26 Qershor 2016 - 08:00 - Brikenda Rexhepi
Me Benin e kam parë veten në bjeshkë për herë të parë. Para shumë vjetësh, kur ishim fëmijë, diku 3-4 vjeç, kalonim bashkë në shtigje të rrezikshme me drunj të dendur, shkëmbinj të thepisur e tinguj mistikë në muzg. Beni ishte idhulli dhe udhërrëfyesi im. Unë isha Çika dhe isha më e vogël. Ecjet i bënim ngadalë dhe me vëmendje të plotë. Sy e vesh katër nga të gjitha anët. Ai e kishte pushkën e madhe, e cila bënte ‘baam’, e unë të vogël që bënte ‘piuu’. Dhe kjo prishte gjithçka. Si mundej që unë të mos isha e fortë? E doja mbështetjen e tij, por doja edhe unë ta mbështesja atë. Refuzimi im shpesh ishte tejet i zhurmshëm. Isha e pakompromis për të lejuar që përralla të vazhdonte në këso kushtesh. Të qeshurat shpërthenin në shtëpi.
Udhëtimi ishte i gjatë javën që shkoi, teksa një grup prej rreth 30 vetash ktheheshim nga Alpet Juliane për në Kosovë. Në autobus derisa e lusje gjumin kishe kohë të mendoje për çdo gjë. T’i përktheje sfidat e pushtimit të majës në ato të jetës së përditshme e të gërmoje në dekadat e kaluara. Ashtu edhe e riktheva rrëfimin për përrallën e fëmijërisë dhe e kuptova se rebelimi im kishte qenë pikërisht ajo që prindërit e mi e kërkonin nga unë. Donin të siguroheshin që e dija se shtigjet e vështira në mal, në bjeshkë, në qytet, në shtet, në familje… nuk mund të kalohen nëse nuk kërkon më shumë nga vetja.
Ngjitja e Trigllavit, pikës më të lartë të këtyre Alpeve, ishte një përrallë më vete. E tillë të cilën e jeton në të vërtetë. Që bukuritë që të mahnitin ekzistojnë; që fuqia jote të befason; që afërsia e dikurshme mes njerëzve, edhe e të panjohurve mes vete madje, është rikthyer… Nuk ka qenë një ekspeditë veç alpinistësh profesionistë, por një mundësi që edhe njerëz “të zakonshëm” ta tentojnë majën. Ta përjetojnë ndjesinë dhe të bien në dashuri të përhershme me bjeshkën.
Me organizimin e Klubit Alpin Prishtina, 31 veta u nisën nga Prishtina në fillim të qershorit drejt Sllovenisë, vendit që është shtëpia e dy të tretave të Alpeve Juliane, pjesa tjetër e të cilave shtrihet në Itali. Drejt vendit që bjeshkët e veta i mbron përnjëmend me ligj, i promovon e i ka shndërruar në identitet. Vetëm tri maja i ka më të larta se Gjeravica e Kosovës – Trigllavin 2864 metra lartësi mbidetare (mlmd), Shkrlaticën 2740 mlmd dhe Mangartin 2679 mlmd. Derisa Gjeravicën 2656 metërshe e përkëdhelin veç bjeshkatarët kosovarë, për majat sllovene, edhe ato më të vogla, kujdeset shteti, i cili relievin e trajton si pasuri dhe mundësi që natyrën ta shijojnë jo veç vendësit, por edhe të huajt.
Qetësi për faunën
Parku Nacional i Trigllavit, siç quhet, është krijuar qysh në kohën e ish-Jugosllavisë, por Sllovenia pas ndarjes e ka zgjeruar atë akoma dhe ka vendosur kritere më të ashpra të mbrojtjes. Ka siguruar hapjen e shtigjeve, dhe promovimin e tyre - secilin për veçantitë e veta. E rregullat e mbrojtjes shkojnë deri aty sa vizitorët, për shembull, që marrin qen me vete, obligohen t’i mbajnë të lidhur gjatë tërë kohës, apo që bisedat me zë të lartë ndalohen për të mos ia prishur qetësinë faunës, që vlerësohet se përfshin rreth 3000 kafshë, më karakteristiku i së cilave është cjapi brigjatë.
