Shpend Ahmeti nuk e ka shkelur Ligjin mbi simbolet

11 Janar 2014 - 11:30 - Halil Matoshi      

Betimi i Shpend Ahmetit para flamurit zyrtar të Republikës së Shqipërisë (që kosovarët e akseptojnë si flamur kombëtar) në aspektin juridik-procedural është i njëjtë me betimin e prefektëve të komunave kosovare me shumicë etnike serbe, para flamurit të Republikës së Serbisë. Kjo dëshmon se shteti kosovar në rrafshin simbolik nuk është i pranueshëm as për shqiptarët etnikë dhe as për serbët, sepse të gjithë ëndërrojnë shtetet e mëdha kombëtare, sepse janë pengje dhe viktima njëherësh, të hiperhistorisë

Pushtetarët shqiptarë rëndom janë patriotë të mëdhenj, të përmasave legjendare dhe ende flasin për metanarracione e zgjidhje përfundimtare, e në këtë vazhdë, në vend që qytetarëve t’u ofrojnë punë, mirëqenie dhe shërbime cilësore, u ofrojnë shërbime cilësore, flamuj dhe retorika folklorike.

Në këtë çështje duhej të kishte një moral që buron nga fryma e Kushtetutës, mirëpo Shpend Ahmeti e di se ç‘po bën, ai i ka gjetur “vrimat” në Ligjin kosovar mbi simbolet, nëpër të cilat e ka përbiruar heqjen e flamurit kosovar nga një zyrë publike.

Ai së këndejmi nuk e ka shkelur këtë ligj, që është i shkruar në mënyrë diletante dhe për faqe të zezë, por ai vazhdon të jetë peng i ideve kombëtariste të shekullit 19.

Në këtë rast ekziston diçka mbi nivelin e pushtetit komunal, një frymë kushtetute, së cilës duhet t’i përmbahet secili shtetas, përkatësisht secili njeri me post publik.

Porse askujt s’i dhemb në këtë vend për etikën e pushtetit dhe vetëdijen shtetërore, për frymën e Kushtetutës (patriotizmin ligjor), prandaj nuk është e drejtë që të hidhet gur e dru vetëm mbi Shpend Ahmetin?

Në logjikën politike të lëvizjes “Vetëvendosje” dhe të Ahmetit, ashiqare ka diçka që nuk shkon.

Dhe kjo që nuk shkon është para së gjithash sjellja e njëjtë me partitë dhe të zgjedhurit brenda komunitetit serb në Kosovë. Prefektët e zgjedhur në dhjetë komunat me shumicë serbe nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, prandaj edhe duan ta defunksionalizojnë këtë shtet të ri, duke mos ia respektuar ligjet, pra as atë për simbolet shtetërore.

Po lëvizja VV a e njeh shtetin kosovar?

Po të mos e njihte decidivisht sikur në fillimet e veta, lëvizja e Albin Kurtit nuk do të garonte në zgjedhjet që i organizon ky shtet. Prandaj kjo lëvizje i ka edhe përgjegjësitë e veta për aq sa ka votues, sepse është paradoksal fakti se pushtetin po e duan, por jo edhe përkufizimin e tij juridik, detyrat dhe obligimet ndaj ligjeve në fuqi – madje edhe kur ato nuk janë të mira – sepse edhe lëvizja VV e ka për obligim qytetar që të angazhohet në amendamentimin dhe ndryshimin e ligjeve ekzistuese, por dihen konditat se cilat ligje mund të ndryshohen e cilat jo, së paku derisa Kosova udhëhiqet nga fryma ahtisariane, sepse për ligjet që prekin thelbin e interesave vitale të komuniteteve ekziston mekanizmi i shumicës së dyfishtë në Kuvendin e Kosovës.

Shpend Ahmeti që ditën kur e dha betimin para simbolit të Republikës së Shqipërisë e ka shmangur frymën e Kushtetutës së vendit, nenin 6 të saj dhe Ligjin mbi simbolet shtetërore, njëjtë siç e kanë anashkaluar edhe kryetarët e komunave me shumicë serbe...

Mirëpo, ai para audiencës së interesuar mund të argumentojë se nuk e ka thyer asnjë ligj.

Nuk e ka thyer as Ligjin mbi simbolet shtetërore, që është i shkruar keq dhe pa rezon shtetëror (Raison D’Etat.)

Ngase elitat politike dhe kulturore kosovare kanë dashur që mjegulla identitare dhe konfuzioni për sa i përket përkatësisë kombëtare-shtetërore, pra mjegulla që mbretëron në kokat e tyre, të “shpërndahet” edhe në ligjet që rregullojnë edhe identitetin dhe identifikimin e tyre si shtetas.

