Bardhyl Demiraj: Larg debatit vulgar mbi standardin

11 Qershor 2014 - 10:37      

Albanologë nga gjithë bota debatojnë për gjuhën dhe kulturën shqipe; “Ky debat, larg vatrave të debatit të sotëm publik mbi Standardin, i cili ka kapluar ndërkohë me vulgaritetet e rastit deri instancat më të larta të jetës intelektuale në trojet shqiptare, në këtë tubim debati albanologjik përvijon ballafaqimin e koncepteve tradicionale me ato moderne mbi gjuhën, kulturën dhe historinë e shqiptarëve”simpoziumi.

Tubimi i 5-të Kulturor-Shkencor Shqiptaro-Gjerman një aktivitet albanologjik me konture ndërkombëtare, që e organizon në një ritëm trevjeçar Dega e Albanologjisë pranë Universitetit elitar Ludwig-Maximilian të Munihut ka zhvilluar debatin shkencor mbi gjuhën dhe kulturë e shqiptarëve në dimensionet kohë dhe hapësirë.

Prof. Dr. Bardhyl Demiraj u shpreh se në këtë tubim morën pjesë aktive me ligjërata shkencore 32 studiues albanologë, sllavistë, grecistë, romanistë, indoeuropianistë e arkeologë nga 27 qendra të ndryshme universitare e shkencore të shpërndara në 10 vende të Europës dhe SHBA-ve.

“Duke qenë pjesë e një tradite të konsoliduar tashmë si rrjedhë e zakonshme në programin shkencor-universitar të kësaj dege, ky tubim, siç përcjell vetë emërtimi i tij, syzon të shestojë në debatin shkencor albanologjik perspektiva të reja në studimin e faktorëve themelorë, qofshin këta historikë apo bashkëkohorë, të cilët formëzojnë së bashku matriksin e kulturës etnike të popullit shqiptar.

Larg vatrave të debatit të sotëm publik mbi Standardin, i cili ka kapluar ndërkohë me vulgaritetet e rastit deri instancat më të larta të jetës intelektuale në trojet shqiptare, në këtë tubim debati albanologjik përvijon ballafaqimin i koncepteve tradicionale me ato moderne mbi gjuhën, kulturën dhe historinë e shqiptarëve.

Tubimi synon të përcjellë në debat bash këtë përvojë të fituar me kohë e të thelluar ndërkohë në fushat e gjuhësisë, filologjisë, etnologjisë dhe historisë së popullit shqiptar, sikurse edhe të arkeologjisë në trevat e Ballkanit Perëndimor, ku këto koncepte qarkullojnë e kryqëzohen shpesh e që me to mund të përsiaten pas gjase kategori të ndryshme.

Në këtë mënyrë synohet të trajtohen në tubim edhe çështje me karakter ndërdisiplinor në hulumtimin historik e bashkëkohor, të cilët në kohën tonë mëngojnë me vënë theksin gjithnjë e më shumë në (ri)dimensionimin e të ashtuquajturit “faktor nacional”, duke kërkuar kështu perspektiva të reja dhe premisa metodologjike të përbashkëta në kërkimin albanologjik në plan kombëtar dhe ndërkombëtar.

Për një atmosferë të këndshme në ambientet, ku do të zhvillohet tubimi, premton ekspozita grafike “Via Egnatia” si pjesë e një projekti afatgjatë të drejtuar nga prof. dr. Mario de Matteis (Uni Bochum / Uni Elbasan), sikurse edhe prezantimi i programit universitar të Albanologjisë në Universitetin elitar të Munihut nga studentët e kësaj dege.”- tha Demiraj. Për të dytën herë radhazi ky takim u organizua në bashkëpunim me fondacionin Nehemiah Gateway dhe me shoqatën International Network of Albanology (Potsdam/RFGJ). Ndryshe nga katër tubimet e mëparshme, këtë herë u përzgjodhën ambientet e Nehemiah Gateway University (Buçimas/Pogradec), i njohur ndërkohë jo vetëm për programin cilësor universitar, por dhe për infrastrukturën teknike të patëmetë, sikurse edhe mundësitë optimale të akomodimit.

Disa nga temat e debatuara
Albanologu, Titos Jochalas (Akademia e Shkencave në Athinë) referoi temën “Gjuha greke dhe vetëdija kombëtare shqiptare”. Tema e këtij referimi të thukët është se në ç’masë gjuha dhe letërsia greke, që mësonin atëbotë nxënësit shqipfolës në shkollat greke, i ndihmoi ata për të formëzuar vetëdijen kombëtare shqiptare. Analizohet në përgjithësi vepra e disa përfaqësuesve të rëndësishëm të Rilindjes Shqiptare, si ajo e Thimi Mitkos, Jani Vretos dhe Naim Frashërit.

Në kumtesë vihet theksi se disa ndër veprat kryesore të përfaqësuesve të Rilindjes Shqiptare të përmendur më lart janë shkruar dhe botuar në gjuhën greke. Në këto vepra shfaqet në mënyrën më të qartë krahas vetëdijes së tyre kombëtare shqiptare edhe admirimi ndaj gjuhës dhe kulturës greke, të cilat kanë karakterizuar në veprën e tyre ide të caktuara, si p.sh ajo e lirisë, duke forcuar kështu vetëdijen e tyre shqiptare.

Prof. Dr. Francesco Altimari i Universitetit të Calabrisë referoi “Kumborët që ‘bien e flasin’ arbërisht: mbishkrimet e Kishës së Karminit të Puhëriut (1907).

