”, që në fund të fundit do të dënohet vetëm një individ; por si do të ketë falje për gabimet që bëhet nën kupolën e BKS-së dhe për të cilat po paguajnë qytetarët dhe mërgimtarët e Kosovës dhe a do të kryente punë ndonjë ndjekje ndaj tyre për të sanuar dëmin?
  • Dhe në fund krejt (në vetë të dytë shumës), kur shkruani “le të mbetet në ndërgjegjen e z. Kelmendi se sa ka kontribuar me këtë shkrim, pa bazë argumentuese dhe faktike dhe sa do te mund ta dëmtojë dhe rendojë shkrimi i tillë imazhin e Kosovës ndërkombëtarisht dhe procesin e njohjeve të mëtutjeshme të Kosovës si shtet, kusht i cili edhe neve po na mban pezull si institucion!”, unë do të ju lusja që të bëni vetëm një zhvendosje të mbiemrit tim dhe të zëvendësoni me Byronë Kosovare të Sigurimeve. Si po iu del ndërgjegja tash me izolimin e Kosovës dhe imazhin e mbajtjes pezull të një populli të tërë, duke bërë përpjekje titanike ta arsyetoni pazotësinë dhe mosdashjen tuaj? A ju ka shkuar ndonjëherë mendja që ndoshta – pasi që ju i pasket bërë të gjitha dhe sërish Kosova ka mbetur e izoluar – të tërhiqeni nga ato poste dhe t’ia lëshoni vendin dikujt tjetër që mund të provojë të bëjë diçka pak më ndryshe, e që ndoshta edhe do të kishte dhënë më shumë rezultate? Apo i keni me tapi?

 

 

Rekomandimi që Kosova duhet të ketë Kartonin e Gjelbër nga Asambleja e Përgjithshme e 34-t e Këshillit të Byrove, mbajtur në Gjenevë, në qershor 2000. A u fsheh ky dokument?

Rekomandimi që Kosova duhet të ketë Kartonin e Gjelbër nga Asambleja e Përgjithshme e 35-të e Këshillit të Byrove, mbajtur në Andorra, në qershor 2001. A u fsheh ky dokument?

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...