Kosova e ka një ligj amator deri në shkallë banaliteti mbi simbolet shtetërore, përkatësisht mbi flamurin, sepse me asnjë nen as nuk përcaktohet pamja dhe përmasat e tij dhe as nuk mbrohet ai në asnjë rrethanë. Kurse në anën tjetër vendi identifikohet me dy flamuj, Qeveria me flamurin kosovar, kurse populli me atë shqiptar!?

Kjo dëshmon se shoqëria kosovare ende nuk ka ndërtuar identitet të qartë shtetëror.

Shpend Ahmeti nuk ka bërë shkelje ligjore me rastin e dhënies së betimit para Asamblesë së Komunës të Prishtinës, duke e mënjanuar flamurin e Kosovës, ai këtë e ka bërë i nxitur qoftë nga ideologjia kombëtariste, qoftë thjesht për inat, apo edhe për mungesë vetëdijeje shtetërore (shtetndërtuese dhe shtetmbajtëse) ai ka dëshmuar se nuk e respekton këtë shtet, zyrtar i të cilit është zgjedhur dhe merr pagën nga taksat e qytetarëve të cilët i detyrohen arkës së shtetit!?

Thjesht, ai e respekton një shtet tjetër, në këtë rast Republikën e Shqipërisë, në territorin e së cilës nuk graviton qyteti i Prishtinës dhe e dyta, Ahmeti nuk është votuar nga trupi zgjedhor i Shqipërisë, por në bazë të organizimit territorial – kushtetues të Kosovës.

Si individ i lirë, Ahmeti dhe secili qytetar i etnisë shqiptare në Kosovë e ka këtë të drejtë, që ta dojë Shqipërinë dhe flamurin e saj, aq më tepër kur flamuri shqiptar ka qenë ai me të cilin kanë lindur e vdekur shqiptarët e Kosovës ndër shekuj.

Mirëpo historia e konstitucionit shpirtëror (simbolik) është e dallueshme nga historia e shtetit modern që mbështetet në një konstitucion juridik.

Neni 6 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës (Simbolet) thotë (neni 1) se “flamuri, stema dhe himni janë simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës, të cilat pasqyrojnë karakterin shumetnik të saj, kurse neni 2 thotë: “Pamja, mënyra e përdorimit dhe mbrojtja e flamurit dhe të simboleve të tjera shtetërore rregullohen me ligj”.

Po ashtu edhe mënyra e përdorimit dhe e mbrojtjes së simboleve kombëtare rregullohet me ligj.

Mirëpo, në asnjë shtet të organizuar dhe unik brenda gjeografisë europiane (hiç Qipron e ndarë!?) simbolet kombëtare nuk janë të dallueshme nga ato shtetërore, sepse shteti praktikisht është shkrirë me idealet kombëtare. Kosova bën këtu një përjashtim, sepse elitat e saj kulturore dhe politike e pandehin pavarësinë e Kosovës vetëm si një hap drejt unifikimit kombëtarist, pra si një fakt e jo fat historik.

Diçka krejt tjetër është fakti se Ligji kosovar mbi simbolet (Ligji Nr. 03/L-038 për përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës) është i tmerrshëm!

Joshtetëror dhe johistorik.

Në kreun e parë (dispozitat e përgjithshme), neni 2.1: “Simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës janë: flamuri, stema dhe himni”.

Nuk përcaktohet as përmbajtja, ngjyrat dhe përmasat si në të gjitha ligjet e kësaj fushe të shteteve të rajonit;

Kurse në nenin 2.2 thuhet: “Me flamurin, stemën dhe himnin përfaqësohet Republika e Kosovës dhe identiteti shtetëror i saj”.

Dhe në këtë aspekt, ligji nuk e sanksionon si të detyrueshëm vendosjen e flamurit të shtetit me “duhet”, por e lë në dorë të dëshirave të dikujt ose vullnetit të lirë, me një “mund të” vendoset në institucionet shtetërore dhe publike (shih: neni 4.1)!?

Pra, sa i përket pushtetit lokal, ligji është dykuptimësh dhe paradoksal, sepse decidivisht nuk e implikon komunën si institucion të shtetit në çështje të domenit të tij.

Neni 3. 1 thotë se forma, përmbajtja e tekstit dhe partitura e himnit, si dhe përmasat e simboleve shtetërore të Republikës së Kosovës, përcaktohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, mirëpo dihet se himni kosovar nuk ka fare tekst.