Ironia, derisa lexon e sheh për këtë lloj kujdesi, pashmangshëm të kthen në Prishtinën, banorët e së cilës nuk ka kush t’i shpëtojë nga zhurma e, për shembull, darabukëve, tupanëve, surleve e klarinetave që në netët e nxehta kaplon jo veç qendrën e qytetit, por edhe lagjet ku supozohet se njerëzit duhet të jetojnë në qetësi. Nuk mund t’u iket digresioneve të dhimbshme sado banale që mund të jenë kur viziton një vend që është krejt ndryshe, ku institucionet kujdesen për kafshët aq sa në vendin tënd nuk ka kujdes për njerëzit. Sllovenia dje, më 25 qershor, i ka bërë 25 vjet qyshkur është ndarë nga ish-Jugosllavia, dhe sot bën pjesë në mesin e shteteve të zhvilluara evropiane që e karakterizon fuqia punëtore me nivel dhe standard të lartë arsimimi.
Ngjitja në majën më të lartë sllovene nuk është e lehtë. Shteg i rrëpirë, borë që nuk e di se kur të mban e kur të lëshon, ujëvara që të bëjnë qull derisa kacavirresh në shkëmbinjtë nën to, erëra, shi, mjegull, bubullima e vetëtima. Prishja e komoditetit është e domosdoshme. Kur rri në kafe duke soditur kalimtarët, apo në kolltukë duke nënshkruar çka të vjen përpara, nuk mund edhe të kënaqesh me pamjen e bukur dhe me krenarinë që të përshkon kur je në majën e Trigllavit. Andaj, ngjitja s’bën pa u provuar. Të jep mësim që mund ta aplikosh kurdo dhe kudo. Të bën më kërkues ndaj vetes, të bën ta respektosh atë më shumë dhe rrjedhimisht të kërkosh kushte e shtigje më të mira e më të sigurta. Me një fjalë, nuk të lë të rrish poshtë.
Rrugëtimi nga Prishtina për në Mojstrana, fshatin slloven bri bjeshkëve, e çoi grupin e kosovarëve nëpër bukuritë e Adriatikut, por magjia nisi të shfaqej tek te caku. Ajo bëhej çdoherë e më e fuqishme derisa depërtoje nëpër thellësinë e këtij fshati veriperëndimor slloven. Ndonëse arritëm në mbrëmje vonë, kur terri tashmë kishte fshehur Alpet, ndjesia që të jepnin cepat e tyre derisa ngjiteshin nëpër qiell ishte e pashmangshme. E kuptoje se tashmë ishe bërë pjesë e tyre dhe se nata do ta thyente akullin në mes, për t’u zgjuar në mëngjes e për t’u nisur drejt një marrëdhënieje të re sa sfiduese aq edhe të sinqertë.
Të nesërmen si mund të niste dita më mirë se midis një lugine të gjelbëruar; një lumi gurgullues që e pret në mes; bjeshkëve gjigante që ngrihen mbi të – e ti, përplot adrenalinë e pa fije durimi, për t’u ngjitur sa më lart e për të përjetuar sa më shumë. Lugina, jo rastësisht, ka marrë emrin “Dolina Vrata” (Lugina e Derës) që të çon drejt një pylli përplot jetë e pastaj në themelet e faqes veriore të Trigllavit. Me këmbë të ngulura mirë në tokë, veç një shikim lart dhe mendtë merren jo veç nga lartësia e kësaj maje shkëmbore, por edhe e dhjetë të tjerave më të vogla që shtrihen si rojë të brishtësisë së luginës. Lumi “Triglavska Bistrica” (Bistrica e Trigllavit) duke kaluar andej mbledh gjithë ujërat që sjellin bjeshkët dhe ato të ujëvarave të famshme përreth, për t’i çuar deri te fillimi i fshatit Mojstrana e për t’i derdhur ato në lumin Sava.
