Dështimi i drejtësisë

16 Mars 2014 - 07:48 - Agron Bajrami      

Kosova është shndërruar në një vend ku pothuaj secila degë e pushtetit dhe e politikës, prej Kuvendit e Qeverisë, deri tek agjencitë e ndryshme të shtetit dhe partitë politike, është e mbushur me njerëz që dyshohen, gjykohen apo janë të dënuar për vepra penale

Nëse shikohet lista e politikanëve që - ta përdorim shprehjen që e përdori së voni vetë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi - “kanë probleme me sistemin e drejtësisë”, atëherë konkludimi i vetëm i mundur është se e gjithë politika kosovare ka probleme me sistemin e drejtësisë.
Partitë më të mëdha që pretendojnë ta qeverisin vendin, prej PDK-së dhe AKR-së në pushtet e deri tek AAK-ja dhe LDK-ja në opozitë, në radhët e veta, madje në disa raste edhe në krye të institucioneve dhe partisë, kanë njerëz që në një mënyrë apo tjetër janë duke u përballur me drejtësinë.
Sigurisht, duam të besojmë se jo të gjithë janë fajtorë për ato që dyshohen, por zor e kemi të besojmë se të gjithë janë të pafajshëm, meqë një pjesë e tyre edhe janë dënuar në gjykatat e Kosovës.
Sido që të jetë, e vërteta e hidhur e skenës politike të Kosovës, e me të edhe e shoqërisë sonë në përgjithësi, është se po të ishin këta politikanë e zyrtarë të lartë duke vepruar në ndonjë vend vërtet demokratik ku sundon ligji, ndërsa në politikë vlerësohen lart edhe etika e morali – për hir të argumentit po i përmendi si shembull Gjermaninë, Zvicrën dhe SHBA-në si shtete që të njëjtët politikanë vazhdimisht i marrin për model në deklaratat e tyre publike - gjasat e tyre për të mbetur në politikë do të uleshin në ZERO në momentin kur drejtësia do t’i identifikojë si të dyshuar dhe të nisë procedurat kundër tyre.
Por, ja që në Kosovë kemi një standard krejt tjetër, ani pse liderët tanë politikë vazhdimisht flasin se do ta çojnë Kosovën në Evropë.
Demagogji e pakripë!

* * *

Arsyetimi më i shpeshtë që përdoret kur një politikan përballet me drejtësinë, por mbetet në pozitë apo edhe kandidon për t’u zgjedhur në pushtet: secili është i pafajshëm derisa gjykata të mos e vërtetojë fajësinë!
Por, përdorimi i këtij parimi themelor i së drejtës në rastin e Kosovës është shtrembërim i skajshëm i drejtësisë, manipulim dhe keqpërdorim i saj.
Sepse, parimi i pafajësisë derisa gjykata të mos e vërtetojë fajësinë është vendosur si instrument për të mundësuar gjyqin e drejtë për secilin, ashtu që barra e dëshmimit të jetë mbi akuzuesin dhe jo të akuzuarin, ndërsa në Kosovë kjo përdoret si mjet për ta mbajtur një të akuzuar në pushtet.
Kështu, Kosova shndërrohet në një vend ku pothuaj secila degë e pushtetit dhe e politikës, prej Kuvendit e Qeverisë, deri tek agjencitë e ndryshme të shtetit dhe partitë politike, është e mbushur me njerëz që dyshohen, gjykohen apo janë të dënuar për vepra penale.
Po e përsëris për ata që mund t’u ketë shpëtuar: edhe politikanët e dënuar për vepra penale tani thirren në pafajësinë!!!
Rasti i fundit është deklarimi bizar i së premtes i kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja, i cili një ditë pasi u shpall fajtor dhe u dënua me dy vjet burgim me kusht për keqpërdorim të detyrës, u thirr në “prezumimin e pafajësisë”! Muja tha se ndihet i pafajshëm dhe nuk largohet nga posti, në kohën kur gjykata atë e shpalli fajtor!
Por, rasti Muja nuk është përjashtimi, ai është rregulli. Është Maja e Ajsbergut e politikës së kriminalizuar kosovare, ku pasi që janë politizuar të gjitha institucionet e shtetit, ato janë populluar me manipulues, mashtrues, e në raste të skajshme edhe me njerëz që në kushte normale quhen kriminelë!
Në rrethana të tilla, kur asnjë institucion, asnjë parti dhe asnjë lider nuk ka guximin të dalë në krahun e drejtësisë në rastet kur bashkëpartiakët e tyre janë të akuzuar, Kosova nuk mund të presë progres në sundimin e ligjit, që është baza themelore e një shteti funksional e demokratik. Apo ndoshta e vërteta është edhe më e tmerrshme: janë liderët dhe partitë, që kanë në dorë edhe institucionet, ato që e kanë kriminalizuar sistemin qëllimshëm, duke e shndërruar Kosovën në një vend, të cilin, siç e pati shpjeguar një ambasador i një shteti mik jo shumë kohë më parë, “e mjelin sikur lopën”.
Diku mes këtyre dy shpjegimeve të mundshme mbase gjendet arsyeja e vërtetë pse, për shembull, kryeministri Thaçi flet për “qeverisje me duar të pastra”, ndërsa kandidon njerëz nën hetime apo edhe që janë në burg, për poste qeverisëse, dhe hesht kur gjykatat ia dënojnë kryetarin e preferuar të komunës, sikur që ndodhi së fundi në rastin Muja!
Andaj, derisa krerët dhe eksponentët kryesorë të shumicës së partive mbajnë pozitat qeverisëse apo partiake edhe kur janë nën presionin e hetimeve dhe procedurave gjyqësore, Kosova zor se do të mund të ndërtojë një alternativë të qëndrueshme që do të na shpinte përpara.
Popullit, si zakonisht, i mbetet t’i vuajë pasojat!

