Ashpërsohen kriteret për pranim të fëmijëve në çerdhet publike të kryeqytetit

7 Korrik 2014 - 09:11      

Prishtinë, 7 korrik – Komuna e Prishtinës ka ashpërsuar kriteret për regjistrimin e fëmijëve në çerdhet publike, me arsyetimin se numri i vogël i tyre kufizon përfshirjen e të gjithëve.

Sivjet është paraparë të regjistrohen afro 500 fëmijë në nëntë çerdhe publike, sa funksionojnë në kryeqytet.
Por kriteret e reja kanë alarmuar prindërit që punojnë, disa nga të cilët e konsiderojnë konkursin e Komunës diskriminues.

Me vendimin e Komunës, në çerdhet publike pranohen vetëm fëmijët e prindërve që janë banorë të Komunës së Prishtinës mbi bazën e pikëve totale që merr një kandidat bazuar në kriteret.
E pikët më të mëdha, sipas këtyre kritereve, i kanë fëmijët bonjakë pa të dy prindërit, të cilët automatikisht marrin 100 pikë. Fëmijët bonjakë pa njërin prind, nëse prindi është i punësuar marrin 90 pikë, ndërkaq nëse prindi kujdestar është i papunësuar marrin 80 pikë. Pas fëmijëve bonjakë, përparësinë më të madhe e kanë fëmijët e invalidëve të luftës së UÇK-së. Nëse të dy prindërit punojnë, ky fëmijë vlerësohet me 80 pikë, ndërkaq nëse u punon njëri prind vlerësohen me 60 pikë.

Me të njëjtat pikë vlerësohen edhe fëmijët në nevoja të veçanta. Nëse një fëmijë i ka prindërit e divorcuar, dhe prindi kujdestar është i punësuar, ai fëmijë automatikisht merr 40 pikë, ndërkaq nëse është i papunësuar fëmija i merr 30 pikë. Pikë të mëdha marrin edhe fëmijët e veteranëve të UÇK-së. Nëse të dy prindërit punojnë, ai fëmijë merr 40 pikë, ndërkaq nëse punon vetëm njëri prind, fëmija merr 30 pikë. Ndërkaq, fëmijët që janë banorë të lagjes ku është institucioni parashkollor marrin vetëm 20 pikë, ndërkaq mund të marrin edhe 10 pikë nëse prindërit tashmë kanë një fëmijë në atë institucion. Nëse fëmijës i punojnë të dy prindërit dhe kanë të ardhura mujore prej 351-700 euro, fëmija merr 40 pikë.

Nëse paga mujore është nga 701 euro deri në 1 mijë euro, fëmija merr 30 pikë. Ndërkaq, vetëm 20 pikë merr fëmija që i punojnë të dy prindërit, dhe kanë të ardhura mujore mbi 1 mijë euro. Fëmijët duhet të jenë të barabartë në konkurrim.

Por, drejtori në dorëheqje i Arsimit, Jusuf Thaçi, nuk sheh ndonjë problem me Rregulloren për pranimin e fëmijëve në çerdhe (më gjerësisht sot në “Kohën Ditore”).

© KOHA Ditore

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...