Politikanët e Kosovës janë kundër bashkimit me Shqipërinë

7 Prill 2014 - 11:47 - Ben Blushi      

Kush do ta pengojë bashkimin e Shqipërisë me Kosovën; ndërkombëtarët apo vetë shqiptarët? Arsyet e elitës së Kosovës që do të vonojnë bashkimin dhe cilat janë ngjarjet ndërkombëtare që mund të ndikojnë në përfshirjen e shpejtë në BE të dy shteteve shqiptare .

“Elita politike e Kosovës, përveçse nën trysni të fortë të brendshme dhe të jashtme nuk do pranonte, në asnjë rast, të lëshonte pushtetin në Shqipëri. Ajo po konsolidohet, po fiton instinkt dhe shprehi politike, po krijon domen financiar dhe elektoral, të cilat është e qartë se nuk ka ndërmend t’i lëshojë për një kohë të gjatë”

****
Vonesa e zgjerimit me Evropën do ta detyrojë Shqipërinë të zgjerohet. Natyrisht në Kosovë. Por ky proces shumë shpejt do të ketë kundërshtarët e vet që do arrijnë ta shtyjnë bashkimin për disa dekada të mira. Dhe kundërshtarët e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën nuk do jenë më serbë, as rusë dhe as evropianë. Ata do të jenë shqiptarë.

Po përpiqem ta argumentoj këtë bindje, sepse e di që këto fjalë do t’ia ngrenë shigjetat e gjahut politik shumë shqiptarëve, që këtë sport e kanë të dashur në çdo kohë. Edhe kur vetë bëjnë të kundërtën. Sepse shqiptarët kanë një zakon nga i cili nuk shpëtojnë dot: luftën me të vërtetën. E vërteta është viktima e tyre më e madhe në histori.

Kosova është sot shteti më unik në Evropë. Funksionon si shtet, sepse ka qeveri dhe pushtet lokal të zgjedhur, ka parlament, ka polici dhe administratë. Është pra, një model funksional demokratik, pavarësisht nga cilësia e këtij modeli. E, megjithatë, Kosova ende nuk ka sovranitetin e duhur për të marrë disa vendime. Kosova është një eksperiment ndërkombëtar për modelin dhe funksionimin e të cilit doktrina perëndimore nuk ishte e përgatitur përpara se të ndodhte. Kosova ka thyer rregullin ndërkombëtar të krijimit të shteteve dhe, megjithëse ky përjashtim nga rregulli i ka dhënë avantazh shqiptarëve në tërësi, serish pyetjet që lidhen me të janë pa përgjigje. Çfarë do bëhet me Kosovën? A ka mundësi ky shtet të jetë politikisht dhe ekonomikisht i vetëmjaftueshëm? Unë them se po.

Më shumë për meritë të këmbënguljes së Shteteve të Bashkuara, por edhe të Evropës, eksperimentit shtetformues të Kosovës po i shkohet dhe do t’i shkohet deri në fund. Nuk ka më asnjë mundësi që Kosova të kthehet në Serbi. Por çështja është: Do ekzistojë si një shtet më vete, apo do duhet t’i bashkohet Shqipërisë? Evropa është e ndarë në këtë pikë. Kryesisht për shkak të refuzimit të Rusisë, roli i së cilës është duke u rritur, por edhe për shkak të paragjykimit për Shqipërinë. Paragjykimi për aftësinë shtetformuese të shqiptarëve e vonon procesin e bashkimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, ose e shtyn atë pa i dhënë mundësi Shqipërisë dhe Kosovës të forcohen bashkërisht si një shtet. Por në të ardhmen ky paragjykim do të mbijë edhe tek shqiptarët dhe, sidomos, tek shqiptarët e Kosovës.

A duhet të bashkohemi me Shqipërinë? Në fund të fundit, a ia vlen?
Kosova do ta vonojë bashkimin me Shqipërinë
Përveç konjukturës ndërkombëtare ka një faktor që sot dhe, ndoshta, edhe më shumë në të ardhmen, do të jetë në heshtje kundër bashkimit. Kjo është elita e Kosovës dhe, kryesisht, klasa e saj politike. Asaj i është dhënë mundësia për të qeverisur një vend që nuk ka ekzistuar dhe çdo motiv patriotik për ta humbur këtë mundësi do kundërshtohej. Në heshtje fillimisht, siç ndodh sot. Dhe, në të ardhmen, edhe me zë. Qoftë edhe mendimi se duke u bashkuar me Shqipërinë fuqia politike do të zhvendosej në Tiranë, e huton klasën politike në Kosovë, e cila pothuajse nuk flet për bashkim kombëtar, por vetëm për integrim.

