10 Qershor 2014 - 17:22 - Veton Surroi
1.
Verdikti i zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014 mund të jetë i interpretueshëm edhe kështu: Partia Demokratike e Kosovës, me 30 për qind të votave të fituara bashkë me koalicionin e saj, përfaqëson pakicën në Kosovë. Gjithsesi një pakicë të respektueshme, një grup i organizuar dhe konsistent votuesish, që sillet në rrethinën e 200 mijë njerëzish dhe që, ndoshta duke ia parë hairin personalisht apo familjarisht kësaj forme qeverisjeje e shpërblyen me votë.
Në shumicë jemi të gjithë ne të tjerët, që nuk ia pamë hairin, as personalisht, as familjarisht as kolektivisht kësaj qeverie, prandaj nuk votuam për të.
Konstatimi i parë është i nevojshëm, sepse, në euforinë e fishekzjarrëve dhe çjerrjes së militantëve të PDK-së, të tejsimbolizuar me traktorin fitimtar të tyre në sheshin “Ibrahim Rugova”, fitohet përshtypja se Partia Demokratike e Kosovës e përfaqëson vullnetin e shumicës së qytetarëve të Kosovës. Në fakt, nuk mund të ishte më larg nga e vërteta, sepse shumica e qytetarëve të Kosovës as i gëzojnë tenderët njëburimorë të Qeverisë Thaçi, as kanë dajë e nipër të punësuar në atë qeveri – shumica nuk janë fare në punë.
Shumica e Kosovës nuk përfaqësohet nga 200 e sa mijë votuesit e PDK-së. Dhe, nëse nuk përfaqësohet (në tërësi), atëherë, do të ishte krejtësisht jashtë logjikës që vullneti i shumicës së qytetarëve të Kosovës t’i nënshtrohet vullnetit të pakicës. Kësaj, në asnjë variant nuk i thonë demokraci.
2.
Dallimi thelbësor, vija ndarëse mes votuesve të pakicës (PDK) dhe shumicës (bllokut opozitar: LDK, VV, AAK dhe Nisma) është shteti. PDK-ja ka përfaqësuar, në shtatë vitet e qeverisjes (e në formën e vet të strukturave paralele, përfshirë edhe SHIK-un edhe më herët) konceptin e zaptimit (kapjes) së shtetit, dhe kontrollit të tij jashtë normave të demokracisë. Kjo parti ka krijuar, në konceptin e vet, një kulturë klientilizmi, i cili çdoherë shpërblen me favore punësimi apo paraje tenderi militantët, andaj nuk është për habi që kjo parti të llogarisë gjithnjë në numër të njëjtë votuesish të mobilizuar (kjo nuk është ndonjë zgjidhje origjinale; rasti më i afërt i ngjashëm është ai i kryeministrit popullist maqedonas Gruevski).
Gjatë fushatës zgjedhore, por edhe në aktivitetet e mëhershme, partitë e bllokut opozitar janë deklaruar shprehimisht kundër kapjes së shtetit. LDK-ja, Vetëvendosja, AAK-ja dhe Nisma – që të gjitha veç e veç kanë vënë në spikamë keqbërjen e pushtetit të PDK-së, kontrollin jodemokratik të Parlamentit, gjyqësisë, rrjedhave ekonomike, privatizimit, punësimit…
Më 8 qershor, votuesi i PDK-së e shpërbleu suksesin e kësaj partie në zaptimin e shtetit, dhe në krijimin e favoreve personale e familjare (që në varfërinë e skajshme të Kosovës kanë domethënie ekzistenciale për pothuajse gjysmën e popullatës së vendit).
Më 8 qershor, votuesi i LDK-së, VV-së, AAK-së dhe Nismës ua dha votën këtyre subjekteve për premtimin që do ta çlirojnë shtetin prej zaptimit, prej kapjes së shtetit.
Në ditën e zgjedhjeve, gati 30 për qind e votuesve e shpërbleu PDK-në dhe koalicionin e saj për kapje të shtetit.
