“Heronjtë” që ua falën turqve Drinin, Lumbardhin e Brodin

10 Prill 2016 - 08:00 - Brikenda Rexhepi      

Presidenti sa ka qenë kryeministër e ka pasur për detyrë ta vlerësojë e ta ruajë pasurinë e bukurinë natyrore të Drinit të Radavcit e Istogut; ta dojë për shtetin e vet e të mos e falë potencialin e Brodit të Dragashit; të mos e shpërfillë kthjelltësinë magjepsëse të Lumbardhit të Deçanit. Potenciali i këtyre lumenjve Kosovës nuk i takon më. Katër hidrocentralet gjeneruese të tyre i janë falur kompanisë turke që Distribucionin e bleu edhe ashtu me pak para

Këtë tekst po e shkruaj në ditën e inaugurimit të presidentit të ri të Kosovës, Hashim Thaçi. Është kolumna e edicionit të së dielës të “Kohës Ditore” që temë e ka kontrabandimin e katër hidrocentraleve në procesin e privatizimit të Distribucionit të energjisë. Faljen e 20 milionë investimeve në këto hidrocentrale dhe të pasurisë më të bukur natyrore të Kosovës kompanisë turke që këto asete i bleu për 26 milionë. Aq ia ka shitur para 4 vjetësh Qeveria e udhëhequr nga presidenti i inauguruar sot. Hidrocentralet që nuk janë distribuim, por gjenerim, i ka marrë si bonus.

E vërtetë është që kompanisë turke i bie të shpenzohet 6 milionë. Nuk dihet nëse ky harxhim ka ndikuar që “abey” Erdogani të mos e nderojë ‘kardaş” Thaçin me praninë e tij në inaugurim. Siç e mësova sot nga një shoqe, “abey” i thënkan turqisht vëllait të madh e “kardaş” të voglit.

Meqë këto dy tema si rastësisht u lidhën sot njëra me tjetrën, derisa po nisesha të vija në zyrë në mëngjes e të merresha edhe me hidrocentralet në ditën e inaugurimit, pata mundësinë të mësoj gjëra edhe më të rëndësishme se si u thuhet vëllezërve turqisht. Gjëra që lidhen me organizimin e punës në gazetë.

Njohuritë i mora në bisedën time të parë me zëdhënësin e Policisë, Baki Kelani. Arsyeja që ma dha kënaqësinë ta thërras në telefon ishin ankesat e gazetarëve që nuk po lejoheshin të shkonin në Redaksi nga policia, ndonëse i kishin me vete bexhat dhe lejet e njoftimit. Madje edhe gazetari e fotoreporteri, që ishin të akredituar për ta përcjellë momentin historik të Kosovës, nuk u lejuan të shkojnë në zyrë për t’i marrë mjetet e tyre të punës. Zoti Kelani me vendosmërinë prej një polici besnik dhe me zërin prej një burri të fortë më mësoi se në raste të këtilla duhet të organizohemi ashtu që për ta mbajtur mbledhjen e zakonshme të orës 10 duhet të shkojmë në punë në orën 9. S’ka lidhje këtu që gazetarët e të punësuarit tjerë në redaksinë e “Kohës Ditore” nuk janë lejuar t’u qasen zyrave qysh prej orës tetë. Me rëndësi është që derisa po e kryejë dekadën e dytë në këtë zanat pata fatin të pasuroj njohuritë e mia edhe më shumë.

Të drejtën, deri sot, pata menduar që zëdhënësi Kelani ka probleme me numërimin. Por tash e kam marrë vesh që kjo nuk është e vërtetë. Çka më bëri ta kuptoj të vërtetën, nuk është veç këshilla që mora, por edhe deklarata e një zyrtari të Presidencës, i cili pas bisedës sime me zëdhënësin, i tha gazetares sonë që nuk ka njohuri se po ndalohen edhe njerëzit që kanë për të shkuar në punë. Kjo e shndërroi këmbënguljen e Kelanit në një përpjekje të tij për t’u dëshmuar stërbesnik, në stilin e atyre që bëhen më katolik se Papa. Dhe, përfundimisht e sqaroi shifrën e shumëpërfolur të protestës së 9 janarit, që gabimisht na pati bërë të mendojmë për problemin me numërim. Edhe atëherë pushteti mund të ketë sugjeruar 11 mijë, por 8-mijëshi padyshim është më dëshmues, pavarësisht absurditetit. Për këtë duhet pasur guxim të pashpjegueshëm, ngjashëm sikur edhe t’i ndalësh qytetarët të shkojnë në punë apo t’i mësosh se si duhet ta kryejnë punën e vet.

