Heroinat tona

8 Mars 2015 - 23:10 - Atifete Jahjaga      

Bashkë e bëmë luftën, bashkë po e ndërtojmë shtetin

Fahrije Hoti është një grua rreth të pesëdhjetave nga Krusha e Madhe. Ajo është nënë e dy fëmijëve dhe njëra prej 200 grave të këtij fshati që humbi burrin në luftë.

Do të thoni pse rrëfimi për zonjën Fahrije duhet të na interesojë?!
Ndoshta keni të drejtë?! Pakkush e njeh kush është ajo, prandaj pikërisht për këtë dua të ndaj me ju rrëfimin për këtë zonjë shumë të nderuar të Krushës së Madhe.

Si shumë gra të tjera nga ky fshat, 200 sosh, edhe Fahrija pësoi dhe humbi shumë nga lufta e fundit. Asaj ia vranë burrin dhe mbeti e vetme me dy fëmijët e saj.

E, imagjinoni se sa të vështirë do ta ketë pasur!

Secili prej nesh ka dëgjuar, ka parë, por edhe ka përjetuar situata nga më të ndryshmet, kur njeriu humb besimin, humb idealin, kur njeriut i vritet shpresa, dhe si përfundim i dorëzohet fatit që të tjerët vendosin për të. Por jo, ky nuk është rrëfimi i zonjës Fahrije!
Ajo bashkë me mikeshat e saj të fshatit, të gjitha të veja të luftës, gjetën forcën, patën guximin dhe vullnetin e pathyeshëm për të ecur përpara.

Mbi hirin dhe gërmadhat e shtëpive ato filluan të vënë tullë mbi tullë dhe çdo ditë nga pak po kontribuojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për fëmijët e tyre.
Ato na dëshmuan të gjithëve se janë të pamposhtura, kanë vullnet të çeliktë, nuk gjunjëzohen para askujt, madje as para vdekjes.
Fahrija e filloi prodhimin e specave dhe të ajvarit në shtëpinë e saj prej vitit 2005. Punoi natë e ditë pa pushim, me mish e me shpirt u angazhua për vite të tëra që fëmijëve të saj të mos iu mungonte asgjë prej gjëje. Vitet kaluan, fëmijët rriteshin, por për të nuk ishte aspak e lehtë, kishte shumë sfida, kishte mosbesim, por edhe paragjykim. Ajo nuk u gjunjëzua, nuk u tremb nga të panjohurat që e nesërmja do t’ia sillte. Ajo bashkë me mikeshat e saj ia doli mbanë!

Nga një nismë individuale që në vitin 2006 u shndërrua në shoqatën e grave të veja “Krusha” në Krushë të Madhe, sot ajo drejton kooperativën “Krusha” dhe ka të punësuara 25 gra të tjera të fshatit. Ajo planifikon të shtojë prodhimin dhe të dyfishojë numrin e grave të punësuara.

Unë e di, jam e sigurt se ajo do t’ia arrijë këtij qëllimi, do të përmbushë vizionin që ka për kooperativën “Krusha”, do të vazhdojë të krijojë vende të reja të punës pa pyetur asnjëherë se çfarë bëri shteti për të, por duke punuar çdo ditë me përkushtim të madh për ndërtimin e së ardhmes më të mirë për fëmijët e saj, për të ardhmen e atdheut.

E ndava me ju rrëfimin për zonjën Fahrije, si një grua ndërmarrëse shumë e guximshme, por të jeni të bindur se kam takuar e biseduar me shumë zonja të tjera, të cilat janë të përkushtuara në punën e tyre, kanë vullnet dhe jetojnë me idealin për ta bërë Kosovën shtet ashtu siç të gjithë ne, dhe gjeneratat para nesh e kanë ëndërruar.

Derisa çdo ditë e më tepër temë diskutimi në tavolinat e vendimmarrjes po bëhen barazia gjinore dhe mundësitë e barabarta për të dyja gjinitë në të gjitha profesionet dhe sferat e jetës, dua të ndaj me ju edhe një rrëfim tjetër për një zonjë të guximshme, të suksesshme në profesionin e saj.

