60 për qind e të rinjve shqiptarë s’lexojnë më shumë se tre libra në vit

13 Nëntor 2015 - 14:32      

Të dhënat sa i përket leximit nga të rinjtë në Shqipëri janë cilësuar si shqetësuese. Anketa që ka realizuar Shoqata e Botuesve Shqiptarë, ka nxjerrë në pah se 60 për qind e të rinjve shqiptarë, kryesisht studentë, lexojnë një deri në tre libra në vit.

Përderisa ka shpalosur këto të dhëna, kryetari i ShBSh-së, Petrit Ymeri, ka krahasuar edhe botimet e vitit të kaluar me këtë vit, raportojnë mediat shqiptare.

Në ditën e dytë të edicionit të 18-të të Panairit të Librit në Tiranë, sipas shifrave të ofruara nga Ymeri, në vitin 2014 në Shqipëri janë botuar rreth 627 tituj nga letërsia shqipe, përderisa këtë vit numri ka rënë për 50 për qind. Shifrat konsiderohen alarmante edhe kur krahasohen titujt e përkthyer nga letërsia e huaj. Nga 327 tituj të përkthyer vitin e kaluar, këtë vit një muaj e gjysmë para Vitit të Ri, janë përkthyer dhe botuar vetëm 94 sosh, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas të parit të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, anketimi me titull “Editoria dhe qasja e lexuesit në librin e printuar në Shqipëri” ka synuar të analizojë situatën e botimeve dhe tregun e librit në Shqipëri gjatë vitit 2014 “Grupi i studimit mblodhi rreth 4.000 lexues në disa fasha moshe dhe arsimi, në Tiranë dhe qytete të tjera. Nga analiza e statistikave që na vijnë del një e dhënë alarmante ku gati gjysma e të intervistuarve lexon vetëm një libër në vit”, ka thënë kryetari i ShBSh-së.

Sipas tij, edhe më i trishtueshëm bëhet ky përfundim, kur mësohet se bëhet fjalë pikërisht për rininë universitare, e cila, sipas tij, duhet të përbëjë potencialin më të madh të lexuesve.
“Bëhet fjalë për rini universitare, që në një masë prej 60 për qind lexojnë vetëm një deri në tre libra në vit dhe janë tituj të rekomanduar nga shkolla ose ndonjë shumë ‘i përmendur’ në shtyp”, ka thënë Ymeri.

Sipas Ymerit, këto rezultate duhet të nxisin politikat për promovimin e leximit, që nga ato institucionale, tek ato private, shkollat e deri tek institucionet e librit, siç janë bibliotekat e libraritë. Ka thënë se këtyre treguesve dhe halleve ekonomikë, botuesit u përgjigjen me një ofertë më të vogël leximi, tirazhe më të ulëta e numër më të vogël titujsh. “E thënë me pak fjalë, tani në Shqipëri nuk është më prioritet leximi, nuk është prioritet libri”, ka thënë Ymeri.

Teksa ka analizuar situatën, ka thënë se shqiptarët edhe gjatë periudhës demokratike ishin të lidhur me leximin por kjo traditë është duke u zbehur. “Aktualisht kemi një rrjet librarish që po degradon dhe po zvogëlohet, një sistem bibliotekar të konsumuar, të dëmtuar dhe joefikas. Mungojnë fondet për pasurimin e bibliotekave shkollore e publike”, ka thënë Ymeri.

Ai ka shtuar se mungon edhe interesimi për të njohur lexuesit me letërsinë më të mirë që botohet në Shqipëri. Problemet për biznesin e librit janë përmendur edhe nga ministrja e Kulturës në Shqipëri, Mirela Kumbaro- Furxhi, në ditën e parë të Panairit të Librit në Tiranë, që u hap të mërkurën.

“Pikërisht në një kohë të vështirë për biznesin e librit, duke pasur parasysh uljen e shifrave treguese të botimeve edhe në pjesën më të madhe të botës së zhvilluar, Ministria e Kulturës u hapi rrugën dhe u krijoi mundësinë shtëpive botuese shqiptare të aplikojnë për fonde të konsiderueshme në Bashkimin Evropian, nëpërmjet projektit ‘Evropa Krijuese’”, kishte thënë Kumbaro-Furxhi. Sipas saj, nëntë shtëpi botuese vetëm dy vite janë mbështetur nga Bashkimi Evropian me një fond prej mbi 400 mijë eurosh.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...