Karta e lirisë

19 Janar 2017 - 08:30 - Enver Robelli      

40 vjet pas publikimit të «Charta 77», me të cilën u themelua lëvizja e parë e disidentëve në Evropën Lindore, jo vetëm në Çeki po injorohen vlerat për të cilat luftoi Vaclav Haveli me shokët e tij.

Si mund të prodhoni lajme të dëmshme për vendin tuaj? Para disa javësh disa qytetarë të Çekisë kanë dhënë një shembull shkollor për këtë. Pasi një rrjet i dyqaneve nga Gjermania kishte shpërndarë në Çeki një reklamë me produkte, ku shihej një model i racës së zezë duke prezantuar rroba sportive, në “Facebook” (ku tjetër!) ra një ortek me fyerje.

Nuk duam model zezak, nuk kemi njerëz të tillë këtu, do t'i bojkotojmë dyqanet gjermane për shkak të kësaj reklame. Kështu u kërcënua populli çek i “Facebookut”. Kishte edhe fyerje të tjera më të rënda. Rrjeti gjerman i dyqaneve reagoi në mënyrë profesionale, duke njoftuar se në shekullin 21 nuk do të lëshojë pe ndaj racistëve që mallkojnë njerëz të tjerë vetëm pse kanë ngjyrë tjetër të lëkurës. (Ndoshta edhe në viset shqiptare do të kishte reagime të tilla, nëse një dyqan do të bënte një reklamë të tillë).

Debati mbi racizmin në Çeki u zhvillua në 40-vjetorin e publikimit të «Charta 77», me të cilën u themelua lëvizja e parë e disidentëve në Evropën Lindore. Këto vlera të Kartës së lirisë po injorohen në Çeki, por edhe në vende të tjera të Evropës Lindore, ku në pushtet ndodhen parti konservatore me tendenca ksenofobe dhe raciste. Pas rënies së sistemit komunist, Vaclav Haveli, figura qendrore e «Charta 77», tha se kurrë nuk e kishte ëndërruar se do të vinte dita kur do të thoshte: «Karta nuk na duhet më». Sot Karta e lirisë është sërish e domosdoshme.

Teksti i kontrabanduar në Perëndim

Për shumë disidentë në Evropën Lindore, Haveli me shokët e tij ishte shembull i angazhimit për liri. «Charta 77» u botua më 7 janar 1977 në disa gazeta perëndimore, si «Le Monde», «Frankfurter Allgemeine Zeitung», «Times», «The New York Times». Teksti ishte kontrabanduar në Perëndim në rrethana aventuriere. Një ditë janari dramaturgu Valcav Havel, aktori Pavel Landovsky dhe shkrimtari Ludvik Vaculik u nisën me veturë drejt një kutie postare në qendër të Pragës. Me vete kishin 40 letra me kopjet e Deklaratës së «Charta 77». Duke qenë gati 24 orë nën vëzhgim të agjentëve të sigurimit të shtetit, ata shpejt vërejtën se vetura e tyre po ndiqej nëpër rrugicat e ngushta të Pragës. Pas disa manovrave të rrezikshme të Pavel Landovskyt, nga vetura arriti të kërcente Vaclav Haveli, i cili pastaj ia doli t'i hidhte letrat në kutinë postare.

Po të ishte gjallë Vaclav Haveli, me siguri nuk do të ndihej rehat përballë gjendjes së tanishme të vendit të tij. Nga këndvështirmi i tij racistët e “Facebookut” do të ishin mbase problemi më i vogël. Çekia sot ka një president që mallkon Bashkimin Evropian, që thotë se integrimi i myslimanëve nuk është i mundshëm, që ardhjen e refugjatëve në Evropë e ka quajtur «invadim të organizuar». Milosh Zeman, kështu quhet presidenti çek, ka treguar mirëkuptim për politikën pushtuese të Vladimir Putinit në Ukrainë dhe më shumë se një herë ka tronditur qytetarët me fjalë tepër vulgare. Në prag të Vitit të Ri ai habiti opinionin duke iu uruar qytetarëve çekë «jetë të rrezikshme, një jetë plot me rreziqe dhe luftëra». Zeman mbetet një kundërshtar i rreptë i pavarësisë së Kosovës - dhe këtu nuk dallon shumë nga paraardhësi i tij konservator Vaclav Klaus.

I pari në Kosovë

Në një fjalim të mbajtur ditë më parë, ish-disidenti Petr Pithart u ankua për orientimin e ri të Çekisë në politikën e jashtme. Dikur Haveli dhe miqtë e tij luftuan, u burgosën dhe rrezikuan shumë për idealet e shoqërisë së lirë, për integrimin e vendit të tyre në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Tani, tha Pithart, Çekia po shikon nga Rusia dhe Kina. «Ne, e pranuam apo jo, me hapa të pavërejtur, me hapa gaforreje, po largohemi nga Bashkimi Evropian, nga Evropa dhe nga Perëndimi».

Deklaratën e «Charta 77» e nënshkruan 242 artistë dhe intelektualë, të cilët kërkonin nga pushtetarët komunistë respektimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave civile. Intelektualët e vërtetë të Çekosllovakisë së atëhershme i bënë thirrje çdo individi të angazhohet për liri e demokraci: «Për rrethanat e përgjithshme secili bart pjesën e vet të përgjegjësisë». Ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Jaromir Obzina, i tronditur deklaroi: «Kokat më të mira të opozitës e kanë formuluar në mënyrë aq të rafinuar deklaratën, saqë 90 për qind e njerëzve tanë nuk janë në gjendje të kuptojnë rrezikun e saj». Regjimi reagoi me masa represive dhe me një «kundërkartë», të cilën e nënshkruan 2000 artistë. Disa disidentë ikën në Perëndim, njëri prej tyre vdiq pas marrjes në pyetje nga policia, Haveli përfundoi në burg - 5 vjet. Kështu ai u bë simbol i luftës për demokraci. Dhe presidenti i parë i Çekosllovakisë demokratike (më vonë i Çekisë). Haveli ishte edhe presidenti i parë i një shteti anëtar të NATO-s që vizitoi Kosovën pas çlirimit.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...