4 Prill 2014 - 09:03 - Hanemshahe Iljazi
Më 1933 kishim shkuar në Shqipëri – Durrës, pasi babai ishte i përndjekur nga forcat policore – ushtarake serbe. Më 1939 Dinin e burgosin. Pasi kishte kryer maturën dhe doli nga burgu, më 1940 Dini emërohet mësues në fshatin Helshan. Dini lexonte shumë dhe kishte horizont të gjërë diturie, lexonte frengjisht dhe në gjuhë të tjera. “Kam frikë se shumë fuqi të errëta do t’i përziejnë gishtat rreth Kosovës, ku të gjenden njerëz të mençur që do të dijnë të shpëtojnë nga kasaphana” – i thoshte Dini motrës më të re. U kthyem në Gjakovë. Më 1941 isha nxënëse e gjimnazit të Gjakovës. Dini u emërua mësues në Kijevë, filluan kurset kundër analfabetizmit. Më 1942 u martua motra Feti. Dini gjendej në burgun fashist të Prizrenit.
Hyrija me gjithë nënë Gjijën (Gjylijen) iu bashkangjitën arradhës së luftëtarëve të rezistencës “Bajram Curri”, ku ishte edhe Dini.
Më 31 dhjetor 1943 dhe 1 e 2 janar 1944, u mbajt Konferenca e Bujanit – Rezolutën e kishin përpiluar (Zekeria Rexha, Xheladin Hana dhe Hajdar Dushi), ku merrnin pjesë gjithsej 51 vetë.
Kjo konferencë u tradhëtua dhe filloi likuidimi i kuadrove dhe personaliteteve që kishin marrë pjesë në ngjarjet historike të Bujanit.
Hyria kishte marrë pjesë në luftën e Kalasë së Dodës afër Peshkopisë në Shqipëri – shtator 1944, ku kishte parë duke u vra Hajdar Dushi, Rashid Deda dhe Sadik Pozhegu, i cili kishte këshilluar që të shtrihej – ishte 15 vjeçe. U vendosëm në Prizren.
Në shkurt të vitit 1945 në Prizren filloi punën Radio Prizreni dhe Hyria u bë spikerja e parë në gjuhën shqipe.
Më 12 shkurt 1945, filloi botimin gazeta “Rilindja” me bashkëpunëtorët: Haki Hoxha, Xheladin Hana, Esad Mekuli dhe Kolë Shiroka. Në Prizren doli shkurt, pastaj e gjithë administrata u transferua në Prishtinë.
Më 8 – 10 korrik 1945 u mbajt Kuvendi i Prizrenit, ku u vendos t’i bashkohet Kosova Sërbisë – me dhunë.
Më 1946 erdhëm në Prishtinë për të mbetur përgjithmonë këtu.
Në Prishtinë do të punojë sërish si spikere në Radio Prishtina. Dini jepte mësim në Gjimnazin e Prishtinës: gjuhë shqipe, gjuhë frenge dhe filozofi. Pas gjimnazit u emërua drejtor i shtëpisë botuese “Rilindja”.
Më 1948 – korrik, Xheladin Hana, Rifat Berisha, Omer Çerkezi dhe Faik Pruthi – krijuan bërthamën organizative në Prishtinë me emrin “Fronti Kombëtar”. Ata mbajtën një mbledhje në Ferizaj për bashkimin e trojeve shqiptare – në muajin shtator, ishin në shënjestër të UDB-së. Faik Pruthi, Muhedin Hadri dhe Omer Çerkezi burgosen, ndërsa IbrahimMuhaxheri e Xhafer Vokshi dalin në Shqipëri.
Më 15 dhjetor 1948, Dinin e vranë në zyret e UDB-së. Atë e kishte vrarë Spasoje Gjakoviqi me dorë të vetë dhe Çedo Topalloviqi. Po atë ditë mua më thirrën në Komitetin Krahinor – kur po i zbritja shkallët, m’u afrua një oficer me uniformë dhe sërbisht më tha: - Sot ta kanë vrarë vëllanë gjatë marrjes në pyetje dhe e kanë hedhur në podrum, mos u bëj e marrë, që të mos e kërkosh kufomën se duan ta varrosin fshehurazi, mos trego se kush të tregoi për vrasjen të lutem. Ata edhe thanë se ka bërë vetëvrasje. Pas vrasjes së Dinit nuk i ndahen të ligat as asaj e as familjes.
Më 1994 presidenti i Shqipërisë dr. Sali Berisha, me rastin e 50 vjetorit të Konferencës së Bujanit, i dekoroi për kontribut të veçantë me “Urdhrin e Flamurit Kombëtar të Klasit të I”: Xheladin Hanën, Zekeria Rexhën, Rifat Berishën, Mehmet Dermanin dhe Sali Manin – Bajraktarin.
