9 Shkurt 2015 - 16:11
Ai në këtë intervistë ka folur edhe për përkthimet e fundit të romaneve të tij, një në gjuhën turke dhe një në atë italiane, sikurse që ka folur edhe mbi studimet për krijimtarinë e tij, nga studiuesi, Mahmud Hysa. Mirëpo, ai ka ndarë edhe një detaj për lexuesit, dorëshkrimi i tij “Kohë qensh” do të jetë romani i radhës që do të publikohet.
I pyetur prej nga titulli “Buzëqeshje miqsh”, Kadriu rikujtoi një rast të hershëm, me regjisorin e njohur shqiptar, Viktor Gjika, që tash nuk jeton më.
“Gjatë një bisede të drejtpërdrejtë (ishte fillimi i viteve të shtatëdhjeta) kur një koleg imi e kritikoi një pjesë të realizimit të një filmi të tij, kurse Viktori i pat thënë: “Ti qenke interesant, sepse derisa kritikon vazhdimisht buzëqeshë!””, kujton Kadriu.
“Në fakt këtë titull e kam “dhuratë” prej mikut dhe poetit, të ndjerit Ali Podrimja. E kisha në dorëshkrim librin e parë për të cilin biseduam me Aliun. Atij i pëlqeu ideja për mënyrën e prezantimit të portreteve që i kisha përfshirë si personazhe të librit. Meqë kisha të bëja me figura të njohur të njëmendësisë artistike e kulturore në ambientin tonë, me ata që do t’i prezantoja pa maska... Aliu e tha si ide buzëqeshjen, dhe unë e pranova me kënaqësi”, ka theksuar Kadriu.
Duke iu përgjigjur interesimit të KulPlus, Kadriu u përgjigj: “Unë si autor isha (dhe jam) bashkëkohës i tyre, si në fillim të karrierës, por edhe në kulmet e arritjeve të tyre. Portretet e tyre i kam rrumbullakuar edhe me të pa thëna; me qasje të cilat me kalimin e kohës i kanë vlerat e shtuara. Gjatë sistemimit të shënimeve kam vënë në spikamë edhe të tilla shpjegime që, dikur, as mund të thuheshin. Më duhet ta përmend rastin e shkrimtarit Esad Mekuli i cili më pat thënë se luftëtari i LNÇ-së Ramiz Sadiku ishte i mbrapsht. Po të kishte mbetur gjallë do të ishte më i keq se Ali Shukriu, etj. Kur e pata pyetur pse ia kishte kushtuar ato vargje aq të njohura “Ramiz o vëlla” pas pushkatimit të tij, dhe se për pesëdhjetë vjet rresht të gjitha brezat e shkollarëve e kanë mësuar përmendsh, qe përgjigjur shkurt: Koha e han tërshërën”.
Kadriu po ashtu tregoi se vazhdon të merret me “shfletimin e kujtesës, mbase edhe të shënimeve që i kam bërë në kohë të ndryshme”.
“Se a do të përfundoj edhe librin e katërt të “buzëqeshjeve...” nuk mund ta them me saktësi. Ndjehem keq kur flas për të pakryerën, pavarësisht se jam aktiv në këtë drejtim. Vullnetin e kam të mos e mbyll, por të realizoj edhe librin e katërt të “buzëqeshjeve””, shtoi ai.
Rreth veprave studiuese të profesorit Mahmud Hysa mbi krijimtarinë e tij, Ibrahim Kadriu tha se “Kam qenë i befasuar kur u botua libri i parë mbi veprat e mia i profesorit Mahmud Hysa”.
“Me atë libër studimesh, me mbi katërqind faqe, e kam parë vetën ashtu siç nuk e njihja, sepse duke u marrë në vazhdimësi me fiksion, duke krijuar vazhdimisht, sikur i kisha harruar të krijuarat e mëhershme, të para dyzet e më shumë viteve. Duke i lexuar vlerësimet e profesor Mahmudit, më jepej rasti sërish të ambientohesha atje nga ku i kisha nxjerrë (dhe sistemuar) personazhet. Nga ana tjetër, duke e lexuar atë vepër, më është shtuar përgjegjësia. Tashti, Mahmud Hysa doli në opinion edhe me librin e dytë studimor mbi veprat e mia. Natyrisht se ndjehem i privilegjuar në këtë aspekt dhe, ja këtu, po i shpreh falënderim profesor Mahmud Hysës që ka pasur kurajë të bëhet studiues aq i përpiktë i veprave të mia”, tha Kadriu.
Interesimit për dy vepra të tij të përkthyera vjet, njëra në Turqi “Gloria në mes”, dhe tjetra në Itali, një vëllim poetik me titull “Tempo incenerito nelle pupille” (Kohë e djegur në bebza), ai sqaroi historinë e këtyre përkthimeve.
“Ishte e pritshme, meqë në një kongres të romansierëve të Ballkanit që ke mbajtur në Stamboll ( dhjetor 2012), ishte interesimi i botuesit turk, pasi që ai ishte njohur me biografinë time. Kërkoi t’i propozoja ndonjë nga titujt e romaneve të mia, dhe në atë rast anova kah romani “Gloria në mes”, paraprakisht i botuar në Shqipëri. Pastaj vazhdoi procedura. Kërkuan përkthyes dhe e realizuan përkthimin dhe, sipas premtimeve të afatit kohor, romani “Gloria në mes” u botua me titullin “Gloria ortada”. Gjatë dhjetorit të vitit që e lamë pas u organizua edhe përurimi i këtij romani në Ankara dhe Stamboll. Të them se për mua ishte befasi, ngase në atë përurim ishte edhe kryetari i njërës prej komunave të mëdha të Ankarasë, Mustafa Ak, mandej ambasadori i Kosovës në Ankara, Avni Spahiu, ndërkaq për romanin foli shkrimtari dhe intelektuali i njohur turk Jahja Akengin. Përurimet u organizuan nga botuesi “Bay” Osman Bajmak. Përkthyes i romanit është Vahit Ergin. Meqë ra fjala te përkthimet, bëj me dije se këto ditë doli në Itali vëllimi im poetik me titull “Tempo incenerito nelle pupille” (Kohë e djegur në bebza),nga shtëpia botuese Luigi Pellegrini në Cosenza. Librin e ka përkthyer Albana Alia, profesore universiteti, ndërkaq përcillet me një parathënie të Anton Nikë Berishës”, theksoi Kadriu.
Se me çfarë do t’i ofrohet lexuesit brenda vitit 2015, Kadriu u përgjigj: “Ndjehem keq kur flas për planifikimet, por megjithëkëtë, meqë vazhdimisht punoj – një dorëshkrim romani e kam gati, bile me titull pak a shumë provokues “Kohë qensh”. Romani ka të bëjë me aktualitetin e hidhur në aspektin moral, por edhe social e anakronik”.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...