Në ditën e zgjedhjeve 54 për qind të votuesve shpërblyen premtimin e LDK-së, VV-së, AAK-së dhe Nismës se do të angazhohen për çlirimin e shtetit nga zaptuesit.
3.
Katër partitë politike nga blloku opozitar që përbëjnë shumicën e elektoratit kosovar, të atij që është për çlirim të shtetit nga zaptimi duhet të marrë përgjegjësinë për votën e marrë.
Ato, jo se jo, nuk janë të autorizuara nga votuesit e tyre, që të hyjnë në negociata me PDK-në (pse e kërkuan votën antizaptim atëherë?), por nuk duhet të hezitojnë nga zhvillimi i bisedimeve për formimin e qeverisjes (dhe qeverisë së ardhshme).
Hezitimi, në dukje normal, që partia e cila ka fituar më së shumti vota, të jetë e legjitimuar për të filluar bisedimet për koalicione, nuk ka të bëjë fare me normativën kushtetuese. Kushtetuta e Kosovës jo që nuk e pengon, por përkundrazi i jep të drejtë bllokut antizaptues, që të krijojë koalicionin qeverisës për këtë mandat.
Kushtetuta thotë se Presidenti/Presidentja “cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit”.
Në Kuvendin e Kosovës, po të mbeteshin këto rezultate të certifikuara , Koalicioni kundër kapjes së shtetit, prej katër partive opozitare, do të kishte mbi 60 deputetë, e kur këtyre t’u shtoheshin edhe votat e pakicave kombëtare që domosdoshmërisht do të hynin në qeverisje, nuk ka kurrfarë dileme për komoditetin e numrave të kësaj shumice.
Presidentja nuk do të kishte kurrfarë pengese ligjore, apo politike, për të caktuar mandatarin, në bazë të propozimit të këtij koalicioni (Kushtetuta nuk përcakton se a bëhet fjalë për koalicion para apo post-zgjedhor, që të dy formatet janë të barasvlershme).
4.
T’i rikapitulojmë elementet e deritanishme.
Ekziston një shumicë e votuesve në Kosovë që kërkojnë çlirim të shtetit nga zaptuesit.
Kjo shumicë është e përfaqësuar me 54 për qind të votave.
Partitë që i kanë marrë këto vota kanë legjitimitetin demokratik dhe kushtetues që të formojnë Qeverinë e ardhshme të këtij vendi.
Të tria këto konstatime, të një vullneti të shumicës votuese, të përfaqësuar me legjitimitet në një shumicë parlamentare në Kosovë, janë të rëndësishme për periudhën e ardhshme.
Kosova do të ketë nevojë për një qeverisje me shumicë solide parlamentare , si në zhbërjen e strukturave paralele shqiptare e serbe ashtu edhe në implementimin e obligimeve ndërkombëtare (Gjykata Marty, negociatat me Serbinë).
Shumicën solide mund t’ia ofrojë vetëm një koalicion i natyrshëm e parimor dhe nuk mund të ketë koalicion as të natyrshëm e as parimor me Partinë Demokratike të Kosovës, e cila është përgjegjëse për degradimin substancial të shtetit.
5.
A mund të jetë i natyrshëm dhe parimor një koalicion i bllokut të tanishëm opozitar, i bazuar vetëm në një ide përgjithësuese, çfarë është çlirimi i shtetit nga kapja?
Do të thotë, a mund të mbahet natyrshëm një koalicion që është, thënë në thjeshtësi brutale, anti-PDK?
Nëse hyjmë pak më thellë tek partitë që e përbëjnë opozitën dhe nëse në këtë moment e lëmë anash Nismën, e cila nuk ka pasur kohë të mjaftueshme profilizuese, atëherë do të shohim se që të tria (LDK, LVV dhe AAK) bashkohen tek parimet bazike të një shteti funksional evropian. Dhe, çdonjëra në formën e vet angazhohen me profilin e tyre ideologjik. LDK-së, që tashmë e ka të vulosur profilin e saj si pjesë e familjes së Partisë popullore evropiane, i bashkëngjitet në orientime, duke synuar pozicionin vakant të Qendrës liberale AAK . E këtyre dyjave, brenda përcaktimeve të familjeve evropiane është Vetëvendosja, si pjesë e Socialdemokracisë.