* * *

Nuk është problemi vetëm tek politika. Sigurisht, pjesën e vet të përgjegjësisë e ka edhe sistemi i drejtësisë, i cili brenda vetes vuan nga korrupsioni endemik, ndërsa jashtë nga nënshtrimi përballë presionit dhe kontrollit politik, ka pjesën e vet të përgjegjësisë.
Gjykatësit dhe prokurorët, por edhe organet e hetuesisë, po dështojnë në ndërtimin e një shteti ku ligji i trajton të gjithë njësoj.
Si ndryshe mund të interpretohet fakti që, nëse je politikan sistemi të trajton në mënyrë shumë më tolerante sesa një qytetar të rëndomtë që mund të ketë kryer veprën e njëjtë.
Puna nuk po del kush e di sa më mirë as me misioni e BE-së, që supozohej se do të përmirësonte sundimin e ligjit në Kosovë. EULEX-i, ani pse prej ardhjes së shefit të fundit, gjermanit Bernd Borchardt, është aktivizuar më shumë se në vitet kur udhëhiqej nga francezi Yves de Kermabon dhe më pas bashkëkombësi i tij Xavier de Marnhac, nuk duket se ka kapacitet për të bërë atë që Kosova ka nevojë të bëhet: pastrimin e politikës nga krimi!
Në kohën kur EULEX-i duket sikur ua ka vërë syrin disa individëve të cilët i trajton tash e sa vjet – me Fatmir Limajn janë marrë aq shpesh, sa në moment duket sikur i tërë misioni është krijuar vetëm për të – abstenimi për të trajtuar raste të tjera të ndërlidhura me politikën (asnjë nga aferat e raportuara korruptuese të krerëve të Qeverisë aktuale nuk është adresuar deri në fund), dhe kalkulimi në trajtimin e krimeve të kryera nga të dyshuar serbë, si gjatë luftës ashtu edhe pas saj, sidomos në veri të Kosovës, e kanë dëmtuar kredibilitetin e këtij misioni përtej riparimit.
Ndoshta dështimi i EULEX-it, bashkë me paaftësinë e gjykatave lokale, është arsyeja kryesore prapa idesë perëndimore që për Kosovën të themelohet një tribunal i veçantë për krime lufte. Por, për qytetarin e Kosovës e tëra vetëm se dëshmon dështimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Dhe për këtë fajtor nuk është populli. Është politika!

© KOHA Ditore
 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...