Por ende s’kemi arritur te e nesërmja.
Bjeshka si identitet
Tri orë gjumë në njërën nga dy bujtinat e luginës do të mjaftonin për të pushuar nga rruga e bregdetit. Nuk mund të binim më herët ngase guidat e KAP-it donin të siguroheshin që të gjithë pjesëmarrësit i kishin pajisjet e duhura dhe se dinin si t’i përdornin ato. Edhe disa këshilla shtesë dhe kaloi ora 1 pas mesnate. Përgatitjet në fakt u shndërruan në një ceremoni që më shumë se teknikisht të mobilizonte psikikisht për t’u përballur me të panjohurën; që drojën ta kthente në kureshtje; që pjesëmarrësit i afronte më shumë mes vete; që përforconte besimin te tre udhëheqësit e rrugëtimit – Nazi, Hakiu e Qëndrimi.
Dhomat e gjumit në “Šlajmerjev dom” ishin muhabet më vete. Krevate dykatëshe të drurit (katër nga dy shtretër) dhe dy shtretër të tjerë njëkatësh i bënin dhjetë vende për gjumë në një dhomë të madhe ku ishte e vendosur edhe një tavolinë e madhe e drurit, si dhe një çezme. E fundit herë që kisha fjetur në një dhomë të ngjashme ka qenë diku viteve të tetëdhjeta në pushimoren e Brezovicës. “Šlajmerjev dom” dinte kohë pas kohe të të kthente blic-sekuenca të ndjesisë fëmijërore të atëhershme e të të qenit larg shtëpisë. Por, nga ana tjetër, ngrohtësia e bujtinës së drurit të bënte të ndjeheshe rehat dhe sigurt në mesin majave të Alpeve. Batanijet ndërkaq ishin super të bukura dhe të buta po ashtu. Se ishin edhe super të ngrohta do ta merrnim vesh tek të nesërmen. Bujtina që për herë të parë ishte ngritur në fillim të shekullit të kaluar në 1015 mlmd, dukej se rishtas ishte rinovuar. Ende ndihej aroma e freskisë së drurit të orendive të saj. Pak më lart ishte edhe “Aljažev dom”, bujtina tjetër që përveç historisë kishte edhe restorantin. Ngrohtësinë e nikoqirllëkut të saj do ta merrnim vesh gjithashtu pas kthimit.
Ora pesë e mëngjesit, 11 qershori, fillojnë të kërcasin alarmet e telefonave mobilë. Pa shumë fjalë, të përgjumur dhe për gjysmë ore, 31 kosovarët janë jashtë bujtinës të gatshëm për ta pushtuar Trigllavin. E marrim vesh se kushtet atmosferike nuk janë në favorin tonë dhe se do të ishim grupi i vetëm që do ta ndërmerrte ekspeditën. Nuk e di në ishte kokëfortësia apo guximi i shqiptarit që bëri që asnjërit as mendja të mos i shkonte te mundësia e anulimit. Dhe nisemi. Jemi aty ku “Lugina e Derës” i afrohet bjeshkës. Rreth një kilometër ecje kishte nga vendi i nisjes e te pika ku duhej kaluar Bistricën e Trigllavit. Nga mesi i këtij shtegu qëndronte memoriali i partizanëve alpinistë sllovenë të rënë në Luftën e Dytë Botërore: një karabinë gjigante e ngjitur në anker të vendosur mbi një bazë betoni. Kjo bjeshkë ka qenë motivi kryesor i frontit slloven kundër nazifashistëve dhe epiqendra e luftës në të cilën ushtarët kanë bartur kapelat “trigllavka” që cepin e sipërm e kanë pasur të qepur me tri maja – simbolikë e Trigllavit (Tri kokat). Identitet kombëtar ky që e kanë të qëndisur edhe në flamur; që u ngjall emocion, sikurse shqiponja shqiptarëve. Te memoriali u shkrepën disa foto për të vazhduar kah Bistrica, të cilën për ta kaluar duhej kërcyer nga guri në gur për të mos u lagur nga uji i ftohët i saj.