Kah mbarimi i vitit 1947 u pata inkuadruar në Teatrin Profesional të Prishtinës. Meribane Shala, Katarina Josipi dhe Hyrie Hana qenë aktoret e para shqiptare. Hyria nuk qëndroi gjatë në teatër. E larguan nga teatri, por edhe nga banesa, ishte me prindërit dhe motrën më të re – Sanijen. Vuanin edhe për bukë,por Bije Vokshi – fshehurazi i solli një makinë qepëse, me të cilën siguronte kafshatën e gojës për vete e për familje.
Më pas i likuidojnë edhe shokët e Dinit – Rifat Berishën dhe Nexhat Agollin.
Më 1953, duke udhëtuar për Shkup me tren e më pas në Preshevë tek e motra Sanija, ku ishte e martuar, takon në tren aktorin Shaban Gashi nga Ferizaj, me ndihmën e të cilit pranohet aktore në teatrin e pakicave në Shkup. Aty luajti “E shoqja e Hasan Agës”, “Besa” e Sami Frashërit – Vahiden,tek Koshtana – nënën etj.
Pas 15 muajsh në Teatrin e Pakicave në Shkup, u pranova në teatrin e Mitrovicës. Atje takova Qamil Luzhën, Faik Pruthin, Ali Boletinin, Bajram e Zekë Ademin etj.
Martohet me Ali Boletinin – i bashkonin idealet e njejta.
Më 1955 përsëri pranohet në Teatrin Popullor të Prishtinës. Na burgosën me Aliun dhe na dënuan me nga dy vjet. Aliun e dërguan në Goli Otok. Pasi dola nga burgu më ftuan të punoja prapë në teatrin e Shkupit, por tani isha e martuar dhe duhej të kujdesesha për prindërit e mi të vjetër dhe për vjehrrin tim Tafil Boletinin.
Më 1961 e burgosur për herë të dytë, e mban dënimin në Pozharevc deri më 1966, si pjesëtare e Organizatës Lëvizja për Liri dhe Bashkim Kombëtar.
U burgos për herë të tretë më 1970, u dënua në burgun e Pejës.
Vdiq më 29 prill 2004 në Prishtinë.
Ajo – Hyrie Hana tërë jetën ishte nën hetim dhe Sekretariati i Punëve të Brendshme ishte bërë si shtëpia e saj e dytë. Kështu nis rruga e gjatë nëpër burgjet dhe llogoret e tmerrit të ish Jugosllavisë. Në dosjet e saj të fryra me lloj – lloj akuzash, që i kishte të hapura në Prishtinë, Beograd, Pozharevc, Pejë e gjetiu s’kishte asnjë provë të vërtetuar, por e mbanin në burgje. Donin ta thyenin, por kishin hasur në person që nuk përkulej para asnjë sprove. Gjatë hetuesisë dhe seancave gjyqësore, ajo kurrë dhe asgjë s’kishte pranuar. Asnjëherë as që ia kishte përmendur emrin. Ky qëndrim i saj i bënte të tërboheshin hetuesit, të cilët donin ta kryqëzonin.
Fort e çmuara znj. Hyrie kishte një bukuri magjepse, andaj gjatë hetuesisë personeli i pagdhendur e primitiv i organeve të sigurimit ia ofronin pasqyrën që ta shikonte edhe njëherë bukurinë e saj, sepse nëse vazhdonte kështu me mospërfillje dhe përbuzje ndaj tyre, pas një kohe s’do ta njihte veten e saj. Por ajo kishte një fuqi të pashterrshme, rezistuese dhe ishte e aftë për t’i përballuar shkatërrimit të saj fizik, që i kanosej çdo herë (për ç’shkak nuk mundi të ketë fëmijë – dhe mu për këtë e detyron burrin e saj, Ali Boletinin, të migrojë në Shqipëri dhe të martohet me lejen e saj).
Vëllai i saj Xheladin Hana, ishte personalitet i kompletuar intelektual e atdhetar. Ai nisej nga thënia e tij “Ai që nuk i përket atdheut dhe kombit të vet, nuk i përket as vetes”. Ky intelektual i shkallës superiore u vra me plumb pas koke nga kriminelët serbë të UDB – së, sepse kërkoi që të viheshin në jetë vendimet e Konferencës së Bujanit, ku ishte edhe vetë pjesëmarrës dhe hartues i Rezolutës së Bujanit së bashku me Zekeria Rexhën e Hajdar Dushin.
Ai ra si heronjtë që vdesin për nder të atdheut. Dhe fill pas vrasjes së tij fillojnë torturimet e motrës Hyrie dhe tërë familjes, duke i munduar pa banesë, me përjashtim nga puna, me uri e me torturime ç’njerëzore në burgun e Prishtinës, burgun Qendror të Beogradit, Burgun e Pozharevcit, të Pejës dhe deri në fund të vitit 1999 nuk iu ndanë provokimet e nërskamcat e shumta, që ia krijonin antishqiptarët dhe satrapët serbë, si dhe këlyshët e tyrë shqipfolës.