Dhe kjo gjuhë nuk vjen vetëm nga detyrimi për të bërë farmaci diplomatike, por rrjedh nga nevoja e brendshme për autonomi.
Pas sigurimit të pavarësisë së plotë nga Serbia dhe, për pasojë, edhe nga kontrolli ndërkombëtar, nevoja për më shumë autonomi nga Shqipëria do të dominojë mendimin politik të Kosovës. Kështu ka për të ndodhur në të paktën dhjetë vitet e ardhshme për të mos thënë edhe më gjatë, nëse në Evropë nuk ka ngjarje të cilat sot është vështirë t’i parashikosh. Le të themi se kriza me Rusinë, frika e dominimit rus dhe presioni në rritje i ShBA, mund ta detyrojnë Evropën të kapërcejë skepticizmin që ka sot ndaj Ballkanit për shkak të prapambetjes, varfërisë e dasive etnike dhe, kësisoj, të marrë një vendim politik për bashkimin e shpejtë me Ballkanin dhe në këtë kontekst edhe të Shqipërisë me Kosovën apo të Serbisë me një pjesë të Bosnjës.

Por le të kthehemi në Kosovë, në kushtet kur faktorët ndërkombëtarë janë po ata që janë sot, pra po aq të mpirë, po aq të kujdesshëm dhe të pavendosur. Analiza e arsyeve shqiptare dhe e pasojave të këtyre arsyeve mbi Shqipërinë është qëllimi i këtij libri.
Elita politike e Kosovës, përveç se nën trysni të fortë të brendshme dhe të jashtme nuk do pranonte, në asnjë rast, të lëshonte pushtetin në Shqipëri. Ajo po konsolidohet, po fiton instikt dhe shprehi politike, po krijon domen financiar dhe elektoral, të cilat është e qartë se nuk ka ndërmend t’i lëshojë për një kohë të gjatë. Kosova një shtet i pavarur. Kjo është ajo që thonë shumica e politikanëve të Kosovës. Më shumë se për të bindur Perëndimin, flasin për të bindur veten dhe popullin që i voton. Madje, kur i dëgjoj që flasin për Shqipërinë, më duken shumë të ftohtë, aq sa, po të mos flisnin shqip, do dukeshin si finlandezë. Në gjuhën e tyre të kujdesshme dhe precize nuk gjen asnjë nuancë mbi të cilën mund të ndërtosh shpresën e bashkimit të shpejtë me Shqipërinë.

Është e qartë që pas luftës për Çlirimin e Kosovës ideali i bashkimit me Shqipërinë është ftohur. Liderët e Kosovës flasin për të ardhmen e tyre në fqinjësi të ngushtë me Shqipërinë. I kam zili për përparimin që kanë bërë, duke i hedhur ujë të ftohtë ndjenjave nacionaliste. Kjo gjuhë, pa dyshim, ndikon edhe në sentimentin e shqiptarëve të Kosovës. Të gjendur në mes të krizës, në kushtet kur ekonomia e tyre veçse shkon poshtë, kur papunësia është afro pesëdhjetë për qind dhe kur diaspora nuk sjell më të ardhurat me të cilat është furnizuar rezistenca në Kosovë dikur dhe, tashmë, edhe mirëqenia e saj, shqiptarët atje janë të mpirë. Ata nuk duan të bëjnë hapa prapa, në drejtim të Serbisë, por nuk dinë a duhet të bëjnë hapa përpara, në drejtim të Shqipërisë.

