Dikush meriton Karton të Kuq shkaku i Kartonit të Gjelbër

24 Maj 2014 - 08:20 - Adriatik Kelmendi      

“NËN UDHËHEQJEN e zëvendëskryeministres së Kosovës, Edita Tahiri, nesër në Bruksel do të mbahen takime me Bashkimin Evropian për çështjen e sigurimeve të automjeteve. ...

(G)jatë kësaj dite, delegacioni i Kosovës do të ketë takime me përfaqësuesit e Byrosë së Kartonit të Gjelbër me seli në Bruksel, për të diskutuar për metodat që Byroja, si mekanizmi më i rëndësishëm evropian për çështje të sigurimeve kufitare do të jetë pjesë e marrëveshjes së mundshme për këtë çështje, si dhe do të kujdeset për zbatimin e standardeve të kësaj organizate në çështjet e sigurimeve kufitare”, thuhet në një njoftim për media të Zyrës së kryeministrit.

Nëse shikohet data e këtij njoftimi, është 21 maj 2014.
Përse pikërisht tash?
Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së. Por as anëtare e Këshillit të Byrove në Bruksel, që siguron Kartonin e Gjelbër, si policë ndërkombëtare e sigurimeve kufitare për shtetet e Evropës.
Pyetja që mbetet është: Përse ky lajm nuk na ka ardhur p.sh. më datë 21 maj 2000?
Përgjigjja: Meqë një grusht njerëzish nuk do t’ia dilnin që t’i mblidhnin rreth 200 milionë euro fitime, pa meritë.

“HELBETE, S'KA MBETË NJERIU as me dëshiru 'diçka që na ka mungu' për gjithë këta vjet - se Thaçi po shkon e po e ‘plotëson’ menjëherë”!

Në këtë trend: Çka po ndodh more me Kartonin e Gjelbër për qarkullim të lirë me vetura në Evropë?!

Interesat e ngushta financiare të kompanive të sigurimit të lidhura me politikën e kanë bllokuar deri më tash, duke i dënuar qytetarët e Kosovës të jetojnë në izolim, dhe duke iu marrë paratë si "haraç" mërgimtarëve që vijnë me vetura në Kosovë.

Hajde, pasi që e keni bllokuar ju për 7 vjet qeverisjeje, e ata para jush për disa të tjerë, së paku tash realizoje... Se edhe jemi në parafushatë e helbete bie ndonjë votë më shumë!”.

Kështu kisha shkruar në faqen time në “Facebook” më 19 mars të këtij viti, para se të bëja edhe shkrimin për gazetë me titull “Mafia e sigurimeve dhe izolimi i Kosovës”, i cili edhe më futi në një polemikë me Bordin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Siç dihet tashmë, arsyetimi i tyre për zhvatjen e 200 milionë eurove, kryesisht nga paratë e bashkatdhetarëve tanë mërgimtarë, ishte se Kosova nuk është anëtare e OKB-së. Mirëpo, me të rënë në ujë këto “argumente” dhe me të botuar të vendimeve të fshehura të asambleve të përgjithshme të Këshillit të Byrove, mbajtur në vitet 2000 dhe 2001, me të cilët krijoheshin mundësi që edhe Kosova të pajiset me Karton të Gjelbër, duket se u ndez drita e alarmit edhe te Qeveria.

Marrja kishte dalë përfushë! Haraçi s’mund të vazhdojë më.
E premtoi vetë kryeministri Thaçi, e nënvizoi edhe ministri i Jashtëm, Hoxhaj – Kosova do të bëhet me Karton të Gjelbër para verës.
Sa mund t’i besohet këtij zotimi?
Nuk e di!
A ia kam qëlluar që e kam futur në agjendë në parafushatë zgjedhore?
Jam i bindur se po.

E rëndësishme është se tashmë ka filluar të zhbllokohet situata dhe bllokimit të pandershëm i një të drejte qytetare me qëllim të përfitimit material nga parapolitika, me bekimin e politikës, duket se i ka ardhur fundi.

Dhe sërish nuk jam fare i impresionuar me lëvizjet e ndërmarra nga Qeveria në sigurimin e së drejtës për Kartonin e Gjelbër.


JAVËN E KALUAR THAÇI emëroi Rrahim Pacollin si kryesues të ekipit qeveritar për dialog me Këshillin e Byrove për Karton të Gjelbër. Ishte pikërisht ky personi, drejtor i njërës nga kompanitë e sigurimeve, i cili për arsye jo të shpjeguara për publikun përnjëherë kishte filluar të akuzonte të tjerët anëtarë të Byrosë Kosovare të Sigurimeve - ku bën pjesë edhe vëllai i kryeministrit - se po e bllokojnë Kartonin e Gjelbër, gjë që solli edhe shkarkimin e tij. Me aktualizimin e kësaj teme dhe daljen e fakteve të reja, Thaçi e fuqizoi të njëjtin me një dekret qeveritar.
Pse?

Gjithnjë, besoj, në kuadër të agjendës parazgjedhore.

Duke dashur që ta marrë me të mirë Behgjet Pacollin, kushëririn e Rrahimit, në kuadër të pazareve parazgjedhore, kryeministri në detyrë u detyrua t’u japë njëfarë lloj pushteti atyre. Mirëpo, kalkulimi i Thaçit del të jetë bukur i sofistikuar – nëse do të arrihet tash shpejt të fitojë Kosova Kartonin e Gjelbër, Qeveria e tij do që ta marrë meritën. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë do të ketë kë ta akuzojë.

Në të gjitha rastet, një gjë tashmë nuk do të mund të anashkalohet, nëse flasim për një shtet ligjor dhe përgjegjësi institucionale.

Nëse tash përnjëherë po mund që të fillohen negociata dhe edhe të synohet të arrihet marrëveshje për Kartonin e Gjelbër brenda dy-tre muajsh, kush do të japë përgjegjësi për fshehjen e kësaj mundësie nga personat përgjegjës në industrinë e sigurimeve?

Dikush duhet të japë llogari përse nuk ka bërë asgjë për të mos i humbur qytetarët e Kosovës bashkë me mërgimtarët rreth 200 milionë euro për 14-15 vjet!

Në një vend normal një gjë e këtillë sigurisht se do të hetohej si një krim.

S’ka se si të luhet më loja e strucit!

Dikush duhet ta marrë kartonin e kuq për shkak të Kartonit të Gjelbër!

[email protected]
Twitter: @adriatikk 

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...