UP-ja nuk është qendër sociale

18 Nëntor 2014 - 15:45 - Ganimet Klaiqi      

Vendimi i ministrit të Arsimit, Ramë Buja, i nxjerrë të enjten më 13 nëntor, në të cilin urdhërohet regjistrimi i të gjithë fëmijëve të shoqatave të dala nga lufta në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, pavarësisht suksesit të tyre, po e bën UP-në të duket si një qendër sociale dhe jo si një tempull ku shpërndahet dhe fitohet dija dhe ku ka kritere për t’u pranuar dhe shkolluar tutje.

Ai vendim, gjithashtu, bëri me dije edhe një herë se në Kosovë pushteti po vë gisht të pakontrolluar në institucione të pavarura arsimore. Bëri me dije se struktura të caktuara, të vetëthirrura në meritokraci, po vazhdojnë ta cilësojnë Kosovën si një shtet vetëm të tyre, si një shtet ku të tjerët kanë qëlluar rastësisht në të dhe se nuk kanë bërë asgjë për të ardhmen e vendit. Diçka e këtillë sikur u dëshmua me Vendimin e MASHT-it për regjistrimin e fëmijëve të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së në vitin akademik 2014-2015, pavarësisht se sa të suksesshëm ishin ata gjatë shkollimit paraprak dhe plotësimit apo jo të kritereve.

“Të regjistrohen fëmijët e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, sipas memorandumit të bashkëpunimit të lidhur mes Universitetit të Prishtinës dhe OVL të UÇK-së, Shoqatës së Invalidëve të UÇK-së, dhe Shoqatës së dëshmorëve të UÇK-së të datës 30.9.2009, për regjistrimin e studentëve që janë pjesë e këtyre kategorive”, theksohet në pikën 1 të vendimit, derisa në pikën 2 shtohet: “Të regjistrohen vetëm kandidatët të cilët u janë nënshtruar provimeve pranuese sipas afateve zyrtare të shpallura nëpërmjet konkurseve për vitin akademik 2014-2015”.

Në pikën 3, ndërkaq, jepet një alternativë, nëse nuk ka vende në disa programe. “Në pamundësi eventuale që të regjistrohen në programe ku kanë aplikuar, të regjistrohen në programe të përafërta”, përfundon vendimi, i nënshkruar nga ministri Ramë Buja dhe dërguar edhe rektorit të UP-së “Hasan Prishtina”, Ramadan Zejnullahu.

Ky vendim i pakuptimtë dhe diskriminues ndaj studentëve të merituar e që kanë mbetur pa u regjistruar u nxit dhe u përkrah verbërisht nga shoqatat e dala nga lufta, të cilët demonstruan një gjuhë të ashpër, po ashtu pa kritere morale brenda një shoqërie të shëndoshë. Ata sikur po vazhdojnë të dëshmojnë se angazhimin për çlirimin e vendit nuk e kishin bërë si atdhetarë, por si mercenarë, që të përfitojnë pastaj, që ta mjelin këtë vend kudo që kanë mundësi. Ata nuk po i kanë dert kriteret akademike të përcaktuara. Po u mjafton që të regjistruarit të jenë fëmijë të veteranëve apo të shoqatave të dala nga lufta, thuajse të tjerët në Kosovë, gjatë viteve ‘90 të shekullit të kaluar, ishin duke luftuar krah serbëve dhe kundër tyre.

A e dinë ata që rreth 28 mijë arsimtarë, pikërisht për shkak të dëshirës së pavarësimit të arsimimit dhe të shtetit, nga vitet ‘90 punuan pa asnjë metelik. Nëse këta që po këmbëngulin në këto gjëra shikojnë vetëm pak prapa tyre (ata po mendojnë që historia e Kosovës filloi më 1997-99), do të shohin se çfarë veprimi të pamatur dhe të paqëndrueshëm janë duke bërë.
Edhe sikur t’i mënjanojmë krejt këto, një vendim i kësaj natyre po e kthen Universitetin publik të Prishtinës “Hasan Prishtina” të duket i mjerë, një vend ku mund të hyjë dhe të dalë me diplomë kushdo. E bën atë të ngjasojë në diçka që s’i ngjason një tempulli të studiuesve për formësimin intelektual të gjeneratave të reja dhe përparimit të shoqërisë.