E priti lirinë e Kosovës. La një bagazh të çmuar artistik me rolet e saj të mahnitshme në Teatrin Popullor të Prishtinës, Teatrin e Pakicave në Shkup dhe Teatrin e Mitrovicës. Sidomos la një bagazh të çmuar me kukullat e saj të punuara me aq mjeshtëri, nga duart e saj të arta – kukulla të shuma me veshje kombëtare të krahinave të ndryshme të banuara me shqiptarë. Me ato kukulla, ajo mbajti ekspozitë në Galerinë e Arteve të Kosovës.
Për atdhetaren e pathyeshme dhe artisten me nam do të shkruhen libra, ese e dokumentarë.
U botua libri nga prof. Dr. Sabile Keçmezi – Basha “Kontributi atdhetar i Hyrie Hanës”, Prishtinë 2011. Zonja Burbuqe Berisha – ish drejtoreshë e Teatrit Kombëtar të Kosovës, shfaqi dokumentar për jetën e Hyrie Hanës. Me rastin e 40 vjetorit të demonstratave të studentëve të vitit 1968 – Kryeministri i Kosovës z. Hashim Thaçi, post mortum Zonjës së Madhe Hyrie Hanës i ndan Mirënjohje, për angazhimin e saj në Lëvizjen ilegale. U fol dhe shkrua për të në librin “Veprimtaria e Gruas në Lëvizjen Kombëtare për Çlirim” – punim nga Hyrishahe Korça “Hyrije Hana – Një jetë e tërë në shërbim të kombit”. Ajo la dorëshkrim – Kujtime – Automonografi, të cilat “Kujtime” u botuan pas vdekjes në Prishtinë, më 2008 nga Ministria e Kulturës dhe me ndihmën e mikes së saj – poetes Fatime Ahmeti, “Nderim Gruas” (100 gra të shekullit në Kosovë), Prishtinë, 2012 etj.
Më 1960 në mënyrë decidive në aktgjykimin e Hyrije Hanës shkruan se asaj iu kishte shqiptuar dënimi me dy vite burg, pa gjykim fare.
Më 1961, prej 27 prill 1961 u dënua me 5 vite burg të rëndë, që i mbajti pandërprerë në Burgun e Grave në Pozharevc deri më 27 prill 1966.
Dënimi i tretë me burg dënohet me një muaj burg, që e mban në Pejë më 1969, shtator, e ajo para se të shkojë në burg organizon arratisjen e burrit të saj Ali Boletinit për Shqipëri.
Hyrije Hana bashkëpunonte me shokët dhe shoqet atdhetare të vëllait të saj, si me: Sabrije Bije Vokshin, Rifat Berishën, Omer Qerkezin, Zekeria Rexhën, Xhafer Vokshin, më vonë me Metush Krasniqin e të tjerë.
Veprimtaria atdhetare e Hyrije Hanës shihet më së miri e më komplet e përmbledhur në disa vargje, në përkujtimin që i bënë familja me rastin e ditës së 7 të vdekjes së saj:
“Teze, ishe dhe do të mbetesh përgjithmonë sinonim si duhet të prezantohet portreti i një intelektualeje shqiptare.
- E pushkës, që në moshën 14 vjeçare, luftove fashizmin.
- E mendjes, e para fole shqip në Radio Prizren dhe Radio Prishtina, vure gurthemelin e Teatrit së bashku me Meriban Shalën e Katarina Josipin.
- E sakrificës, sakrifikove tërë jetën për ideale.
- E durimit, mbijetove vrasjen pas shpine të vëllait Xheladin Hanës, mbijetove 7 vite kazamatet më famkeqe serbosllave, mbijetove poshtërsitë më të ndyra të të gjitha pushteteve prej lindjes deri në amshim!
Prej krejt asaj që ke bërë për kombin e familjen u shpërbleve me vetmi.
Si ngushllim pate kukullat, që i punoje me aq pasion, librat, gazetat e përditshme, pranë të cilave edhe ike në amshim.
I lehtë të qoftë dheu i shqiptarisë për lirinë e të cilit u sakrifikuat ju dhe familja jote e ngushtë.
Të shkruhet për një femër, patriote e atdhetare me namë si Hyrije Hana do të duheshin qindra e qindra faqe librash, sepse ajo meriton shumë,por në këtë përvjetor do të doja që për nderë të saj, me emrin e saj të emërtohej ndonjë shkollë, apo shoqëri kulturore,e bustin e saj do të doja ta shihja në atelenë e Teatrit Kombëtar të Prishtinës. H.Ilazi
Posta e Kosovës ka hedhur në qarkullim emisionin e ri të pullave postare në kuadër të tematikës “Femra të shquara kosovare, ku pos Xhevë Krasniqit – Lladrovcit e Katarina Josipit është edhe e pathyeshmja Hyrije Hana, - Populli i Kosovës është krenar me kontributin e jashtëzakonshëm të tyre në çështjen kombëtare dhe të artit skenik. – shkruan në komunikatën e Postës së Kosovës duke vazhduar se të tria kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e vendit tonë”.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...