Janë pikërisht këta njerëz stërbesnikë, të cilët presidenti i ri në fjalimin e inaugurimit i ka futur në kategorinë e “heronjve”. Aty përveç policëve guximtarë i ka përmendur edhe prokurorët që e kryejnë punën e vet siç thotë se duhet - me guxim, pra. Janë pikërisht këta prokurorë, të cilët ka dy javë që gazeta ka raportuar për kontrabandimin tinëzar dhe faljen e katër hidrocentraleve kompanisë turke, nuk kanë nisur kurrfarë hetimi për të kërkuar përgjegjësit. Këta prokurorë që ka pesë ditë nuk kanë gjetur asnjë fjalë për ta nxjerrë nga goja rreth këtij krimi. Janë këta prokurorë që kurrë nuk kanë hetuar shumëfishimin e pasqarueshëm të pasurisë së udhëheqësve të shtetit ndër vite nëpër raportet e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion. Janë këta njerëz që tentojnë të na mësojnë rregullat e tyre të funksionimit në punë, në rrugë, në shtëpi...

Ata që atdheun e trajtojnë me papërgjegjësi të padurueshme e padashuri dëshpëruese. Janë edhe ata ministra që më 2011 u zgjodhën si më kompetentët dhe më të aftët për ta menaxhuar e kontrolluar privatizimin e Distribucionit në Komisionin ndërministror, i cili ka pasur për detyrë t’ia mbajë anën shtetit e jo kompanisë turke. Ka pasur për detyrë ta vlerësojë e ta ruajë pasurinë e bukurinë natyrore të Drinit të Radavcit e Istogut. Ta dojë për shtetin e vet e të mos e falë potencialin e Brodit të Dragashit. Të mos e shpërfillë kthjelltësinë magjepsëse të Lumbardhit të Deçanit. Potenciali i këtyre lumenjve Kosovës nuk i takon më. Kjo falë “heronjve” të fjalimit të presidentit të ri; të atyre me guximin e pashpjegueshëm për ta fëlliqur punën. Të ministrave të tij kur ka qenë kryeministër: atij të MZHE-së, të MTI-së, të MEF-it e të MMPH-së, të cilët i kanë thënë gazetës se as që e kanë ditur se hidrocentralet figurojnë në dokumentet që kanë shqyrtuar kur e kanë mbikëqyrur privatizimin e Distribucionit. Arsyetimi kryesor i tyre ka qenë se nuk kanë pasur kohë të shkojnë në takimet e Komisionit dhe se kryesisht në mbledhje e kanë deleguar dikë. KEK-u i cili ua ka dërguar dokumentet me të gjitha të dhënat e aseteve thotë se është e pamundur që të mos e kenë ditur, sepse të gjitha hollësitë kanë figuruar në lista.

Dy mënyra janë për ta kuptuar humbjen e hidrocentraleve. Një është që kontrabandimi i potencialit natyror për gjenerim derisa është thënë se po shitet veç Distribucioni, është bërë në mënyrë të planifikuar dhe tinëzare. Që njerëzit e përfshirë kanë qenë stërbesnikë me qëllim të përfitimeve personale brenda një grupi interesi. E dyta është që falja e këtyre hidrocentraleve është bërë si pasojë e papërgjegjësisë absolute të ministrave. Që njerëzit e përfshirë nuk kanë qenë të interesuar apo nuk kanë ditur të numërojnë dhe të lexojnë.

Janë veç këto dy mënyra për ta sqaruar këtë krim të qëllimshëm apo jo, dhe që të dyja janë të dhimbshme deri në mosdurim. Janë aq të pajustifikueshme, saqë moszbardhja e tyre përbën krim në vete. Ngjashëm siç përbën krim edhe mbyllja e syve e secilit qytetar që vërtet e do këtë vend.

Ne, të gjithë qytetarët, prokurorët e policët, mësuesit e studentët, veteranët e familjarët e dëshmorëve... do të mbesim përherë “heronj” të presidentit të ri nëse e pranojmë faljen e Drinit, Lumbardhit, Brodit...; e pranojmë shitjen e shtetit, që i takojmë, për para simbolike apo pa para fare..; e pranojmë cilësimin “hero” nëse e lëmë kafshatën e gojës për të shkolluar fëmijët e nuk kërkojmë që t’i shkollojmë ata pa pasur nevojë të mbesim të uritur...; nëse ua ndalojmë qytetarëve lëvizjen në vend se t’ua hapim rrugën për të shkuar në punë, në shkollë..., nëse pranojmë të cilësohemi “heronj” pse jemi stërbesnikë ndaj kauzave, qëllimi i të cilave nuk është mbrojtja e çdo centimetri dhe çdo pike uji të Kosovës.

[email protected] 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...