Koalicioni i cili do të dilte prej këtyre subjekteve (bashkëngjitur dhe Nismën) në fakt do të ishte një koalicion i natyrshëm pro-evropian. Dhe fjala pro-evropian do të ishte krejtësisht e dallueshme, një vijë e qartë ndarëse, me profilin mesjetar, të despotizmit oriental, të Partisë Demokratike të Kosovës (për më shumë, kam dhënë shpjegime në librin e porsabotuar “Këmbët e Gjarprit”, botimet KOHA, 2014).
Rrjedha e natyrshme, pastaj, çon që ky koalicion të quhet evropian. Një koalicion evropian për çlirimin e shtetit nga kapja.
6.
Nëse emri e determinon mandatin, pra nëse themelohet, natyrshëm, një koalicion evropian për çlirimin e shtetit nga zaptimi që i bën PDK, atëherë vetvetiu kemi bazat e programit qeverisës.
Qartë, duhet pavarësuar institucionet e sundimit të ligjit, agjencitë e pavarura , mediumet.
Qartë, duhet krijuar vendimmarrje demokratike në Parlament.
Qartë, duhet ndalur rrjedhën e lirë të korrupsionit që është në hierarkinë institucionale.
Por, pastaj, çdonjëra prej partive të këtij Koalicioni të natyrshëm ka pasur rekomandime (edhe në programet e veta të shkruara) për mënyrën se si të tejkalohet stagnimi i vendit në ekonomi, arsim, shëndetësi, hapje të vendeve të punës.
Kjo do të ishte pjesa posttraumatike e qeverisjes së re: pra, si të merret me traumat e rënda që i ka lënë si pasojë qeverisja degraduese e PDK-së në shtatë vitet e kaluara.
Dhe, duket çudi, por në programet zgjedhore (me përjashtim të pozicioneve të qarta ideologjike siç është tatimi progresiv) të tria partitë kanë pika të përbashkëta në atë që do të duhej të ishte trajtimi themelor posttraumativ i kësaj shoqërie.
Dhe, kështu kemi tri elemente të qeverisjes së ardhshme të shumicës: Koalicion proevropian, kundër zaptimit të shtetit, me mandat që të merret me sanimin e traumave të keqqeverisjes.
7.
Në traditën e personalizimit të politikës, pyetja e natyrshme e cila shtrohet gjithherë është, e kush do të jetë kryeministër?
Kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjen vetëm pjesëmarrësit e ndërtimit të koalicionit. Dhe kjo është pyetje e vështirë sa edhe pyetjet e tjera (kush bëhet kryetar kuvendi, si ndahen ministritë, etj.).
Por, edhe kjo pyetje, sado e vështirë, zgjidhet kur të vendosen parimet e qeverisjes.
E parimet mund të vendosen në vija të trasha. Pra, që të formohet një qeverisje, e cila e kthen vendin në një gjendje funksionalizimi të institucioneve të shtetit. Që të marrë iniciativa për ta nisur një cikël zhvillimi ekonomik e krijimi vendesh të punës. Që të bëjë reformat e nevojshme juridike, për zgjedhje, përfshirë edhe ato presidenciale. Që të marrë obligimet ndërkombëtare (Gjykatën Marty, bisedimet me Serbinë) me objektiva të qarta: normalizimi i gjendjes në Kosovë, normalizimi i marrëdhënieve me BE-në, normalizimi i marrëdhënieve me OKB-në, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë.
Çdo gjë rreth ndërtimit të koalicionit është problem, bile shumë herë mund të duket edhe problem i madh. Por asnjë problem, cilido, nuk i afrohet për nga madhësia, atij që krijon mundësia që dyqind mijë votuesit e Partisë Demokratike të Kosovës të imponojnë vullnetin e tyre ndaj shumicës së qytetarëve të Kosovës.
© KOHA DITORE
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...