Miti i Kosovës dhe Skënderbeu serb janë përralla

11 Prill 2015 - 10:09      

“...historianët e ardhshëm le të shkruajnë historinë e Betejës së Kosovës, jo sipas këtyre këngëve e përrallave, që kanë zbukuruar historinë”, porosiste Ilarion Jovan Ruvarac, themelues i kritikës së historiografisë dhe kundërshtar i historiografisë romantike nacionaliste serbe. Ata që historinë e shkruanin me legjenda i porosiste që të heqin dorë edhe prej prejardhjes serbe të Skënderbeut

Kur Ilarion Ruvarac (1832- 1905) vendosi të shkruante për Betejën e Kosovës dhe për personalitetet që ishin pjesë përbërëse e saj, ishte i vetëdijshëm se po rrezikonte të rrënonte elementet e mitit të Kosovës e këtë e tha me një rast: “Është rrezik t’i luftosh paragjykimet e legjendës popullore”. Këtu mbase kishte parasysh se ai po i kundërvihej këtij miti për faktin se ishte përfaqësues i kishës serbe, se i shërbente asaj e cila ishte pjesë përbërëse e kësaj mitomanie, shkruan sot Koha Ditore.

Megjithatë, ai doli guximshëm kundër shkrimeve të historiografisë romantike nacionaliste serbe, e cila mbështetej në këngët e ciklit të Kosovës, që ishin pjesë përbërëse e kësaj mitologjie.

I. Ruvarac këtë e bënte për të qenë në shërbim të së vërtetës historike, se për të “dëshmia e fakteve ishte e një rëndësie të madhe”, se “pa argumente, përveç Zotit, të tjerat janë mjegull”, e se “vetëm Zoti është i paprekshëm, të tjerëve, përveç fakteve nuk mund t’u besohej”.

Duke u nisur nga ky postulat hodhi poshtë edhe martirizimin dhe aktin e martirizimit në Kishën serbe, si dhe Jug Bogdanët e Devet Jugoviqët, Shën Premten serbe, e shumë personazhe të tjera, që ishin në themel të mitit të Kosovës, por që ishin të paqenë nga pikëpamja historike. Kjo për I. Ruvarcin duhej të thuhej, sepse “nuk duhet t’i jepet mundësi gojëdhënës e legjendës për interpretim ndryshe, përveç fakteve dhe argumenteve”.

Përfaqësuesit e historiografisë romantike nacionaliste serbe e trajtonin këtë betejë në mbështetje të mitit të Kosovë. Sipas kësaj legjende besohej se: Knjaz Lazari, personazhi kryesor i betejës, qëllimisht u sakrifikua në “perandorinë tokësore”, për të gjetur vend në “Perandorinë qiellore serbe” dhe, që më pas do të shpaguhej (hakmerrej); Milosh Obiliqi, dhëndër i Knjaz Lazarit, që vendosi ta vriste Sulltan Muratin I në këtë betejë (28 qershor 1389), pasi ishte përhapur fjala se ky kishte rënë në ujdi me Sulltan Muratin I, që të bëhej vasal i tij (pas fitores së ushtrisë osmane), për çka ishte shpallur tradhtar; Vuk Brankoviqi, po kështu dhëndër i Knjaz Lazarit, që, sipas këtij miti, nuk mori pjesë në betejë, pra tradhtoi çështjen, që pati si rrjedhojë dështimin e palës serbe dhe fitoren e osmanëve. (Pjesën e dytë të serisë “Dy anët e historisë”, të autorit Ramiz Abdyli mund ta lexoni në “Shtojcën për Kulturë”, sot në “Koha Ditore”)

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...