8 Maj 2016 - 08:00 - Agron Bajrami
Është bërë rregull tashmë që frustrimi i skajshëm i shoqërisë me kastën qeverisëse të interpretohet si nevojë (apo kërkesë e heshtur qytetare) për lansim të ofertave të reja politike. Çdo sezon parazgjedhor – që në Kosovë zgjat pothuaj gjithë kohën mes dy palë zgjedhjeve – debatet politike vazhdimisht përfshijnë atë rreth të nevojës (emergjente) për krijimin e një force të re politike, e cila do të mund ta shpëtonte vendin nga kthetrat e partive të etabluara, të cilat – siç e pati thënë një ish-ambasador i një vendi mik e evropian në Prishtinë – shtetin e shohin “vetëm si një lopë që duhet mjelë”. Kështu, të pakënaqurit me qeverisjen, por edhe ata që opozitën e tanishme nuk e shohin si alternativë kredibile, shpresojnë në shfaqjen e një force të re që do të jetë e aftë dhe në gjendje për ta ndryshuar plotësisht sistemin skajshmërisht të korruptuar politik dhe për t’ua kthyer qytetarëve së paku shpresën se Kosova nuk është e thënë se gjithherë do të sundohet nga keqpërdoruesit dhe injorantët, të cilët përmes mekanizmave partiakë i kanë zaptuar institucionet e shtetit dhe gjithë shoqërisë.
Por, një pritje e tillë vazhdimisht është treguar paksa utopike, duke marrë parasysh se forcat dhe individët që e kanë ngritur dhe e kontrollojnë sistemin politik, institucional dhe shoqëror të vendit kanë gjeneruar pushtet dhe fuqi marramendëse financiare, me të cilat gjithmonë sigurojnë mbijetesën e sistemit klientelist që kanë krijuar. Madje edhe në rastet kur ndonjë shkëndijë e ndryshimit pozitiv politik ka shkrepur, sistemi shumë shpejt ka reaguar për të parandaluar çdo mundësi të përmbysjes së rendit ekzistues, i cili vetëm formalisht është demokratik.
Sigurisht, mbetja në pushtet e një sistemi thellësisht të korruptuar dhe në segmente të caktuara edhe të kriminalizuar nuk ka qenë e mundur pa pjesëmarrjen e një pjese të vet shoqërisë kosovare, posaçërisht të shumicës së shtresës intelektuale, e cila në shkëmbim për beneficione materiale i është nënshtruar politikës deri në servilizëm. Shembulli më i dukshëm (por jo edhe i vetmi) është Universiteti i Prishtinës, i cili gati vullnetarisht u dorëzua para politikës me mentalitet të pazarit, ku eksponentë të shumtë të kësaj çerdheje të “shkencës dhe dijes” kaluan me padurim në radhët e partive për t’u komanduar nga liderë me nivel të dyshimtë të arsimimit.
Këtu, mbase, edhe është zanafilla e asaj që sot duket dorëzimi i gjithë shoqërisë, për vite me radhë, para partive dhe politikës – dikush nga interesi personal, dikush tjetër nga frika, e dikush i treti nga zhgënjimi – por dorëzim sidoqoftë.
E dorëzuar dhe e shitur, jo rrallë, ka dalë të jetë edhe një pjesë dërmuese e shoqërisë civile (dhe medias e gazetarëve), që kritikat e veta antiqeveritare i kanë heshtur në shkëmbim për një post qeveritar, emërim diplomatik, pozitë prej këshilltari apo thjesht punësim a projekt fitimprurës. Të tillët nuk mund të sjellin ndryshimin – ata thjesht punojnë për interesin dhe përfitimin e vet. Janë përfitues që eksploatuan (dhe vazhdojnë të eksploatojnë) shpresën naive të popullatës për ndryshim!
Njëjtë bënë edhe ata që në emër të kritikës së pushtetit u akomoduan nëpër parti opozitare, për të cilat ndryshimi i vetëm i dëshiruar është ai që ua sjell një copë pushtet.
Sigurisht, nuk kanë munguar gjatë viteve edhe ca idealistë, që janë përpjekur për ndryshim (e në momente mbase edhe e kanë sjellë një dozë ndryshimi apo shprese e besimi në të), por, deri më tani, sistemi gjithnjë në fund ka dalë fitimtar, e idealistët e lartpërmendur përfunduan kryesisht si viktima kolaterale.
