Shqyejeni Marrëveshjen, interpretojini ëndrrat

29 Gusht 2015 - 08:41 - Adriatik Kelmendi      

Mustafa dhe Vuçiqi e lexojnë sot marrëveshjen për Asociacionin/Bashkësinë, por shohin në të se çka do të nënkuptojë e njëjta pas 5 ose 10 vjetësh. Për Mustafën, Marrëveshja është portë me të cilën pas një dekade sovraniteti i Prishtinës do të shtrihet në tërë territorin. Për Vuçiqin, Marrëveshja është vegël me të cilën sovraniteti praktik, të cilin serbët e kanë në komunat ku janë shumicë, do të kthehet në sovranitet politiko-juridik. Loja s’ka përfunduar. Në fakt kjo është minuta e parë e ndeshjes

ÇUDIA MË E vogël që do të duhej të ishte lidhur me 4 marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel është fakti që edhe Qeveria e Kosovës e edhe ajo e Beogradit po e shohin si fitore të veten respektive. Dhe unë u besoj sinqerisht të dyja palëve. Besoj se edhe Mustafa e edhe Vuçiqi janë të bindur se kanë nxjerrë maksimumin, se duhet të shihen si heronj nga popujt e vet, veçanërisht për kryesoren - Marrëveshjen për Asociacionin/Bashkësinë. Kjo meqë që të dy nuk po e interpretojnë tekstin e Marrëveshjes, por po e interpretojnë ëndrrën. E në ëndrrën e secilit, Marrëveshja vjen në formën e trampolinës drejt përmbushjes së aspiratave finale të tyre.

Dhe ky do të duhej të ishte mbase leximi i Marrëveshjes jashtë kutisë. Në të vërtetë, nuk ka thuajse fare rëndësi se cilat janë pikat specifike të përmendura në Marrëveshje. Ajo që është me rëndësi është se me atë tekst të njëjtë, pala kosovare sheh fillimin e zbatimit të ligjeve të Republikës së Kosovës në një territor në të cilin ato nuk janë zbatuar, kurse pala serbe sheh ruajtjen e autonomisë faktike që e kanë pasur edhe deri tash në ato pjesë të Kosovës. Ndryshimi i vetëm është se tash edhe Prishtina, edhe Beogradi e edhe Brukseli kanë një dokument juridiko-“politik” të nënshkruar, me të cilin pajtohen të gjitha palët.

Dhe fare nuk duhet të ketë dikush iluzione se nesër do të ndryshojë radikalisht jetesa në Kosovë. Edhe një kohë të gjatë, pavarësisht Marrëveshjes dhe zbatimit të ligjeve kosovare, shqiptarët nuk do të mund të shkojnë lirshëm në veri të Kosovës. Njësoj që zbatimi i ligjeve kosovare nuk do t’i shtyjë serbët kosovarë që ta pranojnë se jetojnë në shtetin e pavarur të Kosovës dhe jo në Serbi.

Mustafa dhe Vuçiqi e lexojnë sot marrëveshjen për Asociacionin/Bashkësinë, por shohin në të se çka do të nënkuptojë e njëjta pas 5 ose 10 vjetësh.

Për Mustafën, Marrëveshja është portë me të cilën pas një dekade sovraniteti i Prishtinës do të shtrihet në tërë territorin. Për Vuçiqin, Marrëveshja është vegël me të cilën sovraniteti praktik, të cilin serbët e kanë në komunat ku janë shumicë, do të kthehet në sovranitet politiko-juridik.

Marrëveshja sot absolutisht nuk mund të interpretohet me terma futbollistikë. Sot, me Marrëveshje, vetëm sa ka filluar minuta e parë e ndeshjes futbollistike, rezultati i së cilës do të varet nga loja në terren, pra mbi pikat e Marrëveshjes. Vetëm pas 5 ose 10 vjetësh do të mund të flasim për rezultatin.


MARRËVESHJA PËR funksionimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe (A/BKShS) sot, në terma të përgjithshëm, është e ngjashme me atë të funksionimit të Asociacionit ekzistues të Komunave në Kosovë (AKK). Por, këtu vlen analogjia e thikës – thika në dorën e kuzhinierit prodhon ushqime për njerëzit, thika në dorën e vrasësit serik prodhon masakër njerëzore.

Pra, AKK, brenda ligjeve të Kosovës, synon për ta avancuar mirëqenien e zhvillimin në komunat anëtare, njëkohësisht duke avancuar mirëqenien e zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës.

A/BKShS, për dallim, brenda ligjeve të njëjta, synon ta avancojë mirëqenien e zhvillimin e komunave me shumicë serbe, njëkohësisht duke mos hequr dorë nga aspirata që një ditë ato komuna të njëjta do ta kenë Beogradin dhe jo Prishtinën kryeqytet.

Për këtë arsye nuk ka fare peshë tash për tash ajo që thuhet në marrëveshje. Janë ëndrrat e liderëve ato që duhet të jenë objekt trajtimi.


PËRTEJ ËNDRRËS dhe kthimin në përditshmëri, Beogradi me Marrëveshje ka pranuar se sot për sot në gjithë territorin e Kosovës vlejnë vetëm ligjet që derivojnë nga Kushtetuta e Kosovës. Në aspektin juridik, Serbia ka hequr dorë nga Kosova dhe trajtimin e serbëve kosovarë ia ka lënë në duar Prishtinës.

Serbët kosovarë, në anën tjetër, hëpërhë janë ngazëllyer, duke vlerësuar se Prishtina po ua njeh atyre të drejtën e vazhdimit të ushtrimit të autonomisë faktike që e kanë pasur deri më tash, dhe pak ka rëndësi për ta se nëpërmjet të cilave ligje.

Nga sot fillojnë potezat serbe për të arritur rezultatin e favorshëm në përfundim të ndeshjes. Që në përkthim i bie: gjetjen e metodave për ta bishtnuar e sabotuar zbatimin e ligjeve të Kosovës, në mënyrë që komunat nën A/BKShS të funksionojnë si entitet autonom i pavarur.

Por, në fushë është edhe pala tjetër, Qeveria e Kosovës, si dhe arbitër është Brukseli.

Do t’i mbetet Qeverisë në Prishtinë që çdo ditë të prodhojë argumente shtesë për serbët, e edhe për Brukselin, se përse serbët kosovarë duhet të binden se është më mirë për të gjithë që ata ta pranojnë Kosovën si shtet të tyre.

Mirëpo, këto argumente shtesë duhet të jenë të njëjtat që e njëjta Qeveri duhet t’i prodhojë edhe për shumicën shqiptare dhe komunitetet e tjera në Kosovë.

Suksesi në qeverisjen e Kosovës, do të jetë sukses edhe në fitimin e argumenteve për një Kosovë të unifikuar.

Një Kosovë demokratike, e zhvilluar ekonomikisht dhe me sundim të rendit dhe të ligjit, do të mundësojë jetësimin më të shpejtë të ëndrrës së Mustafës.

Një Kosovë e dështuar, do t’i rrisë gjasat që ëndrra e Vuçiqit të bëhet realitet.

Marrëveshja i ka përcaktuar rregullat e lojës. Loja sapo ka filluar.

Tek në fund të saj do të mund të flitet për heronjtë, ose tradhtarët e vërtetë. Dhe atë jo domosdoshmërisht duke i matur me kutin e vetëm një etnie.

[email protected]
Twitter: @adriatikk

 

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...