Neni 3.2 për rregullat gjeometrike të pamjes dhe të ngjyrave për formësimin e flamurit, stemës, si dhe të tekstit dhe të shënimit të notave të melodisë së himnit të përcaktuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës do të jenë pjesë përbërëse e këtij ligji.

Kush nuk i di (sepse ligjit nuk i janë bashkëngjitur këto të dhëna), mund t’i gjejë origjinalet në arkivin e Kuvendit të Kosovës.

Ligji në kreun II sanksionon përdorimin, vendosjen dhe renditjen e flamurit të Republikës së Kosovës; neni 4: Përdorimi i flamurit të Republikës së Kosovës nga institucionet shtetërore, pika 1 thotë: “Flamuri shtetëror vendoset në mjediset e brendshme dhe të jashtme të institucioneve shtetërore dhe publike”.

Kurse neni 4.2 thotë se “Flamuri shtetëror mund të vendoset në mjedise të brendshme të zyrave publike, në universitete, në selitë e partive politike, në institucione shkencore e kulturore, në objekte të kultit dhe në organizata të ndryshme.

Në këto raste, flamuri qëndron në të djathtë të vendit kryesor apo në tavolinën e punës.

E neni 4.3: “Flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës përdoret në rastet e takimeve ceremoniale të përfaqësuesve të institucioneve shtetërore me përfaqësues të shteteve të huaja: a) në mënyrë të lirë në tryezat e zyrtarëve dhe nga personat juridikë; b) në ndërtesat dhe automjetet e përfaqësuesve të Republikës së Kosovës, në shtetet e tjera; dhe c) në të gjitha rastet kur përfaqësohet Republika e Kosovës.

Mirëpo, ligji nuk e specifikon komunën si institucion shtetëror e cila “mund të” vendosë flamurin shtetëror!?

Dhe kjo i mjafton Ahmetit që kur bëri betimin ta heqë nga zyra flamurin kosovar!?

Ndërsa, që çështja të komplikohet deri në zhvlerësim, neni 6 që rregullon përdorimin e flamujve kombëtarë (neni  6.1) thotë se “çdo qytetar i Republikës së Kosovës ka të drejtë të përdorë flamujt kombëtarë në pajtim me këtë ligj dhe me legjislacionin tjetër në fuqi”. Po ashtu (neni 6.2) thotë se “qytetarët e të gjitha komuniteteve në Republikën e Kosovës kanë të drejtën, në mënyrë individuale apo si komunitet, të përdorin flamujt kombëtarë në pajtim me këtë ligj dhe me standardet ndërkombëtare.” 

E ligji nuk e sanksionon detyrimin që flamujt kombëtarë të komuniteteve duhet të përdoren përkrah apo me flamurin e shtetit, prandaj edhe në këtë pikë Ahmeti nxirret pa e thyer ligjin!?

Neni 59 i Kushtetutës së Kosovës që rregullon të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre thotë: “Pjesëtarët e komuniteteve kanë të drejtë që, në mënyrë individuale ose si komunitet, ndër të tjera (pika 7)  të përdorin dhe të shfaqin simbolet e komunitetit, në pajtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare”;

Mirëpo Ligji mbi simbolet nuk e sanksionon përdorimin e flamujve të këtyre komuniteteve vetëm krahas përdorimit të flamurit shtetëror.

Prandaj edhe ajo që ndodhi në komunat kosovare me shumicë serbe, sado që dhemb, nuk është e kundërligjshme!

Neni 7. (Vendosja e flamurit shtetëror); në paragrafin 1 thotë: “Flamuri shtetëror gjithmonë vendoset: a) në ndërtesa, në të cilat është selia e kryetarit të Republikës së Kosovës, selia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, selia e Qeverisë së Republikës së Kosovës; b) në pikat e kalimeve kufitare; c) në ndërtesat e përfaqësive të Republikës së Kosovës jashtë shtetit dhe në mjetet e transportit, të cilat i përdor udhëheqësi i përfaqësisë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, në përputhje me dispozitat ndërkombëtare, në të cilin është përfaqësia, përkatësisht në përputhje me rregullat dhe praktikat e organizatës ndërkombëtare, pranë së cilës është përfaqësia; dhe d) gjatë festave zyrtare të Republikës së Kosovës”.

As në këtë nen nuk detyrohet njësia komunale që të vendosë flamurin shtetëror.