Pa përgjegjësi për këtë situatë (për shumë kë të pashpresë) nuk është as prezenca ndërkombëtare, si faktori kryesor i jashtëm, prej të cilit kosovarët tash e 17 vjet e kanë pritur presionin vendimtar për ndryshime që do të duhej të sillnin një transformim të vendit në demokraci funksionale ku sundon ligji – presion ky që kurrë nuk erdhi në formën e plotë, të duhur e të prerë, kryesisht fal përcaktimit të diplomacisë ndërkombëtare që për projekte afatshkurtra politike dhe stabilitet e siguri provizore të sakrifikojë idenë e ndërtimit të demokracisë së vërtetë në Kosovë. Prej UNMIK-ut e KFOR-it, e deri tek EULEX-i, misionet ndërkombëtare që ishin menduar të përkrahin transformimin e Kosovës në një demokraci funksionale kanë dështuar, duke u shndërruar në aleatë të forcave dhe fenomeneve që supozohej se duhej zhbërë.
Dhe sot, sërish, pas krizës gati dyvjeçare, kur politikanët që sundojnë vendin tashmë kanë nisur të përgatiten për zgjedhjet e radhës dhe ruajtjen e sistemit që kanë krijuar, është rindezur debati për krijimin e një iniciative të re, që njerëzve do të duhej dhënë shpresë se ndryshimi është i mundur.
* * *
Sigurisht, ashtu si është përshkruar Kosova në rreshtat e mësipërm, përgjigjja e vetme e mundshme del të jetë se ndryshimi nuk mund të ndodhë; sistemi i korruptuar është tepër i fuqishëm, që të mund të transformohet nga një forcë e re, pa resurse dhe strukturë të organizuar, sado kredibile të jetë ajo. Sidomos nëse ajo forcë është e re vetëm me emër – ndërsa brenda saj janë njerëz të eksploatuar të sistemit.
Por, përkundër këtij përshkrimi – i cili sigurisht se qëndron – situata nuk është e thënë të jetë e pashpresë, nëse shoqëria kosovare gjen fuqinë dhe resurset, jo për të krijuar edhe një parti politike që do të garojë në zgjedhje për t’u gëlltitur nga sistemi, por për të krijuar më shumë njerëz të rinj, të cilët do ta sfidojnë sistemin nga jashtë.
Kosova ka nevojë për një sistem të ri vlerash dhe aktivizëm për promovimin e tyre. Në vend të krijimit të një partie që do të hyjë në vallen e gënjeshtrave zgjedhore, Kosovës më shumë do t’i sillte ndryshime një organizim i fuqishëm dhe vërtet i pavarur sindikal, që do t’i ekspozonte gënjeshtrat e politikës 24 orë në ditë. Në vend të aderimit në parti politike, ata që mendojnë se duan t’i ndihmojnë vendit le të angazhohen në ekspozimin e korrupsionit, keqpërdorimit, paaftësisë, hajnisë, arrogancës së pushtetit dhe injorancës së atyre që veten e quajnë liderë.
Juristi që thotë se e do këtë vend, sot duhet t’i gjykojë ata që e vjedhin shtetin, e jo t’u bëhet avokat. Mjeku që thotë se e do këtë vend, duhet t’i denoncojë kolegët e tij që e katandisën shëndetësinë dhe i tradhtuan pacientët për një grusht parash – e jo t’i mbrojë ata. Mësimdhënësi që thotë se e do këtë vend, sot duhet të protestojë kundër politizimit të shkollave dhe universiteteve dhe t’u shërbejë nxënësve të tij, jo drejtorëve, dekanëve dhe rektorëve politikë. Biznesmeni që thotë se e do vendin e vet, duhet t’i paguajë taksat dhe të luftojë për shtetin e fortë, jo t’u bashkohet atyre që e vjedhin dhe shkatërrojnë. Dhe po – gazetari që thotë se e do këtë vend, duhet të raportojë, me standardin më të lartë profesional dhe etik, krimin dhe korrupsionin prej kujtdo qoftë, e jo t’i bëhet zëdhënës politikës dhe pushtetit, duke e promovuar ditë e natë.
Në vend të nënshtrimit ndaj të paarsimuarve të paedukatë që e kanë zaptuar sistemin, Kosova ka nevojë t’ua kthejë shpinën atyre. Dhe kjo nuk mund të bëhet duke u futur në lojën e tyre me rregullat e tyre. Kjo bëhet duke ua përkujtuar atyre dhe gjithë shoqërisë, për çdo ditë, se kush janë ata, në të vërtetë: problem kyç i vendit!
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...