14 Shkurt 2016 - 08:02 - Valbona Mehmeti
Viti 1972. Vogëlushë të veshur njësoj, të kapur dorë për dore sillen në rreth në oborrin e një çerdheje, në kryeqytetin e Shqipërisë komuniste. Në mes të rrethit rri edukatorja e veshur me mantel të bardhë, si uniformë pune. Veç kujdesit fizik, edukimit dhe argëtimit të fëmijëve, ajo duhet të zbatojë edhe një detyrë të “shenjtë” të Partisë. T’ua shpërlajë trurin 4 – 5-vjeçarëve. Duke ua paraqitur atdheun ashtu siç në realitet nuk është. Plot begati e lumturi.
Cili është vendi më i lumtur në botë? - i pyet ajo. Shqipëriaaa, i përgjigjen ata. Ku ka lodra më së shumti në botë? - vazhdon pyetjet edukatorja. Shqipëriaaaa, përgjigjen në kor vocërrakët. Ku ka më së shumti çokollata në botë? - është pyetja tjetër e edukatores. Në Shqipëriiiiii - thërrasin vogëlushët. Papritmas një vogëlushe ia plas vajit. Pse qan? - e pyet edukatorja. Dua të shkoj në Shqipëri - përgjigjet ajo gjithë vaj.
***
Vitet 2008-2015. Dy gjëra të përbashkëta kanë pushtetarët e Kosovës me edukatorët e barsoletës që shpërfaq një realitet të Shqipërisë diktatoriale. Veshjen uniforme dhe detyrën e shpëlarjes së trurit. Por përderisa edukatorëve ua impononte regjimi, pushtetarët tanë e zbatojnë me vetëdëshirë, si veshjen ashtu edhe shpëlarjen e trurit të qytetarëve. Sepse u shkon për shtat.
Ata vishen njësoj me rroba të shtrenjta. Në këmisha qëndisin inicialet e tyre. Ngasin vetura të shtrenjta. Hanë e pinë në restorante luksoze, thuajse udhëheqin një shtet diku në shkretëtirat arabe të pasura me naftë.
Në udhëtime zyrtare kujdesen të kenë afër fotografë profesionistë që t’i nxjerrin fotot në rrjetet sociale ku shihen ata të pispillosur duke “lexuar”në ndonjë bibliotekë me renome apo nëpër aeroporte. Përpjekje të bukura këto për të maskuar prapambetjen intelektuale dhe mungesën e pedigresë.
Dhe më e rëndësishmja nga këto: nuk e heqin nga goja fjalën Republikë. Kjo për t’ua ngulitur në kokë qytetarëve se po jetojnë në Republikën e lirë që ua kanë “themeluar” ata dhe se duhet të jenë të lumtur që ua kanë “mundësuar” ta prekin ëndrrën shekullore të Pavarësisë.
Kosova u bë e pavarur, por mbeti shtet i pakryer. As që pritet të kryhet me pushtetarë që këndojnë këngën e njëjtë gjatë gjithë këtyre viteve: premtime, rrena, hajni dhe mashtrime. Sepse me to kanë ardhur në pushtet dhe me to vazhdojnë ta mbajnë pushtetin. Ata e proklamojnë Kosovën e ngushtuar në botën e tyre. Ngase në atë botë gjithçka shkon mirë. Dhe vazhdojnë t’ia shpëlajnë trurin popullit: brenda muajsh do të kemi liberalizim vizash, po e forcojmë sundimin e ligjit, po e luftojmë korrupsionin, ekstremizmin, kemi rritje enorme ekonomike, do të hapen qindra e mijëra vende punësimi, do të ketë investime të jashtme, po angazhohemi për avancimin e arsimit e të shëndetësisë, Kosova do të bëhet me ushtri, do të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare. Sipas tyre, Kosova është thjesht një storie suksesi me ca ngecje të vogla dhe normale për një shtet të ri. Por realiteti është krejt i kundërt me proklamimet e tyre.
