Edipi mbret kapërcen antikitetin me spektakël
5 Prill 2013 - 09:39
Kur drejtuesit e dy teatrove kombëtare në Shqipëri dhe Kosovë kishin vendosur për një prodhim të përbashkët teatror, regjisori Ilir Bokshi thotë të ketë marrë vetëm një mesazh: duhej një shfaqje spektakël, raporton Koha Ditore. Bokshi është i bindur se e ka arritur këtë, me realizimin e shfaqjes Edipi mbret, premiera e së cilës në Prishtinë është dhënë të mërkurën mbrëma pas njëmbëdhjetë shfaqjeve në Tiranë. Tragjedia Edipi mbret e Sofokliut, që jetoi në
Prishtinë, 5 prill - Kur drejtuesit e dy teatrove kombëtare në Shqipëri dhe Kosovë kishin vendosur për një prodhim të përbashkët teatror, regjisori Ilir Bokshi thotë të ketë marrë vetëm një mesazh: duhej një shfaqje spektakël, raporton Koha Ditore. Bokshi është i bindur se e ka arritur këtë, me realizimin e shfaqjes Edipi mbret, premiera e së cilës në Prishtinë është dhënë të mërkurën mbrëma pas njëmbëdhjetë shfaqjeve në Tiranë.
Tragjedia Edipi mbret e Sofokliut, që jetoi në shekullin V para erës sonë, rrëfen historinë e një djali, i cili pa dashur përmbush një kompleks të hershëm. Vret babanë, Lain, dhe martohet me të ëmën. Kur mëson të vërtetën ai verbohet, kurse e ëma, Jokasta, vret veten. Për të sjellë në skenë këtë tragjedi, Bokshi ka angazhuar 16 aktorë, shumica prej të cilëve i takojnë gjeneratës së re. Rolet kryesore u janë besuar Helidon Finos (Edipi) dhe Yllka Mujos (Jokasta). Në role të tjera interpretojnë, Ema Andrea (Korifeu), Neritan Liçaj (Kreon), Olta Dulaku, Erioma Kakeli, Lulzim Zeqja, Eftiola Laçka e Amos Zaharia.
Inskenimi i kësaj tragjedie në Teatrin Kombëtar të Kosovës për vetë regjisorin ka qenë një sfidë që është kaluar.
Për dramaturgun Arian Krasniqi ky inskenim ka qenë i suksesshëm. Ai e ka vlerësuar shfaqjen për një lexim regjisorial interesant e atraktiv. Duke marrë për bazë natyrën e tekstit antik, Krasniqi ka bindjen se Edipi... ka sjellë shenja të dukshme të autorësisë regjisoriale të Ilir Bokshit. Sipas Krasniqit, elementet koreografike i kanë dhënë shfaqjes ngjyrime prej koreodrame, ndërsa elementet muzikore, ritmet, këndimet, nën drejtimin e Trimor Dhomit, vetëm sa e kanë begatuar shfaqjen.
Shfaqja që kishte hapur punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Konventës Evropiane të Teatrove, që po mbahej në Tiranë, sipas regjisores Burbuqe Berisha, ish - drejtoreshë e TKK-së, në mandatin e së cilës është realizuar projekti i përbashkët - ka sjellë shumë fryte në të dyja skenat teatrore, atë të Prishtinës dhe të Tiranës.
Është një sukses i madh për ekipin e Kosovës, por edhe për trupën e aktorëve nga Shqipëria, për arsye se kanë realizuar një shfaqje të cilësisë së lartë, por nëpërmjet kësaj kanë arritur një njohje të ndërsjellë, ka thënë Berisha. Stafi nga Kosova është i përbërë nga një ekip që është quajtur kreativ. Përpos Bokshit, pjesë e ekipit kosovar kanë qenë edhe kompozitori Trimor Dhomi, kostumografja Vesa Kraja dhe skenografi Petrit Bakalli.
Dramaturgu Krasniqi ka vlerësuar më shumë punën e ekipit kosovar duke mos komentuar e as kritikuar lojën e aktorëve shqiptarë. Megjithatë, sipas tij, bashkëpunime të tilla Kosovë-Shqipëri duhet të vazhdojnë dhe të ndodhin më shpesh.
Kostumet dhe skenografia mund të konsiderohen si elemente që kanë përforcuar gjetjen skenike për një realizim estetik dhe artistik të shfaqjes, ka thënë Krasniqi.
E regjisori Bokshi ka thënë se zgjedhja për ta inskenuar Edipin... ka qenë e tij, por që ka ardhur si fryt i asaj se çfarë kanë kërkuar dy teatrot. Kërkohej një shfaqje që ka prezencë, pra të mos jetë një tekst i zakonshëm por një që jep mundësi për të bërë pak spektakël, ka thënë Bokshi. Ai ka thënë se ekipi kosovar e ka pasur më të lehtë që ta realizonte këtë shfaqje pasi teknika e punës ka qenë e qartë dhe brenda ekipit ka pasur siguri artistike.
Edipi... është një shfaqje e cila është krejt kohën aktive. Gjithçka fillon me këngë dhe me lëvizje të vallëzimit dhe dialogut nëpërmjet gjuhës së trupit. Një diell i madh që natën shndërrohet në hënë është i vënë në qendër të skenës, prapa fronit të Edipit. Aktori Helidon Fino që luan rolin kryesor ka thënë të jetë i kënaqur me pritjen që i ka bërë publiku kosovar. Thotë se nuk ka pasur probleme që të përshtatet me skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës pasi ka luajtur disa herë aty. Nuk kisha dyshime që do të ndodhte ndryshe nga Tirana, ka thënë Fino. Por ai nuk e ka ndier publikun siç ka thënë ai të ekzaltuar.
Por ishte një ndjesi e ngrohtë që vinte nga duartrokitjet në fund të shfaqjes, ka thënë Fino. Ai e ka pranuar edhe një defekt që e ka pasur gjatë lojës. Pata një tharje ajri dhe kjo pati pak ndikim në fyt dhe nuk mund të bërtisja aq sa duhet, ka thënë Fino.
Regjisori Bokshi ka thënë të mos ketë pasur shumë punë me aktorët, pasi ata kanë gjetur shpejt veten në role. Bokshi ka zbuluar se në fillim të nisjes së këtij projekti teatror, ideja ka qenë që të realizohej një shfaqje nga Shakespeare, të cilin ai thotë se e ka dramaturg të preferuar, por dy shfaqjet që janë tani në repertorin e Teatrit Kombëtar në Shqipëri e kanë penguar ta realizonte këtë.
Megjithatë, shfaqjet e antikitetit më pëlqejnë dhe e kam bërë me qejf, ka thënë Bokshi. E në premierën e Prishtinës Edipi... nuk ka pasur aq mysafirë specialë siç ka ndodhur në Tiranë, ku kishte qenë prezent edhe kryeministri Sali Berisha. Drejtori i Departamentit të kulturës në Ministrinë e Kulturës, Kamuran Goranci, ka qenë zyrtari më i lartë që ka përcjellë shfaqjen.
Ai ka qëndruar në lozhën e sallës ku një pjesë e epërme e saj veç është prishur. Përderisa në 11 repriza në Tiranë, sipas drejtorit të TK-së, Kristaq Skrami, ka pasur nga 400 veta në secilën reprizë, mbrëmë në Prishtinë në sallën e Teatrit Kombëtar nuk kishte karrige të zbrazët.