Ky vendim i MASHT-it përkatësisht i ministrit Buja lë të kuptohet se ky universitet edhe për një kohë nuk do të ketë mundësi të menaxhohet nga rektorë të pavarur. Në këtë rrafsh vlen të përmendet ngulmi i rektorit aktual të UP-së, Zejnullahu, se do të japë dorëheqjen në rast se edhe Këshilli Drejtues i UP-së vendos sipas vendimit të MASHT-it, por kjo për më tepër mund të mbetet një ngushëllim.

Është hipotetike të spekulohet se si do të vendosë Këshilli Drejtues i UP-së rreth atij vendimi, për mua të paqëndrueshëm dhe të turpshëm, por është më se e qartë se miratimi i një vendimi të tillë e dëmton skajshmërisht UP-në. E dëmton në radhë të parë në cilësi.

Edhe pa ata studentë (gjithnjë bëhet fjalë për ata që s’i kanë plotësuar kriteret), kushdo që të jenë dhe ngado që vijnë, UP-ja po vazhdon të ketë imazh të keq. Kurse kur t’i shtohen edhe qindra të tillë, që nuk e kanë kaluar as 30 për qind të testit pranues, duke i anashkaluar studentët e shkëlqyeshëm, vetëm shtohet dëmtimi i imazhit. Edhe më të rënda u paraqiten deklaratat e disa zyrtarëve, kur thanë pa menduar mirë se UP-ja menaxhohet nga MASHT-i. Ata po harrojnë se edhe Ligji për Arsimin e Lartë e edhe vetë Statuti i UP-së janë të miratuara në Kuvendin e Kosovës dhe se Ministria e Arsimit e ka për detyrë t’i hartojë vetëm politikat e zhvillimit arsimor dhe jo të përzihet në fushën akademike.
Në këtë rrafsh shoqëria civile duhet të jetë më e zëshme. Kosovës i nevojiten studentë që studiojnë dhe meritojnë vende pune, duke u bazuar në dije dhe jo asi që futen në dyert e UP-së për të marrë diplomë sa për t’u punësuar fillimisht, e më pas për të vendosur rregulla të natyrës për të cilën po shkruajmë.

Nuk është se kjo kategori “fëmijësh” nuk meriton trajtim më ndryshe në shoqëri, sidomos ata të dëshmorëve të kombit dhe të invalidëve të luftës, por ka forma të tjera më të arsyeshme, të cilat nuk e dëmtojnë edhe më shumë cilësinë e arsimit. Ata, ta zëmë, mund të kenë përparësi në udhëtim, në shërbime shëndetësore, në pranimin e ndihmave sociale, por assesi dhe askush nuk do të duhej të merrte guximin që t’i dërgonte në universitet për studime, edhe pse kanë treguar rezultate dukshëm më të dobëta se bashkëmoshatarët e tjerë të tyre.
Aq më tepër, nuk do të duhej të guxonte të ndodhte një lëshim i tillë, kur dihet që shumica e familjeve kosovare që kanë fëmijë për të shkolluar jetojnë në kushte minimale të jetesës, derisa disa syresh jetojnë edhe nën asistencë sociale.

E si do të ndihen ata fëmijë që shkollimin e kanë mbaruar nën kushte skajshmërisht të rënda? Si do t’i cilësojnë ata “çliruesit” e tyre, që për shkak se i kanë shërbyer vendit tashti shkelin mbi të drejtat e tyre elementare të shkollimit.
Të rekomanduarit me vendim të MASHT-it për t’u regjistruar në UP thuhet të jenë më shumë se 1000, që nënkupton se bëhen rreth 1000 shkelje të të drejtave të shkollimit.
Mos MASHT, tërhiqe atë vendim! Le të jetë që të kenë përparësi regjistrimi vetëm ata studentë të shoqatave të dala nga lufta, të cilët janë konkurrentë të barabartë në raport me të tjerët! Bile të tillët duhet të shkollohen falas, pa paguar semestër, konvikt e shërbime të tjera. Janë të merituar edhe në mësime, edhe me prindërit e tyre luftëtarë!

Universiteti s’është qendër sociale, është vend i dijes, vend që ka për qëllim ta ndërtojë të ardhmen mbi baza të shëndosha. Duke vazhduar në këtë mënyrë, Universiteti Publik i Prishtinës dhe universitetet e tjera publike që tashmë janë formuar në rajonet e Kosovës do të mbeten robër të injorancës dhe krijimit të rehatisë të kategorive të ndryshme dhe jo të atyre që synojnë dije dhe zhvillim të shkencës, teknologjisë dhe avancimit shoqëror.

© KOHA.net

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...