Kosova vazhdon të mbetet vendi më i izoluar në Evropë. Ligji nuk zbatohet njësoj për të gjithë. Nga moszbatimi i barabartë i tij përfitojnë pushtetarët, të afërmit e miqtë e tyre. Shkalla e korrupsionit është më e larta në rajon. Kosova mbetet lart në listë për nga numri i qytetarëve të vet pjesëmarrës në organizata të ekstremizmit islam, rritja ekonomike mezi mbërrin 3 për qind, papunësia vazhdon të mbetet mbi 40 për qind, investitorët e jashtëm po shprehin interesim, por po ikin shpejt, sepse nuk ndihen të sigurt për shkak të korrupsionit dhe efikasitetit të dobët të gjyqësorit. Sistemi arsimor vazhdon të prodhojë kuadro të papërgatitura për tregun e punës, kurse sistemi shëndetësor vazhdon të bëjë biznes me jetën e qytetarit. Kosova ende nuk ka ushtri, dështoi të anëtarësohej në UNESCO, ndërsa OKB-në mundet vetëm ta ëndërrojë. Dhe në gjithë këta vjet dialogoi pa kushte me shtetin që i ka borxh shumë vuajtje e jetë njerëzish.
***
Viti 2016. Qytetarët e Kosovës ngjajnë në vogëlushët e kopshteve socialiste. Ka tetë vjet që dëgjojnë rrenat e njëjta të politikanëve për begatinë dhe lumturinë e Republikës. Për dallim nga fëmijët e komunizmit, ata janë të vetëdijshëm për rrenat që dëgjojnë, por aq është topitur tek ta ndjenja e aktivizimit sa që po presin ndonjë mrekulli t’i nxjerrë nga realiteti i egër.
Aktualisht janë të ndarë në dysh: në përkrahës të kauzës së opozitës (por jo edhe të veprimeve të saj të dhunshme) dhe në përkrahës të pozitës. Që të dyja grupet proklamojnë mbrojtjen e Republikës. Opozita duke kundërshtuar forcimin e ndikimit të Serbisë në Kosovë, dhe pozita duke refuzuar të heqë dorë nga marrëveshjet të cilat shkelin rendin kushtetues të Republikës. Akuza, përgënjeshtrime, etiketime, sharje, fyerje e edhe kërcënime lansohen nga të dyja palët në media dhe në rrjetet sociale. Shtyhen kush po e do më shumë Republikën. Sikur me të vërtetë ta donin Kosovën më shumë se pushtetin, nuk do ta sillnin në krizën më të madhe politike të pas pavarësisë, por do të uleshin të bisedonin dhe të gjenin zgjidhjen. Të tregojnë se janë të përgjegjshëm dhe të kthejnë besimin e qytetarëve se ky shtet me të vërtetë është i pavarur dhe mund të qeveriset edhe pa mbikëqyrjen dhe intervenimin e ndërkombëtarëve.
Por, tani antagonizmat mes pozitës dhe opozitës janë thelluar aq shumë sa 17 Shkurti, Dita e shpalljes së Pavarësisë, për një pjesë të qytetarëve do të jetë festë, për pjesën tjetër protestë.
Qytetarët nuk duhet të përjashtohen nga fajësia në këtë situatë. Dashuria për atdheun nuk shprehet vetëm me reagime në Facebook, e me vendosje simbolesh shtetërore në foto profili.
Sikur të tregoheshin më largpamës, nuk do të binin në grackën e lojërave të ndyta të kësaj klase politike, por do të reagonin me votë dhe me rebelim qytetar ndaj të gjitha padrejtësive e hajnive në kurriz të tyre jo vetëm gjatë këtyre tetë vjetëve të pavarësisë, por që nga përfundimi i luftës.
Gjersa nuk do të aktivizohen për të ndryshuar këtë gjendje, qytetarëve u mbetet vetëm të ëndërrojnë “të shkojnë” në Kosovën e pushtetarëve, me plot çokollata.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...