Në këtë kumtesë analizohen mbishkrimet arbëreshe që ndodhen në të dyja kumborët e Kishës së Karminit të komunitetit arbërishtfolës të Puhëriut dhe që i përkasin vitit 1907. Në saje të veprës meritore të vëllezërve Lorekjo (Lorechio), kemi sot në dispozicion dy kumborë që ‘bien dhe flasin arbërisht’: në tekstin e kumborës së madhe, me frymë patriotike, populli puhëriz i drejtohet mëmëdheut të lashtë të arbëreshëve dhe në tekstin e kumborës së vogël, me përmbajtje fetare, i drejtohet Shën Mërisë me një himn kishtar.

Të dyja tekstet pasqyrojnë thelbësisht gjuhën e kësaj bashkësie arbërishtfolëse të Provincës së Kutronit (Crotone) në fillim të shekullit XX dhe janë të shkruar me një alfabet të posaçëm, që Anselmo Lorekjo (Anselmo Lorechio) mori nga alfabeti i fundit i Jeronim de Radës (Girolamo de Rada) dhe që çuditërisht paralajmëron në shumë pika rezultatin që do të sjellë një vit më vonë (1908) Kongresi i Manastirit me alfabetin e sotëm.

Për “Incizimet (regjistrimet) më të hershme në trevat gjuhësore shqiptare (1907- 1918), Prof. Dr. Walter Breu dhe Prof. Dr. Elvira Glaser nga Universiteti Konstanz & Uni Zürich në ligjëratën e tyre kumtojnë mbi një trashëgimi të gjuhës shqipe, për të cilën pakkush ka dijeni, pikërisht mbi tekstet më të vjetra auditive të shqipes, siç na i dëshmojnë ato pak regjistrime me fonograf dhe gramafon.

Këto incizime më të hershme burojnë të gjitha nga një zonë gjeografike periferike, përkatësisht nga varietete relativisht të largëta prej shqipes së sotme standarde, siç është edhe rasti i dëshmive shkrimore më të vjetra në gjuhën shqipe. Bëhet fjalë këtu për fonograme që ruhen në Vjenë, si edhe për pllaka gramafoni që ruhen në Berlin, në të cilat janë incizuar dokumente gojore në gjuhën shqipe në dy dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të 20-të.

Incizimet më të hershme e kanë zanafillën te një ekspeditë e sllavistit Milan Rešetar në vitin 1907, në Italinë Jugore…

Prof. Dr. Matteo Mandalà nga Universiteti i Palermos foli për pakicat sllave në Shqipëri. Sipas tij pjekjet midis shqiptarëve dhe sllavëve janë përftuar ndoshta menjëherë pas ngulimit të fiseve sllave në Evropën Juglindore. Gjithsesi, për këtë nuk kemi dëshmi të drejtpërdrejta. Janë vetëm burimet bizantine, të cilat përcjellin kumtet përkatëse në fillim të shek. të 6-të për një depërtim aspak paqësor të sllavëve në Perandorinë Romake të Lindjes deri në Peloponez dhe Kretë.

Këto kronika vijnë dukshëm në kundërshtim me atë tablo euforike e të dyshimtë të sllavëve paqësorë të përhapur dikur nga Herder-i. Ndoshta takimet e para mes shqiptarëve dhe sllavëve, natyrisht jo të dëshmuara direkt, janë përftuar në vendet e sotme fqinje me Shqipërinë, kryesisht në Kosovë dhe Maqedoni. Informacion të drejtpërdrejtë mbi kohën dhe intensitetin e kontakteve na ofrojnë së pari toponimet e shumta sllave në Shqipërinë e sotme (Ylli, 2000).

Në mesjetë mbretëritë sllave përfshinin madje pjesë të mëdha të Shqipërisë, çka dëshmojnë edhe gjurmët arkeologjike, më mbresëlënëse bash ato në liqenin e Prespës.

Prof. Dr. Rexhep Ismajli i ASHAK Prishtinë u ndal në aspekte të kontakteve të shqipes me gjuhët sllave. Ndërsa Prof. Dr. Xhevat Lloshi i ASHSH Tiranë teksa referoi mbi “Dorëshkrimet e K. Kristoforidhit mbi huazimet e shqipes nga turqishtja” zbuloi se në Arkivin Qendror të Shtetit (AQSH) ruhen dorëshkrime me tituj të ndryshëm: rrënjë latine dhe greke (rreth 50 faqe), fjalë prej greqishtes që i kanë të dyja dialektet, rrënjë sanskrite indoeuropiane, krahasime me disa gjuhë europiane.

Ndërmjet këtyre gjenden edhe dy dorëshkrime, i pari prej 4-fletësh dhe i dyti prej 20-fletësh, që kanë të njëjtin titull greqisht: Fjalë turke që përdoren në shqipen, mendoj se u përkasin viteve 1883-1884, bashkë me punimet e tjera të kësaj natyre. Përfshijnë rreth 700 njësi, që autori i mendonte si turqizma të shqipes.

Një pjesë prej tyre madje nuk janë përmendur më vonë nga kërkues të tjerë në këtë fushë. Jepet fjala shqipe, në shumicën e rasteve vijon njësia përgjegjëse e turqishtes, disa herë edhe me referime tek arabishtja ose persishtja, si edhe përkthimi greqisht, kur ka pasur mundësinë ta përcaktonte. Më në fund janë shtuar edhe sinonimet e tjera shqipe, kur i ka gjetur. Natyrisht, ka pasaktësi, që mund t’i vëmë re sot, kur njohja dhe dija në këtë drejtim kanë ecur mjaft përpara.

Por gjithsesi, dorëshkrimet e bëjnë atë të parin studiues të huazimeve turke të shqipes në një plan të gjerë. K. Kristoforidhi është kujdesur që të mos përfshinte turqizma në Fjalorin e vet të gjuhës shqipe dhe kështu i ka përmbledhur veçan…

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...