21 Shkurt 2016 - 08:00 - Brikenda Rexhepi
Nuk është absurd shitja e pacientëve nga “mjekët” e spitaleve publike tek ato private, në një vend ku pushteti nxjerr me zor përfaqësuesit e popullit nga salla e Kuvendit. E para – rasti “Stentat” është tema e gazetës të së dielës këtë javë, kurse e dyta – përshkallëzimi në Kuvend, është ngjarja që e përmbylli javën. Në gjithë të këqijat e tyre, diçka ka pozitive në to. Janë aq irrituese si një piskamë që zgjon të përgjumurit; janë një kufi, përtej të cilit nëse një popull shkon, nuk e meriton as të ekzistojë.
Në qindra ka arritur numri i pacientëve dhe i familjarëve që nuk po i ndahen prokurorisë për të dëshmuar se si i kanë përdredhur “mjekët” e QKUK-së, dhe jo vetëm, kur te ta kanë shkuar të kërkojnë trajtim të zemrës. Se si i kanë “qethur” në bashkëpunim me klinikat private, duke ua marrë centin e fundit për një trajtim, i cili mund edhe të mos ketë qenë i nevojshëm apo edhe nëse ka qenë i nevojshëm, ka mundur të ofrohet në QKUK. Se si e kanë rrjepur buxhetin e shtetit, të cilin e mbushin pikërisht këta pacientë taksapagues, duke ua çuar milionat privatëve; duke shpenzuar në blerje të aparaturave për QKUK-në për t’i lënë me vite të tëra nëpër depo, e duke blerë materiale shpenzuese për t’i lënë që t’u dalë afati. Se sa “mjekë” të zemrës janë dërguar në trajnime jashtë vendit, me paratë e pacientëve taksapagues, për t’u kthyer “të paaftë” që të kryejnë intervenime në QKUK, e specialistë të gjithëdijshëm nëpër klinika private. Për t’u kthyer që t’i zënë vendet e punës në QKUK e që ta bllokojnë funksionimin e saj; që të shërbejnë si urë lidhëse mes privatëve dhe pacientëve që ndër vite janë detyruar të bëjnë atë që do të bëje edhe ti për t’ia dhënë vetes edhe një shans për të jetuar.
Këta “mjekë” zor se do të kishin mundur të ktheheshin në përbindësha po të mos ua krijonin kushtet për këtë udhëheqësit e shtetit – prej Qeverisë, Gjyqësisë, Legjislativit e Kushtetueses. Qeveria nëpërmjet marrëveshjes me klinikat e preferuara private për ofrim shërbimesh, që “nuk mund” të ofrohen në QKUK; sistemi i drejtësisë, duke injoruar në mënyrë të vazhdueshme zërat e pacientëve të pafuqishëm; Legjislativi, duke mos ngritur kurrë hallet bazike të njerëzve që ua kanë dhënë votën; Kushtetuesja, duke eliminuar kushtëzimet ligjore që u kërkonin mjekëve të zgjidhnin mes privatëve dhe publikut. Një sistem është ngritur nga vetë shteti për të mundësuar monopolizimin e një shërbimi të tërë publik, për krijimin e një entiteti të paprekshëm që është Republika e Kardiologjisë.
Dhe paprekshmëria e arroganca nis prej bazës, prej qasjes ndaj pacientit. Është e tepërt të përmenden termat fyes në komunikimet mes “mjekëve” për pacientët, pazaret në kurriz të tyre, frika se të moshuarit mund të mos kenë para, e gjakovarët të tërhiqen nga intervenimi shkaku i koprracisë... Vazhdon me shpërfilljen e menaxhmentit të QKUK-së nëpërmjet bojkotimit të punës dhe kushtëzimeve, duke nxjerrë përherë arsye për të mos funksionuar. Pastaj, imunitet synon të ketë nga Prokuroria, duke u pozicionuar në mënyrën më kriminale dhe joetike, atë të kushtëzimit të hetimeve me trajtimin e pacientëve. Republika e Kardiologjisë ka problem edhe me publikun e gjerë. Nuk dëshiron që njerëzit, të cilët i japin paratë që ajo i merr, të dinë se si funksionon përbrenda dhe përjashta. Rrjedhimisht Republika dhe njerëzit e saj nuk i duan gazetarët e as mediat. Por sistemi shkon ashtu që sa më shumë nuk i do mediat, aq më shumë të duan ato. Kjo, sado e dhimbshme që mund të tingëllojë për “mjekët” kushtëzues, aq shpresëdhënëse duhet të jetë për mjekët përnjëmend.
Është një problem esencial, të cilin komuniteti i mjekëve nuk e kupton dhe i cili do t’i kushtojë derisa të mbushen mend. Duhet të ketë distancim nga veprimet kriminale, joetike, joprofesionale, apo çfarëdo tjetër që mund të ketë bërë një “mjek” apo një numër i tyre. Megjithatë, praktika zakonisht është ndryshe. Në mënyrën më naive thuajse të gjithë mjekët e fusin veten në të njëjtin thes me ta, duke u solidarizuar me diçka që nuk janë vetë. Kjo është e dhimbshme, posaçërisht kur kujton disa mjekë të cilët të lënë gojëhapur me të njerëzishmen e tyre, me afërsinë e kujdesin, me profesionalizmin. Është absurde që kushtëzimeve të “mjekëve”, që hetohen për shitje të pacientëve te privatët, dhe që e kanë bojkotuar punën në QKUK, t’u bashkohen mjekët që nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Ashtu siç ka qenë absurde në shumë raste që kolektivisht të mbrohet diçka që nuk është për t’u mbrojtur, meqë jemi pra te shëndetësia, fjalë bëhet për çështje jete a vdekjeje. Andaj, nëse mjekët e denjë duan të mos e njollosin fytyrën e vet me duart e ndyta të dikujt tjetër, duhet ta rishikojnë qasjen. Dhe me gjithë urrejtjen e ndërtuar ndaj mediave nga njerëzit me duar të ndyta, mjekët përnjëmend duhet t’i shohin ato si aleate për një sistem më të mirë të shëndetësisë; për eliminim të faktorëve shkatërrues; për kushte më të mira pune; për dinjitet të mjekut e pacientit.
Kjo është më sfiduese në një Kosovë ku dinjiteti i popullit në përgjithësi ka rënë përtokë. Tashmë u bëmë dëshmitarë edhe të zvarritjes së këtij dinjiteti nëpër tokë në seancën e Kuvendit të premten. Nga kush mund të presin mjekët e denjë e pacientët që t’i përkrahin në betejën e tyre për një sistem më të mirë të shëndetësisë, derisa deputetët janë përulur aq shumë sa të barten sikur delet jashtë institucionit përfaqësues të popullit? Pse Republika e Kardiologjisë të mos e ngrejë kryet brenda Republikës së Kosovës, udhëheqësit e së cilës pasurohen edhe më shumë se “mjekët” kushtëzues? Qytetari i Kosovës ka rënë shumë poshtë dhe nëse vazhdon të ndihet komod, infarktin do ta ketë të pashmangshëm.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...