Komuna si njësi e pushtetit nuk përmendet as në paragrafët 2. a. (Flamuri shtetëror vendoset me rastin e solemnitetit zyrtar të përcjelljes së kryetarit të Republikës së Kosovës, kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryeministrit kur shkojnë nga Republika e Kosovës në vizitë në shtetet e huaja dhe në pritjen e tyre kur kthehen në Republikën e Kosovës; 2. b) me rastin e arritjes zyrtare të udhëheqësit të shtetit të huaj ose të përfaqësuesit të autorizuar të organizatës ndërkombëtare në Republikën e Kosovës, përkatësisht me rastin e solemnitetit të ndarjes kur shkojnë nga Republika e Kosovës; 2. c) rregullat më të hollësishme të përdorimit të flamurit shtetëror të përcaktuara në pikën 1 dhe 2, parashihen në ceremonialin e protokollit të shtetit.

Dhe protokolli i shtetit nuk ka të bëjë asgjë me komunën dhe në këtë rast Ligji mbi protokollin e shtetit është i paobjekt.

Neni 7.3 thotë se ”Flamuri shtetëror vendoset po ashtu: a) me rastin e takimeve vendore dhe ndërkombëtare, tubimeve publike, garave sportive, kulturore dhe garave tjera, shfaqjeve humanitare, ushtarake, dhe të tjera, si dhe në të cilat Republika e Kosovës paraqitet, përkatësisht në të cilat merr pjesë; b) me rastin e festave zyrtare”; 

Ndërsa neni 7.4 thotë se “Flamuri shtetëror mund të vendoset: a) me rastin e ditëve përkujtimore; b) të manifestimeve publike që janë të rëndësishme për Republikën e Kosovës, dhe të cilat i përcakton Qeveria; c) në rastet e tjera, nëse përdorimi i flamurit nuk është në kundërshtim me këtë ligj”. Neni 7.5: “Në të gjitha rastet e vendosjes së flamurit shtetëror, krahas flamujve tjerë, flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës nuk mund të jetë në përmasa më të vogla se flamujt e tjerë”; Neni 7.6” “Ndalohet vendosja publike e flamujve nëse janë të vjetruar apo të dëmtuar”. Neni 9.3: “Kur flamuri shtetëror shpaloset bashkë me ndonjë flamur tjetër, flamuri shtetëror qëndron në vendin e nderit në anën e djathtë. Flamuri tjetër ose të tjerët, vendosen në të majtë të tij, me të njëjtat përmasa dhe largësi shtize”.

Neni 9.4 është kontrovers, kur thotë se “vendosja në zyrat publike e një ose më shumë flamujve të huaj krahas flamurit shtetëror të Republikës së Kosovës bëhet vetëm në rastet e ceremonive zyrtare ose takimeve dy ose më shumëpalëshe me delegacione të huaja të nivelit të lartë dhe në raste kur nënshkruhen marrëveshje zyrtare”.

Kjo d.m.th. se flamujt e Turqisë, Shqipërisë dhe Serbisë nuk konsiderohen të huaj, sepse ata mund të përdoren krahas flamurit kosovar në raste të ceremonive zyrtare ose takimeve dy apo shumëpalëshe në nivelin qendror të pushtetit, por jo edhe në komuna!?

Dhe më skandalozi është neni 10 që flet për flamujt dallues të institucioneve;

Ky nen (pika 1) thotë: “Për të vënë në pah dallimin dhe identifikimin e tyre, të drejtë në flamur dallues kanë institucionet në vijim: a) Kryetari i Republikës së Kosovës;

b) Qeveria e Republikës së Kosovës; c) Ministria e FSK; d) Ministria e Punëve të Brendshme; e) Ministria e Punëve të Jashtme;  f) Forcave të Sigurisë të Republikës së Kosovës; g) Trupat Mbrojtëse të Republikës së Kosovës; h) Policia e Republikës së Kosovës ;dhe i) Komunat e Republikës së Kosovës. 

Të ketë flamur të vetin të dallueshëm ndonjë ministri kjo është shpikje e “mbrojtur” me © (copyright) e shkruesit të këtij ligji; aq më tepër kur FSK-ja dhe Policia e Kosovës i kanë flamujt e vet identifikues, por që Ministria e Jashtme (që e identifikon shtetin në marrëdhëniet ndërkombëtare) të ketë flamur të vetin ky është kulmi i budallallëkut!?

Në kreun V të ligjit (dispozitat kalimtare) sanksionohen gjobat dhe ndëshkimet për përdorimin joligjor të simboleve ose të ndonjë përmbajtjeje joligjore në to, por nuk ka ndëshkim nëse simbolet e shtetit nuk përdoren fare!?

Të gjitha këto e bëjnë këtë ligj qesharak dhe të papërdorshëm.