Lidhja me shkëmbin
Shtegu pastaj nis të pjerrtësohet dhe “Lugina e Derës” tani mund të shihej veç nëse e ktheje kokën prapa. Sa vazhdonte ngjitja, Lugina bëhej më e vogël dhe hynte thellë e më thellë midis grykës së bjeshkëve. Edhe ngjyrat nisin të ndryshojnë. E gjelbra shihej çdoherë e më larg, derisa shtegu shkonte e vështirësohej nëpër laramaninë e ngjyrave shkëmbore për të arritur tek lugjet që ndihmonin borën e bardhë të dimrit të jetonte më gjatë. Një ecje që kishte nisur veç disa kilometra më poshtë në luginën e ngrohur nga dielli i verës, tash vazhdonte nëpër borën të cilën duhej shkelur duke i ngulur këmbët mirë në gjurmët e të parit, për të mos rrëshqitur teposhtë drejt pikës ku lugu përmbyllej e përtej së cilës nuk shihej më. Edhe disa lugje të tilla dhe shkëmbinj masivë midis së cilave fshiheshin ato duhej kaluar. Nëpër shkëmbinj vende-vende ishin ngritur “via ferratat” (rrugët e hekurta) për të ndihmuar alpinistët t’i kalojnë shtigjet më të vështira duke u lidhur për konstruksionet mbështetëse. Disa ishin vendosur nëpër struktura pingule e disa në të pjerrëta. Por, sa më të rënda shtigjet aq më të vështira kërkoje të të prisnin. Ndjenja e të sfiduarit të vetvetes bëhej më e fortë, derisa e vëreje që komunikimi ndërmjet trupit tënd dhe shkëmbit bëhej çdoherë e më i ngushtë, e më i natyrshëm. Ndjenjë kjo që në fund të krijonte përshtypjen se bashkë me shkëmbin dhe ujin që kalonte nëpër të bëheshe një. Dikur kësaj ndjenje iu shtua edhe shiu nga i cili, në pjesën e parë të rrugëtimit, përpiqeshe të mbroheshe. Më vonë e pranoje edhe atë si pjesë të tërësisë së përjetimit. Bëheshe plotësisht pjesë e natyrës dhe ndjesia, sado i çuditshëm që mund të duket krahasimi, ishte e njëjtë me rehatinë që të kaplon kur nga një mjedis i huaj kthehesh në shtëpi. Ngjitja e majës mbetej qëllimi përfundimtar, por më të mirën e rrugëtimit tashmë të gjithë e kishim arritur.
Tashmë kishim kaluar një pjesë të konsiderueshme të rrugës dhe derisa mjegulla vështirësonte pamjen e bora mbulonte sipërfaqen edhe pa përkrahjen e lugjeve, kërkonim me sy shtëpinë bjeshkatare në pikën Kredarica, 2515 mlmd, që shërbente edhe si bujtinë e edhe si qendër meteorologjike e Sllovenisë. Dikur midis mjegullës dhe borës nis të shfaqet ajo. Disa foto shkrepen edhe aty, meqë pamja e një shtëpie me kulm të thepisur midis bjeshkëve të mbuluara me borë ishte magjepsëse, por ndoshta mbase edhe nga gëzimi që do të hynim brenda e të pinim nga një, apo dy çaja te nxehtë. Dikush do të hante sandviçët që kishte bartur në çantë e dikush edhe të ndërronte teshat e bëra çull.