Para disa ditësh ajo morri çmimin ndërkombëtar që iu dedikohet grave të guximshme dhe që ndahet nga Sekretari amerikan i Shtetit. Është gazetarja Arbana Xharra, suksesi i së cilës shkon përtej kufijve të Kosovës, për tema që kanë të bëjnë me siguri kombëtare dhe ndërkombëtare.

Por Arbana nuk është gruaja e parë e Kosovës që u laureua me këtë çmim sa prestigjioz aq edhe domethënës. Në vitin 2008, këtë çmim e fitoi aktivistja e njohur për të drejtat e njeriut Valdete Idrizi për angazhimin e saj që të sjellë paqen ndërmjet komuniteteve të ndryshme etnike në Mitrovicë. Ndërsa në vitin 1999, me çmimin ndërkombëtare për guxim në gazetari nga Fondacioni Ndërkombëtar i grave në Media u nderua Afërdita Saraçini –Kelmendi, drejtoreshë e përgjithshme e RTV21.

Në Kosovë ka shumë gra që punojnë me përkushtim për zhvillimin e përgjithshëm të vendit tonë, për avancim të sistemit arsimor, për sistem shëndetësor më cilësor, për zhvillim ekonomik, për zhvillim të demokracisë dhe për demokratizim të institucioneve tona.
Të gjitha këto gra pa dallim meritojnë respektin tonë. Ato të gjitha janë heroinat tona të heshtura, ato nuk flasin, ato janë si bletë punëtore që asnjëherë nuk ndalen!

Që prej ditëve të para të punës si presidente e Republikës së Kosovës jam angazhuar për krijimin e mundësive të barabarta si për burrat ashtu edhe për gratë, sepse jam e bindur se investimi në një grua është investim i mençur. Është investim jo vetëm në individin, por edhe investim në familje dhe në ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit. Fuqizimi ekonomik i vajzave dhe i grave, që nënkupton përfshirjen e barabartë të tyre në prodhim dhe aktivitete ekonomike, ka ndikim të drejtpërdrejtë në ngritjen e standardit të jetesës për secilin qytetar dhe në të hyrat e shtetit.

Barazia gjinore është gjenerator i zhvillimit për secilën shoqëri, dhe Kosova sot më shumë se kurrë ka nevojë për perspektivë të qartë të zhvillimit, për hapjen e vendeve të reja të punës dhe për ndërtimin e të ardhmes më të mirë për fëmijët tanë.

Andaj edhe në këtë 8 Mars, në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Gruas, kur i analizojmë arritjet tona të përbashkëta në përpjekje dhe angazhim të vazhdueshëm për ta mbyllur hendekun gjinor, unë bëj thirrje për fuqizimin ekonomik të gruas në Kosovë, sepse kjo nënkupton fuqizimin ekonomik të vendit tonë, kjo nënkupton të ardhme të sigurt në familjen e madhe evropiane.

Ne të gjithë së bashku, të barabartë, gratë dhe burrat e Kosovës, ne jemi bartës të ndryshimit të madh që duhet të ndodhë për ta bërë Kosovën ashtu siç e kemi ëndërruar, vend të mundësive të panumërta për secilin qytetar pa dallim.

Kosova është promovuese e paqes dhe e stabilitetit në rajon. Kosova është model i tolerancës ndërfetare dhe prijëse e shumë proceseve pozitive në gjithë rajonin. Prandaj, Kosova duhet të jetë prijëse dhe model edhe në ofrimin e mundësive të barabarta dhe barazisë gjinore në të gjitha nivelet, në të gjitha fushat e jetës.

Ky është detyrimi ynë ndaj shtetit që jemi duke e fuqizuar çdo ditë e më shumë!

(Autorja, presidente e Republikës së Kosovës, e ka shkruar këtë vështrim me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, për botim ekskluziv në “Kohën Ditore”)

© KOHA.net

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...