“Shkelja e kushtetutshmërisë dhe e ligjeve të Republikës së Kosovës duhet të trajtohen njëjtë, pavarësisht a bëhet ajo nga Komuna e Graçanicës, nga komunat në veri të vendit, apo nga Komuna e Prishtinës, ky ishte reagimi i deputetes së LDK-së, Vjosa Osmani, për rastin “Ahmeti kundër simboleve shtetërore.”

Argumentet e saj janë: a.) “Neni 2.2 i Ligjit mbi simbolet specifikon se “me flamurin, stemën dhe himnin përfaqësohet Republika e Kosovës dhe identiteti i saj shtetëror” dhe neni 4.1 thotë se ‘Flamuri shtetëror vendoset në ambientet e brendshme dhe të jashtme të institucioneve shtetërore…”

Mirëpo, e para, ligji flet për identifikim të shtetit vetëm karshi vendeve të tjera, por jo edhe përbrenda dhe para shtetasve dhe, e dyta, neni 4.1 është dykuptimësh, sepse nuk e ndalon decidivisht vendosjen e flamujve të shteteve të tjera, si të Shqipërisë, Serbisë, Turqisë (që në tekst quhen flamuj kombëtarë.) 

Në parim Osmani ka të drejtë, kur pretendon se komuna është institucion shtetëror, por në ligj përmenden të gjitha institucionet shtetërore që i implikon ky ligj, por jo edhe pushteti lokal, përkatësisht komuna.

Osmani thotë se “përdorimi i simboleve shtetërore rregullohet edhe përmes nenit 15 të Ligjit të protokollit të Shtetit. Komunat, qartë, janë institucione shtetërore, dhe zyra e një kryetari të komunës është zyra kryesore përfaqësuese e atij institucioni”.

Porse Ligji i protokollit i Shtetit është i paobjekt juridik në raport me komunën, sepse ligji i atribuohet raportit ndërshtetëror (ndërkombëtar) të Republikës së Kosovës e jo raporteve të brendshme të pushteteve.

Osmani e ka thënë edhe një fjali tautologjike, e cila s’ka të bëjë asgjë me çështjen Ahmeti.

“Edhe pse komunat kanë të drejtë të kenë simbolet e tyre dalluese, ligji i obligon që ato t’i përdorin krahas simboleve shtetërore. Edhe Kushtetuta parasheh se flamuri, stema dhe himni janë simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës. Pra kushdo që i mohon këto simbole, e mohon Republikën e Kosovës”.

E para, Osmani nuk ka të drejtë kur thotë se ndonëse komunat kanë të drejtë të kenë simbolet e tyre dalluese ligji i obligon që ato t’i përdorin krahas simboleve shtetërore, sepse ligji nuk i obligon me asnjë nen ose paragraf që flamujt e dallueshëm të njësive apo organizatave ose ata kombëtarë duhet të përdoren krahas flamurit shtetëror.

Për sa u përket shteteve të rajonit, si Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kroacia, në Kushtetutat dhe ligjet e tyre për simbolet pothuajse ekziston e njëjta frymë, sepse flamurin shtetëror njëherësh e kanë flamur kombëtar dhe ai është obligues të vendoset përhershëm në të gjitha institucionet e shtetit, kurse komunitetet pakicë kanë të drejtë të përdorin flamujt e tyre kombëtarë vetëm krahas atij shtetëror.

Po ashtu që të gjitha këto shtete, në Ligjin mbi simbolet e përshkruajnë edhe përmbajtjen, ngjyrat dhe përmasat e flamujve kombëtarë, kurse ligji kosovar jo.

Prandaj ose duhet ndryshuar Ligji mbi simbolet (që është një ligj katastrofë e vërtetë) ose duhet lënë këtë punë bindjeve individuale dhe vullnetit anarkist

Në të gjitha këto shtete-kombe simbole kryesore kombëtare janë Flamuri dhe himni, ndërsa simboli kryesor shtetëror është stema, kurse në Shqipëri përdorimi i stemës bëhet vetëm nga pushteti qendror.

Kurse Republika e Sllovenisë më 2004 ka miratuar një dekret për mënyrën e përdorimit të flamurit dhe himnit të BE-së, gjë që në Kosovë nuk është e rregulluar me kurrfarë ligji, ndërsa mbahet në shumë objekte institucionale “jashtë ligjit” dhe me vetëdëshirë e pa kurrfarë kriteri.



© KOHA DITORE -- ndalohet ribotimi i paautorizuar 

comments powered by Disqus
Halil Matoshi
Halil Matoshi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...