“Kosova e ka okupuar Trigllavin”
Kur njëri nga burrat që punonin aty e mori vesh për gjithë ata shqiptarë nga Kosova në Kredarica, kapi telefonin dhe thirri dikë. “Kosova e ka okupuar Trigllavin”, ishte fjalia që tha në sllovenishte. Trigllavin tashmë e kanë pushtuar ekspedita edhe më të mëdha të vendeve të tjera, por që pikërisht gjithë këta njerëz vinin nga Kosova kishte më shumë domethënie për burrin në të pesëdhjetat dhe për ne, që po ashtu kishim përjetuar zhvillimet e dekadave të kaluara të këtij rajoni. Sllovenia dhe njerëzit e saj kanë qëndruar fort krah shqiptarëve të Kosovës qysh prej fundit të viteve ’80, kur rezistenca ndaj Serbisë u intensifikua dhe kur minatorët e “Trepçës” hynë në grevë. Trigllavi ka qenë maja më e lartë në ish-Jugosllavi me të cilën ky shtet e identifikonte kufirin e vet veriperëndimor. Por kjo i ka zgjatur veç deri më 1991, kur Sllovenia i është shkëputur. Kosovës i janë dashur edhe tetë vjet të tjerë. Sot Trigllavi e Kosova na asociojnë në shumë gjëra, të cilat të dy palët janë të lumtura që i takojnë së kaluarës.
Ndalesa në Kredarica nuk zgjati shumë, dhe Nazi, udhëheqësi i grupit, na njoftoi që si pasojë e kushteve atmosferike dhe rrezikshmërisë së terrenit ngjitja deri në majën e Trigllavit nuk ishte e sigurt për të gjithë. Një grup prej 16 vetash e morën atë rrugë. Nga bujtina bëje një zbritje të vogël për të nisur menjëherë ngjitja, së pari nëpër një përpjetë të gjatë e të mbuluar me borë, e pastaj në shtigje të rrëpirëta. Diku shkëmbi kishte shpërthyer mbi borë e diku bora e kishte mposhtur atë. Një rrugëtim që dallonte nga ai deri në Kredarica. Më shumë borë, më shumë frymë; me shiun tashmë ishim mësuar, e kësaj i shtohej ecja nëpër kurrizin e bjeshkës: një ndjesi e veçantë ku strukturat shkëmbore me të cilat ishe mishëruar më poshtë më nuk të qëndronin afër për të të mbrojtur. Tani ecje vetëm, sikur një fëmijë që lëshohet nga duart e prindërve. Shkëmbi të krijonte vetëm një shirit të ngushtë për të ecur mbi të. E anash shpërndahej veç mjegulla përtej së cilës nuk mund të shihje, por mund të paramendoje se çfarë ka. Me vëmendje të plotë, sikur në përrallën e fëmijërisë, shkonim drejt majës duke kërkuar me sy “Kullën e Aljažit”, një konstruksion i çeliktë që e identifikon atë.
E shohim kulmin, ngase bora e kishte mbuluar thuajse të tërin. Trashësia e borës duhej të ishte mbi një metër e gjysmë ngaqë vetë “kulla” është gati dy metra e gjatë. Duke iu afruar asaj, Nazi, që e udhëhiqte grupin, e thërret Nuhiun, bjeshkatarin i cili vitin e ardhshëm i mbush gjashtëdhjetë, që të ecë i pari në rreshtin e të tjerëve që po e shkonin drejt majës. Edhe shqiptarë të tjerë e kanë pushtuar atë më herët, por nderin e kësaj ekspedite e meritoi njeriu që me energjinë e vet dëshmon se mosha është vetëm një numër. Pas tij shkuam ne të tjerët, për të përjetuar ndjesinë që nuk mund të përshkruhet me emocione të të rriturish. Aty nuk e mendon numrin e metrave të lartësisë mbidetare dhe as rrugën që ke bërë deri në atë pikë. Përqafon miqtë dhe ua uron arritjen në cak. Por, megjithatë, më shumë je vetëm. Për ata minuta sa qëndron aty në ndjenjën tënde fton njerëzit që do, rikujton ngjarjet që meritojnë dhe bëhesh gati për sfidën e re. Natyrisht, dikush në fillim e dikush në fund bën edhe fotot.