Bashkimi me Shqipërinë pas disa vitesh, edhe për meritë të elitës së Kosovës, nuk do jetë më projekti që ka qenë. Nacionalistët që kërkojnë një proces më të vendosur të ndarjes nga Serbia, si dhe një afrim më të shpejtë me Shqipërinë, janë duke u pakësuar. Kur ata korrin fitore elektorale, siç ishte rasti i komunës së Prishtinës, kjo nuk ndodh se janë nacionalistë, por për shkak të lodhjes nga administrata e vjetër dhe nga partitë e mëdha. Por siç ka ndodhur edhe në raste të tjera, nacionalizmi gjithmonë humb kur fiton pushtet. Ai korruptohet dhe shpërqendrohet, sepse i duhet të merret me punë të imta dhe të padukshme.

Në një kuptim, Kosova është i vetmi vend në rajon që do fillojë të ketë një kompleks nga Shqipëria. Nën ndikimin e klasës drejtuese nuk është çudi që kosovarët, në të ardhmen, ta perceptojnë Shqipërinë si një krahinë më të madhe me të cilën nuk ia vlen të bashkohesh, sepse liritë ekonomike do të zvogëlohen dhe ekonomia do të vuajë nga kostot e bashkimit. Tirana, që në këtë rast do ishte qendra e shtetit shqiptar, do përcaktonte prioritete të tjera zhvillimi dhe investimesh. Kjo pasiguri do t’i frikësojë, duke i stepur edhe nacionalistët më të flaktë, për të cilët Kosova është dhe do të jetë më e rëndësishme se Shqipëria. Bashkimi me Shqipërinë, në fakt, nuk do kishte më nevojë për ta, duke i lënë pa kauzë, pa parti dhe, ndoshta, edhe pa punë.

A do jetë Kosova një shtet më i rregullt se Shqipëria?
Para disa kohësh, duke zbritur nëpër qendrën e Prishtinës me dy miq të mi kosovarë, po bënim këtë bisedë. Ata besonin se bashkimi do duhej të ndodhte, por ndoshta në një kohë tjetër. Kur i pyesja se kur, flisnin për Evropën. Do bashkohemi atje, më thonin. Nuk kishin asnjë ngut dhe biseda për Bashkimin e Shqipërisë me Kosovën u dukej një ngjarje e largët, për të cilën nuk kishin arsye të merakoseshin përkohësisht. Më dukej njëlloj sikur bisedoja me një zviceran, që nuk ka asnjë ngut të jetojë në kufi me një belg. Nuk është aq e lehtë, më tha njeri prej tyre dhe, meqë duhej të gjeja një dalje, u thashë se Kosova, duke marrë parasysh kushtet ekonomike, mungesën e detit dhe një traditë të pakonsoliduar shtetformuese, nuk ka shans tjetër veçse të kthehet në një koloni të Shqipërisë. Mu desh t’i provokoja për të parë reagimin e tyre. Ishte epik.

Mu duk vetja si pushtues, ose si ata italianët e filmave shqiptarë që gjatë Luftës së Dytë Botërore endeshin nëpër qytetet e Shqipërisë duke folur për epërsinë e racës dhe kulturës së tyre. Por ndryshimi ishte se unë nuk isha italian, por një shqiptar që po fliste me dy shqiptarë të tjerë dhe prandaj nuk mund ta mendoja atë që ndodhi më pas. Miqtë e mi e morën për fyerje dhe çaji që pimë e humbi shijen. U përpoqa t’u shpjegoja se, natyrisht, nuk bëhej fjalë për kolonizim, aq më tepër për pushtim, por vetëm për një dominim politik, ekonomik dhe, sidomos kulturor, por provokimi kishte bërë efektin e vet. Duke e ngritur zërin në një lokal buzë qendrës, me tavolina të vogla dhe të zhurmshme, njëri prej tyre më tha të vërtetën. Kjo është frika jonë, tha ai. Kemi nevojë ta gëzojmë shumë më gjatë pavarësinë nga Serbia, por edhe nga Shqipëria. Ne kemi frike nga Shqipëria, tha.

