Rron Gjinovci si metaforë

25 Shtator 2015 - 08:38 - Halil Matoshi      

Rron Gjinovci është student filozofie dhe aktivist i shoqërisë civile kosovare. Ai shpreh vullnet për dije deri në shkallë revolucioni, kurse shoqërisht angazhohet për paqe. Ai sot është gjetur nën breshërinë e sulmeve virtuale të një mendjeje kriminale, në diskursin e së cilës ka dhënë kontribut të çmuar edhe lëvizja “Vetëvendosje”. Derisa dy aktivistë të lëvizjes “Vetëvendosje” sot janë viktima të terrorit, në Rrugën UÇK, Rron Gjinovci u shenjëzua nga shigjetarët parakë, që nesër ai të jetë viktimë e së njëjtës mendje kriminale. Vetëm tashti “fatva-ja” vjen nga organizata e Albin Kurtit, si dëshmi se janë krejt sikur ata

Rron Gjinovci brenda ditës u shndërrua në metaforë të përplasjeve në shoqërinë kosovare.

Pas “grirjes së mishit të tij për pizaa” nga një pjesëtar që besohet se i takon “batalionit për moral” të lëvizjes VV, edhe kryeministrit iu servuan vezë në sy!

Kësisoj “mishngrënësit” kanë nisur operacionin e koduar “Hamë mish njeriu!”

Selia e lëvizjes “Vetëvendosje” në Prishtinë ndodhet në Rrugën UÇK.

Koincidencë rasti.

Akronimi UÇK, ndonëse rastësi, për lëvizjen “Vetëvendosje” e ka domethënien e lidhjes së tokësores (të përkohshmes) me qielloren (amshimin), sepse legjitimiteti politik në tokë nuk mjafton pa atë lidhjen me “gjakun”, pra me flijimin e kurbanit.

Si në arketipat mitike greke.

Ifigjenia (Iphigeneia) është e bija e Agamemnonit dhe Clytemnestras në mitologjinë greke, që Agamemnoni është i urdhëruar për ta vrarë si një sakrificë e Zotave për të lejuar anijet e tij të lundrojnë në Trojë.

Si në tregimet biblike.

Abrahami zgjodhi të birin Isaac t’ia bënte fli një Zoti në qiell. Dhe i biri i tha ta bënte atë që i ishte urdhëruar, por Zoti përmes një engjëlli ia dha një dash atij që ta flijonte, ngase Zoti e kishte marrë mesazhin e sinqertë se Abrahami pa hezitim do ta flijonte djalin e vetëm.

Storja është e njëjtë edhe në Kur’an.

Abrahami së këndejmi është edhe lidhja mes krishterimit, judaizmit dhe islamit – pra mes tri feve monoteiste – që thjesht cilësohen si abrahamike.

Shikuar në rrafshin modern, miti i sakrificës shndërrohet në dhënie-marrje si kod biblik (jep diçka fort të çmueshme për të marrë diçka edhe më të çmueshme) ndonëse gjuha shqipe e njeh konceptin të përmbysur, vetëm si marrëdhënie (pra merr për të dhënë) në këtë kontekst lëvizja VV po mësyn ta pajtojë mitin me realitetin, të jep (kurbane) për të marrë (pushtetin) , pastaj për t’u dhënë qytetarëve parajsën në tokë, gjë që konsiston me mitin komunist.

Aktivistët e kësaj lëvizjeje sa herë që e shohin akronimin UÇK (emri i rrugës ku gjendet selia e tyre) duhet t’ua përkujtojë mbështetjen që ia kanë dhënë gueriljes pas luftës, duke zmadhuar deri në përmasat e “njeringrënësve” disa nga figurat e luftës.

“Njeringrënësit” janë figura mitike, edhe në mitologjinë shqiptare si diva e kuçedra.

Sapo erdhën në pushtet eksponentë të PDK-së (SHIK-ut), duke pasur për bazë kritikën time kundrejt Qeverisë, pos kërcënimeve që për ta ishin rutinë e rëndomtë, profilin tim me pak fjalë e tipizonin kështu: “Ky me pas fuqi mish insani kish hangër” dhe qe, më në fund, historia (pesëmbëdhjetëvjeçare) dëshmoi se kush, megjithatë, ha mish insani në këtë vend të rrudhur nga krimi, kush zhvati e vodhi, kush vrau e kërcënoi, kush po ia nduk mishtë atdheut!?