Para më shumë se një shekulli, për majën e Trigllavit ishte përkujdesur Jakob Aljaž, një prift nga fshati Dovlje në afërsi që e kishte pasion bjeshkën. Në përpjekje për t’u mbrojtur nga interesimi në rritje i të huajve për bjeshkët sllovene ai e ka blerë majën e Trigllavit nga komuna për një gulden austro-hungarez dhe ka ngritur mbi të konstruksionin cilindrik të çeliktë me flamur në krye, që ka shërbyer si strehë dhe pikë gjeodezike. Atë pastaj ia ka dhuruar Shoqërisë Sllovene të Bjeshkatarisë, për t’u bërë dikur simbol shtetëror i këtij vendi. Sot atë e vizitojnë njerëz të shumtë nga e tërë bota.
Thirrja e bjeshkës kosovare
Vizitorët kosovarë, pasi morën ndjenjën dhe bënë fotot, nisën rrugën e kthimit. U bënë bashkë me të tjerët dhe ia mësynë teposhtës. Tashmë muzgu po afrohej dhe kushtet atmosferike veç sa bëheshin më të rënda. Bora ishte lagur nga shiu dhe ishte bërë e vështirë të parashikoje se kur mund të sharroje apo rrëshqisje. Disa lëshime u bënë me litar e të tjerat nëpër via ferratat e ngjitjes. Në orët e vona të mbrëmjes arritëm te Bistrica. Tani nuk kishe nevojë të kërceje nga guri në gur, por me qejfin më të madh mund t’i futeshe për midis rrjedhës së saj e të lageshe me ujin që më nuk kishte rëndësi në ishte i ftohët apo jo. Edhe një kilometër pas kalimit të lumit dhe direkt e te “Šlajmerjev dom”, në përfundim të shtegtimit 19-kilometërsh. Ngjitja në shkallët e krevatit të sipërm në dhomën e madhe të gjumit, doli të ishte sfida më të madhe e ditës pasi që tanimë adrenalina na e kishte lëshuar trupin. Këtu hynë në punë pastaj batanijet e bukura, të buta dhe të ngrohta të bujtinës. E të nesërmen hyri në punë restoranti në “Aljažev dom” për mëngjesin e ngrohtë dhe mikpritjen po ashtu të ngrohtë. “Tërë ditën dje kemi menduar për ju”, na tha e zonja e bujtinës, e cila përsëriti se në kushte të tilla ngjitjet bëhen tejet të rrezikshme.
Edhe historia e “Aljažev dom” lidhet me mbrojtësin e majës së Trigllavit, Jakob Aljaž. Në fund të shekullit XIX prifti slloven kishte kërkuar ndërtimin e shtëpisë bjeshkatare në “Luginën e Derës”, dhe ajo ishte ngritur disa vjet pas. Pasi e kishte shkatërruar një ortek bore, ishte rindërtuar sërish, për t’u bërë sot pika nga ku bjeshkatarët që synojnë Trigllavin e nisin rrugëtimin e tyre.
Është pika që përcjell njerëzit drejt një përjetimi të paharrueshëm e një mësimi të përjetshëm. Drejt të të sfiduarit të vetvetes dhe ndërtimit të idesë se për ta bërë ndryshimin duhet lëvizur nga kafet e kolltukët komodë. Është mësimi që shoqërisë sonë i duhet më së shumti. Mësimi që më mirë madje mund ta marrim në bjeshkët e bukura kosovare, të cilat ndonëse të shpërfillura nga shteti, ngrihen të forta në qiellin e këtij vendi duke ftuar qytetarët e tij të ngjiten më lart - Të mos rrinë poshtë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...