Duke u bashkuar do humbim. Në të vërtetë, më tha diçka që kam nisur ta ndjej sa herë shkoj në Kosovë: nevojën e popullit dhe të atyre që e drejtojnë për t’u ndjerë zot në vendin e tyre. Është një ndjenjë e kuptueshme po të kesh parasysh historinë e Kosovës. Ky nuk është një sentiment që mund të qortohet, por duhet kuptuar. Dhe shpjeguar. Për të gjetur ndikimin e tij tek e ardhmja e Shqipërisë në përgjithësi.
Shqiptarët e Kosovës, por sidomos klasa politike, kanë vuajtur shumë nga mungesa e pavarësisë në shekuj. Humbja e saj i tremb dhe kjo ndjenjë do shtohet në të ardhmen. Në kushtet kur Shqipëria nuk do ketë progres shumë të fortë ekonomik, kur afrimi i saj me Evropën nuk do të ndodhë, madje, do ketë luhatjet e veta, hezitimi i kosovarëve për t’u bashkuar me Shqipërinë do të shtohet. Kjo do jetë tema kryesore që do fillojë të dominojë politikën e Kosovës pas disa vitesh. Të bashkohemi ose jo me Shqipërinë!

Unë besoj se duke e ndjerë këtë presion, klasa politike e shtyn ditën e pavarësisë së plotë politike nga Serbia dhe nga kontrolli ndërkombëtar. Madje, ajo i mirëpret lëkundjet në rendin botëror dhe, sidomos atë evropian, sepse e di që kështu ruan statuskuonë e vet. Ditën kur Evropa dhe Shtetet e Bashkuara do ikin simbolikisht nga Kosova, do hapet çështja e Shqipërisë. Dhe udhëheqja e Kosovës i druhet shumë kësaj dite. Ajo do jetë dita e saj më e vështirë, sepse atë ditë duhet të flasë vetë dhe jo me gjuhën e diplomacisë ndërkombëtare. Diplomacia do ta ketë të pamundur të shuajë reagimin e nacionalistëve në të dy vendet dhe prandaj argumenta të tjerë do të përdoren për ta ftohur përvëlimin e nevojës për bashkim. Natyrisht flasim për shumë vjet më vonë, ndoshta për dhjetë apo njëzet vjet, nëse gjithçka i lihet në dorë shqiptarëve, sepse ky është parakushti i këtij arsyetimi.

Por cilat do jenë këto argumenta? Besoj se do jenë disa arritje të vogla, por të dukshme, të cilat do bëjnë vazhdimisht kontrast me ngadalësimin e pritshëm të punëve në Shqipëri. Kosova ka sot të njëjtat sëmundje si Shqipëria. Në një masë të madhe, ajo perceptohet si një vend i korruptuar në të cilin krimi ekonomik e ka të lehtë të depërtojë me ndihmën e politikës. Si në Shqipëri. Po ashtu, në Kosovë reformat e vërteta nuk duken dhe perspektiva e një rimëkëmbje që vjen nga investimet dhe ulja e papunësisë janë larg. Këto teprime me lirinë ekonomike dhe demokracinë janë streha e të gjithë atyre që besojnë se shqiptarët sillen njëlloj, pavarësisht se ku jetojnë. Por, pavarësisht nga ngjashmëritë, Kosova ka jo pak diferenca me Shqipërinë.

Madje, ato dallime që sot nuk janë shumë të dukshme, do bëhen edhe më të shndritshme në të ardhmen. Kosova vjen nga një traditë jugosllave e administrimit të shtetit, e cila provoi se i reziston kohës pak më shumë se metoda e administrimit komunist në Shqipëri. Maqedonia është një dritare për të parë ndryshimin e Shqipërisë me Kosovën, në kuptimin e metodës së funksionimit të shtetit. Kosova dhe Maqedonia kanë jetuar për më shumë se 70 vjet nën të njëjtën ombrellë administrative. Nëse shkon në Maqedoni e kupton se për çfarë bëhet fjalë. Për raportin e njeriut me natyrën. Që e garanton shteti. Në këtë vend sundon rregulli edhe aty ku ka varfëri. Sepse jo gjithmonë varfëria lind mungesë rregulli. Fshatrat nuk janë shpërbërë, nuk i janë afruar rrugës dhe as kanë zaptuar tokat e bukës; nuk ka ndërtime pa leje, nuk ka zona informale; prona private është respektuar dhe i është kthyer edhe kur i ishte marrë të zotit; në përgjithësi rendi është më i stabilizuar për të mos folur, pastaj, për cilësinë e rrugëve dhe për autoritetin zyrtar të shtetit, nga policët tek doganierët, të cilët është shumë më e vështirë t’i korruptosh sesa në Shqipëri (Pjesë nga libri “Hëna e Shqipërisë”)
 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...