Cila shtresë u bë e paprekshme dhe mbi ligjin në Kosovë?

Unë apo ata dhe bijtë e tyre?

Thënë në një mënyrë më cinike, bijtë e Abrahamëve modernë, të cilët, si Isaac janë të falur nga Zoti, sepse vendimi i baballarëve të tyre për sakrificë ishte i padyshimtë, kurse falja e tyre u bë nga Zoti, që ata të jetojnë pa asnjë lloj kufizimi (ligjet nuk vlejnë për ta), sepse etërit e tyre e kanë bërë atë lidhjen mes tokësores dhe hyjnores “me gjak”.

Edhe pjesëtarët e lëvizjes VV sapo e panë se “përmes gjakut” legjitimohet intenca e tyre për pushtetin në tokë, nisën t’i numërojnë dhe kujtojnë me pietet kurbanet nga radhët e tyre. Dhe sapo e vërejtën se si fitohet ky legjitimim, nisën t’i hidhnin shtizat e tyre parake drejt të shenjëzuarve (në këtë rast Rronit) duke e shndërruar atë , ndër të parët, në metaforë të “mishit të grirë për pizza”.

Pas bijve të Adem Grabovcit u shfaqën bijtë e Sabit Gecit (njërit nga komandantët e UÇK-së të dënuar për krime lufte).

Dhe pas bijve të këtij do të shfaqen bijtë tjerë të “njeringrënësve” tjerë…

Sot kur VV-ja vetë është viktimë direkte e kësaj mendësie agresive, në vend se kjo t’u shërbejë për këndellje dhe ndërrim kursi e diskursi, aktivistë të VV-së “duan të hanë mish njeriu” – duan të bëjnë pica nga mishi i Rron Gjinovcit!?

A ka ndonjë njeri normal në këtë vend që sheh ndonjë dallim!?

Gjuha, ajo shpreh folësin para se atë që i adresohet – pra ata shajnë dhe mësyjnë tjetrin – kur argumentet janë tek tjetri, tek pala tjetër.

Diskursi agresiv del në pah, kur palët nuk kanë alternativë më të mirë se kundërshtari për çfarëdo qoftë.

Së këndejmi, diskursi denoncues dhe agresiv flet më parë për tipa agresivë ose me të shkuar të dhunshme sesa për politikanë modernë, që duan të ndërtojnë shtetin e së drejtës, që duan perëndimorizimin dhe modernizimin e shoqërisë kosovare.

Me gjuhën, sidomos në raport me masat, duhet pasur shumë kujdes, sepse gjuha e kontaminuar helmon disa breza – siç thoshte shkrimtari hebraik Amos Oz - ajo është më e rrezikshme sesa bomba bërthamore.

Në këtë shfryrje te të gjithëve kundër të gjithëve “Metafora Rron” është bërë leva e qytetarit në mbrojtje nga ky diskurs, se “janë të gjithë njësoj.”

Rroni paskësh thënë për dy viktimat e VV-së se më në fund paskëshin rënë në tipa qysh janë edhe vetë.

Njerëzngrënës tipikë, të cilët zgjedhin dhe zgjidhen në një demokraci përfaqësuese.

Dhe natyrisht, nga rruga ky llum derdhet në Kuvendin e Kosovës.

Përderisa veprime të tilla performative, madje edhe të dhunshme, ndodhin gjithandej në jetën parlamentare të vendeve gjysmëdespotike, a e ka menduar ndokush përse nuk mund të ndodhin këso skenash në Kongresin e ShBA-së, në Parlamentin britanik ose në Bundestagun gjerman?

Për arsyen e thjeshtë se e vetmja mënyrë për të ardhur në pushtet mbetet legjitimimi përmes votës së lirë e jo përmes gjakut.

Dhe ky rregull është i pakthyeshëm.

Opozita kosovare shqetësimin e shumë kosovarëve rreth Asociacionit po përpiqet që ta shndërrojë në kauzë popullore për të cilën ia vlejtka përplasja – mirëpo mjetet e tyre janë populiste – VV-ja po thërret qytetarët që ta rrethojnë Kuvendin për ta përmbysur Qeverinë, kinse në emër të mbrojtjes së Republikës, të cilën e ka luftuar që në inicial, që nga Pakoja Ahtisaari që ia parashihte Kosovës pavarësinë kombëtare në këmbim të të drejtave dhe garancive shtesë për serbët kosovarë; ka kërkuar në vazhdimësi shpërbërje të Republikës në favor të një shteti unik shqiptar; ia ka mohuar e përbuzur rendin simbolik...

