24 Dhjetor 2015 - 08:32 - Enver Robelli
Është folur edhe sivjet shumë për krim e korrupsion, për avionë që ulen në bregdetin shqiptar për të bartur drogë, për politikanë të paaftë dhe dashakeqës të vendit të tyre, për shitës të interesave kombëtare. Çfarë nuk është folur sivjet?!
Në fund të vitit si mesazh përcjellës për këtë strukturë politikanësh që sundon e dërdëllit kudo ndër shqiptarë jehon poezia “Këshillë për ata që janë shumë lart” të poetit gjerman Hans Magnus Enzensberger: “O ju historibërës! Ujqër qimerralluar, / derra të egër të pispillosur, / eunukë me cene në zemër, / me jargë majmuni në shpretkën e vyshkur / e me një gorricë të tharë mes shalëve”.
Sigurisht edhe ndër shqiptarë ka politikanë me duar të pastra, të cilët duhen mbështetur, por, për fat të keq, në shumë poste të rëndësishme dominojnë injorantët, të cilët ngjajnë sikur kanë dalë nga poezia e Enzensbergerit.
Këta historibërës po lënë pas vende e shoqëri pothuaj të shkatërruara, demokraci të brishta apo vetëm me fasadë, ekonomi që gjendet në duar të klaneve dhe jo në shërbim të mirëqenies së qytetarëve, sistem shëndetësor që kontrollohet prej mjekëve pa etikë dhe terrorizon mjekët me etikë, sisteme arsimore ku dija kontrabandohet dhe ku profesorë nga Prishtina,
Tirana e Tetova ia lyejnë mustaqet njëri-tjetrit me mjaltë (lexo: me tituj “doktor nderi”).
Parulla “jemi një” e folkloristëve shqiptarë gjen shprehje sidomos në fushën e ambientit. Këtu papërgjegjësia shqiptare është kolosale dhe kudo.
Tre shembuj e ilustrojnë këtë katrahurë.
Në Tetovë prej muajsh organizohen protesta kundër ndotjes së ajrit nga një fabrikë e firmës “Jugohrom”, ku thuhet se shkrihen metale që lëshojnë pluhur të rrezikshëm. Sipas aktivistëve ambientalë oxhaqet e furrave vjellin deri në 30 mijë tonelata pluhur në qiellin e Tetovës.
Po e shikuat këtë qytet nga Popova Shapka do të vëreni se mjegulla dominohet nga pluhuri me ngjyra të ndryshme. Aktivistë të shoqërisë civile thonë se është shtuar numri i aborteve në këtë qytet. Akuzat kundër pushtetit janë të rënda.
Nga ana tjetër pushteti e pranon se ka disa probleme, por thotë se tani qenkan montuar filtra dhe thekson se - në fakt - ndotës edhe më i madh janë mijëra vetura në Tetovë e rrethinë që çdo ditë dhe pandërprerë lëvizin në qytet.
Cila do të ishte zgjidhja? Meqë të dy palët ngulin këmbë në “të vërtetën” e vet dhe kontestojnë matjet e tjetrit, do të ishte mirë që me urgjencë të angazhohej një institut prestigjioz ndërkombëtar, i cili do të bënte një ekspertizë shkencore dhe të dyja palët do të duhej të vepronin në bazë të porosive të studimit.
Si gjithkund ndër ne edhe në Tetovë çështja e ndotjes është politizuar dhe ka shkaktuar polarizime të mëdha në shoqëri. Pas disa muajsh në Maqedoni do të mbahen zgjedhjet dhe pushteti duket se nuk ka ndonjë interes të madh për ta sqaruar këtë çështje.
Po dolën rezultatet negative, votuesit do të largohen. Kësisoj në Tetovë vazhdon ndotja dhe polemika për ndotjen, vazhdon kakofonia, vazhdojnë akuzat e ndërsjella. Atë çfarë e shohin edhe laikët është: Tetova mbulohet çdo ditë nga një mjegull pluhuri dhe afërmendsh që ky pluhur nuk është balsam për mushkëri.
Gati po aq alarmante është situata në Prishtinë. Helmi politik dhe gazi lotsjellës në parlament duken lojëra fëmijësh në krahasim me helmimin e kryeqytetit të Kosovës nga termocentralet e Obiliqit prej dekadash. Dihet se rreziku për t’u sëmurë nga kanceri është një çerek më i madh në Prishtinë se në pjesët e tjera të Kosovës. Çdo i dhjeti kosovar jeton në Prishtinë.
Ndotja masive e ambientit e ka dëmtuar rëndë shëndetin publik. Ekspertët ndërkombëtarë e quajnë Obiliqin një lloj Çernobili kosovar ose bombë e kurdisur. Këto termocentrale nuk mund të sigurojnë furnizimin e duhur me energji elektrike, ndërsa ndërmarrjet kosovare çdo vit paguajnë miliona euro për agregate të rrymës, për ndërprerjen e prodhimit dhe për dëme që shkaktohen në makineri.
Që nga viti 1999 politika ka dështuar të ndalë helmimin e Prishtinës dhe rrethinës nga oxhakët e Obiliqit. Mentaliteti gllabërues, paaftësia, mujshia, arroganca, por edhe mungesa e respektit për jetën nga ana e politikanëve e kanë degraduar qytetin dhe ndotur ajrin në këtë nivel.
Shembulli i tretë ka të bëjë me Sarandën, ku mijëra turistë kalojnë apo së paku duan të kalojnë ditët më të mira të vitit. Dhe ç’gjejnë atje? Natyrisht njerëz të përzemërt, që mundohen të ofrojnë shërbime të mira, por turistët shohin edhe shumë anë të errëta të Sarandës: ndotje ambienti, shëmti arkitektonike, biznesmenë që me ndikimin e tyre destruktiv i shkaktojnë dëme qytetit, madje krejt jugut, politikanë lokalë që nuk guxojnë të marrin vendime pa pëlqimin e pashallarëve në Tiranë, të cilët duan të kontrollojnë çdo lek, sepse për lekun erdhën në pushtet me premtime të rrejshme për rilindje e rigjallërim të bregdetit dhe mbarë Shqipërisë.
Shpesh ujërat e zeza derdhen në Detin Jon, një apo disa banditë e kanë ngrënë gati gjysmën e një ishulli në Ksamil, bën vaki që në kulm të sezonit të mos ketë energji elektrike – këto janë vetëm disa nga problemet me të cilat ballafaqohen turistët, ndërsa pushtetet (rozë apo blu, s’ka rëndësi) kanë ndjekur vetëm interesat e ngushta.
Mediumet e huaja janë përpjekur t’ua hapin sytë shqiptarëve, shpesh e kanë renditur gjirin e Sarandës si njërin prej më të bukurve në botë, por ne të gjithë – nga Prishtina e Tetova në Sarandë - e kemi lejuar këtë kërdi.
Titulli i këtij shkrimi paralajmëronte këshilla për ata që janë shumë lart, pra për politikanët. Titulli është mashtrim i qëllimshëm. Këta s’dëgjojnë këshilla. Këshilla e vetme u drejtohet qytetarëve të Prishtinës, Tetovës, Sarandës: jepni votën tuaj për njerëz të ndershëm. Mos thoni se nuk ka të tillë.
Ka shumë. Por nëse preferoni të rrini në kafene tërë ditën dhe të mos angazhoheni as pesë minuta për të ardhmen tuaj, atëherë ju bëfshin mirë: ajri i “Jugohroomit” të Tetovës, helmi i Obiliqit dhe ujërat e zeza të Sarandës. Jemi një...
[email protected]
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...