Kerry në Shqipëri, përplas sërish kryeministrin me presidentin

12 Shkurt 2016 - 22:03      

Kur John Kerry të mbërrijë në Rinas mëngjesin e së dielës, përveç anëtarëve të protokollit të shtetit dhe zyrtarëve të nivelit të dytë do të gjejë edhe presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.

Zyra e kreut të shtetit njoftoi se presidenti do të jetë që herët në mëngjes në aeroport për të pritur sekretarin amerikan të Shtetit. Ky shtrëngim duarsh do të konisderohet edhe si takim me presidentin e Republikës, raporton Top Channel.

Si gjithnjë, edhe në këtë rast shteti nuk është paraqitur me një protokoll unik, por Presidenca dhe Kryeministria kanë nxjerrë sërish shpatat.

TCh citoi burime amerikane pak ditë më parë kur njoftoi se Kerry do të takohej vetëm me Ramën dhe Bashën. Të premten në mëngjes, një tjetër i përjashtuar nga protokolli i takimeve, Ilir Meta, u takua me Nishanin në zyrën e tij.

Por duket se ndryshe nga kreu i shtetit, kreu i Kuvendit nuk ka ndonjë shqetësim për këtë.
“Nuk është lajm nëse do takohesha apo jo me të. Nuk është kryetari i kongresit të Shteteve të Bashkuara”, ka thënë Meta.

Pas mbërritjes në Rinas, shefi i diplomacisë amerikane do t’i drejtohet Kryeministrisë. Siç njofton zyra e kryeministrit, John Kerry do të takohet fillimisht me homologun e tij, Ditmir Bushati dhe më pas do të kryejë takimin me kreun e qeverisë, Edi Rama.

Agjenda zyrtare përmban një deklaratë të përbashkët mes Kerryt dhe Ramës në orën 11:00 dhe menjëherë më pas, sekretari i Shtetit do të zhvendoset disa metra më tej, në hotel “Rogner”, ku do të zhvillohet takimi me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i shoqëruar nga 4 deputetë.

Gjatë mesditës së të premtes u fol për një takim të John Kerryt me Hashim Thaçin, por Top Channel konfirmoi se ky takim nuk është në axhendën e sekretarit amerikan të Shtetit.

09.00 Pritja në Rinas nga Presidenti
10.10 Takime me Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm
11.00 Deklaratë e përbashkët e Sekretarit Kerry me kryeministrin Rama
11.40 Takim me Kryetarin e PD, Lulzim Basha, në hotel “Rogner”

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...