Duke qenë se opozita nuk ka dhënë asnjë alternativë se çfarë duhej bërë me serbët kosovarë dhe me veriun e vendit – të vetmen gjë që e ka bërë VV-ja kundrejt serbëve ka qenë rreshtimi me Qeverinë rreth aksionit të dështuar policor në veri – duke dhënë sinjale të këqija sy botës se si do ta rregullonte çështjen e pakicave kjo organizatë.

Sepse ideja themeltare (ish-kryetari Kurti e ka theksuar dhjetëra herë idenë e revolucionit) e kësaj organizate politike ishte dhe mbeti përmbysja e dhunshme, e jo korrektimi, emancipimi i pushtetit dhe zhvillimi i demokracisë shumetnike.

Me veprime të tilla performative, duke heqë rrethojat ose duke gjuajtur me vezë një kryeministër, nuk rrëzohet Qeveria, madje ajo vetëm sa fiton legjitimitet të ri edhe në rrethanat kur e ka shpenzuar atë, ajo bie duke dhënë alternativa më të mira zhvillimore për Republikën dhe natyrisht nëse opozita ia del ta bindë publikun se idetë e saj i garantojnë qytetarit paqe dhe prosperitet e jo luftëra të reja e fatkeqësi për të cilat në radhët opozitare po flitet me lehtësi të padurueshme!

Qytetari kosovar së këndejmi po dëmtohet përditë duke i konfuzionuar të dyja blloqet.

Qeveria ngase nuk di ta plasojë “të vërtetën” e vet edhe kur ajo është e favorshme për Republikën, e opozita nuk po di të thotë nëse me diskursin dhe veprimet e veta po e konfliktuon Republikën me partnerët e saj strategjikë (sponsorët e lirisë dhe pavarësisë së saj) dhe me fqinjët ose po e zhvillon një betejë për një Republikë të tretë (siç kishte dëshirë ta cilësonte Albin Kurti), gjë që do të kërkonte tjetër kurs dhe diskurs politik?

Luftë kundër korrupsionit, drejtësi për të gjithë dhe mirëqenie.

Me diskurs istikamesh dhe veprime të dhunshme, opozita vetëm sa po e forcon Qeverinë (ajo thjesht mësynë kokën e Isa Mustafës, por jo më edhe ndryshimin e sistemit, sepse Kadri Veselit më në fund opozitarja Donika Kada-Bujupi i tha në sy: “Nuk kemi asgjë me ty, por me Isa Mustafën”, duke e yshtur në aleancë kundër kryeministrit, i cili është shndërruar në metaforë për “të keqen universale” ose sinonim për të gjitha të këqijat që po i ndodhin Kosovës!?

Kjo Qeveri nuk rrëzohet sepse po do opozita – ajo bie vetëm nëse do PDK-ja - përkatësisht Thaçi dhe Veseli, të cilët duan komprometimin e Isa Mustafës, por jo ende prishjen e koalicionit, sepse kanë ende synime të parealizuara që shkojnë deri tek njohja e së drejtës atyre për posedim të atdheut.

Varet nga kalkulimet e tyre, por jo nga kurbanet e VV-së.

Simbolikisht ky synim posedues i grupit (ish-gueriljes së veshur me smoking) ndaj rendit simbolik dhe i “forcës legjitime” u pa në një dasmë të një veterani të UÇK-së, të shpallur zyrtarisht për të tillë, sepse “i ka këndu luftës”!?

Fakti se një pjesëtar i Gardës së nderit të FSK-së – u gjet i uniformuar në shërbime familjare -.dëshmon karakterin e grupit.

Dhe fuqi në “të drejtën” për t’u sjellë zot i tokës dhe qiellit të kësaj Republike, këtij grupi i ka dhënë edhe (ndoshta më së shumti!?) lëvizja “Vetëvendosje”.

E tash mësyn ta rrënojë pushtetin e grupit, jo pse vërtet i dhemb Asociacioni, porse në pushtet së pari nuk e do Mustafën dhe, së dyti, pushtetin e do për vete!

Lejohet të paragjykohet në këso rastesh si ky i Kosovës: VV-ja do të nënshkruante pa asnjë fije dyshimi të gjitha marrëveshjet me Serbinë, po të ishte vetë në pushtet.

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...