“Kosovology” me jazz për situatën e komplikuar të vendit

26 Janar 2016 - 15:00      

Prishtinë, 26 janar - Qysh në notat e para dëgjohen melodi me motive shqiptare. Ritme tradicionale të Ballkanit kombinuar me jazzin modern, duke ruajtur motivet e traditës kosovare kompletojnë kompozimin më të ri të kitaristit kosovar, i cili po bën karrierë në New York, Taulant Mehmeti. E ka titulluar “Kosovology”.

Thotë se për këtë kompozim është inspiruar nga situata e fundit në Kosovë, ndërsa për emërtimin është bazuar në titujt e kompozimeve të disa prej artistëve të tij të preferuar. Ani pse Mehmeti e kompozoi “Kosovology” vitin e kaluar, tek tash e ka incizuar në studio. Kësaj i ka shtuar edhe një video të cilën e ka postuar në kanalin e tij në “YouTube”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Përveç kitarës, interpretimi i kësaj pjese muzikore kompletohet edhe nga muzikantë të tjerë. Mehmetit në ndihmë për këtë i kanë dalë Micha Gilad, Nick Dunston (bass) dhe Ayman Boujlida (bateri)

“‘Kosovology’ filloi prej një motivi shumë të thjeshtë që gjithsesi ka ardhur prej influencës tradicionale të Kosovës. Këtë motiv e kombinova me disa rimte autentike të Ballkanit bashkë me harmoni prej influencës që kam nga muzika jazz dhe muzika klasike”, ka thënë Mehmeti. “Kosovology”, sipas tij, është një kompozim sfidues me ritme të cilat vazhdimisht ndryshojnë dhe është i komplikuar për t’u luajtur.

“Qëllimi im ishte që ta pasqyroja situatën e tanishme të komplikuar në Kosovë”, ka thënë ai, teksa ka treguar se nga momenti që kishte nisur kompozimin e kësaj pjese muzikore e ka pasur të qartë se emri do të jetë i lidhur me Kosovën dhe situatën e saj. Por për prapashtesën “logy” ka një shpjegim tjetër.

“Ndoshta prej inspirimit të disa titujve prej disa artistëve të mi të preferuar, disa prej tyre janë: ‘Anthropology’ dhe ‘Ornithology’ kompozime të Charlie Parker dhe ‘Gypsyology’ kompozuar nga Tigran Hamasyan”, ka thënë kitaristi kosovar, i cili para katër vjetësh shkoi në New York për të ndjekur studimet në njërën prej shkollave më me nam të muzikës jazz në tërë botën, “The New School For Jazz and Contemporary Music”. Vitin e kaluar përjetoi një prej eksperiencave më të mira muzikore në gjithë jetën e tij, ku përkrah me mjeshtrin amerikan të kitarës, Vic Juris, ai performoi në “Blue Note” që tashmë e ka vulosur epitetin e një prej jazz-klubeve më me nam në gjithë botën. Në këtë koncert ai do të luante edhe “Kosovology”.

“E kam luajtur këtë kompozim me trion time këtu në New York dhe audienca e ka pëlqyer, sepse është një kombinim unik i teksturës dhe stileve. Njerëzit gjithmonë kanë dëshirë të dëgjojnë diçka të re, diçka që nuk e kanë dëgjuar më parë”, ka thënë ai. Në cilëndo skenë që ngjitet, publikut amerikan i servon një pjesë të muzikës tradicionale shqiptare.

“Është njëra prej elementeve në muzikën time. Kam jetuar në Kosovë 21 vjet dhe natyrisht që jam i influencuar nga muzika tradicionale shqiptare, edhe pse gjatë asaj kohe nuk kam qenë fans i asaj muzike”, ka thënë Mehmeti. Sa ishte në Kosovë, Mehmeti do të bëhej pjesë e bendit “Trio of Love”, të cilin e konsideron si një prej projekteve më të suksesshme që kishte realizuar në Kosovë. Bendi kishte debutuar në “Prishtina Jazz Festival” në vitin 2011. Mehmeti kishte ndarë skenën me basistin Fatlind Ferati dhe bateristin Enes Bajramliqi. “Trio of Love” kishte performuar edhe në “Tirana Jazz and World Music Festival”, “Shkodra Summer Jazz” etj.

Ndërsa këto katër vjetët e fundit është fokusuar në studimin e muzikës së vjetër tradicionale prej të gjitha vendeve të Ballkanit.

“Diçka që më pëlqen shumë është lloji i muzikës shqiptare, iso-polifonia”, ka shtuar Mehmeti, i cili tashmë ka dy bende të tija: “Taulant Mehmeti Organ Trio” dhe “Taulant Mehmeti Quartet”. Po ashtu performon në koncerte si duo me artistë të ndryshëm nga skena e New Yorkut. Ai bën muzikë edhe me grupe të tjera, si “Ernesto Llorens Swing Project” dhe “Linda Briceno”. Ndërsa tani është duke punuar në incizimin e një albumi me artisten e nominuar për çmimin “Grammy”, Linda Briceno.

“Do të performojmë muzikën e saj origjinale dhe albumi do të lansohet këtë verë”, thotë Mehmeti. Pavarësisht tërë angazhimeve të tjera, ai thotë se i ka vënë vetes disa prioritete.

“Këtë vit po e përfundoj shkollën këtu në New York dhe në të njëjtën kohë po mundohem të koncentrohem në muzikën time dhe shpresoj se këtë vit do të lansoj diçka nga albumet e mia origjinale për të cilat kompozova gjatë këtyre viteve”, thotë Mehmeti. “Dhe definitivisht se ‘Kosovology’ do të jetë pjesë e njërit prej këtyre albumeve”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...