Ish-anëtarët e Vetëvendosjes kritikojnë veprimet e dhunshme të opozitës

10 Shkurt 2016 - 15:15      

Kryeministri Isa Mustafa ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Organizatës “Fraksion +”, Ajnishahe Halimi, Fatos Aliu dhe Arben Gecaj, të gjithë këta ish-anëtarët të Lëvizjes Vetëvendosje.

Lidhur me krizën institucionale në të cilën ka hyrë vendi tash e disa muaj si pasojë e kundërshtimit të marrëveshjeve të nënshkruara nga Qeveria e Kosovës me Serbinë dhe me Malin e Zi, përfaqësuesit e “Fraksion +” thanë se vetëm dialogu ndërmjet subjekteve politike në institucionet e Republikës është zgjidhja.

“Rruga institucionale dhe dialogu i hapur dhe demokratik janë alternativa e vetme”, thanë ata, duke theksuar se nuk “duhet të lejohet në asnjë mënyrë që temat e rëndësishme për vendin të shfrytëzohen si pretekste për pushtet, duke mos kursyer edhe përdorimin e mjeteve të dhunës”.

“Duhet të ketë zero tolerancë ndaj dhunës dhe tendencave për të çuar vendin në gjakderdhje”, thanë ata, ndërsa shtuan se “dialogu transparent i brendshëm dhe ai i jashtëm janë të paevitueshme”.

Ndërkaq, kryeministri Mustafa i ka njoftuar ata në detaje për marrëveshjen për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, duke shprehur përkushtimin për adresimin e mëtejmë të këtyre dy çështjeve në përputhje me vendimet e institucioneve kompetente dhe në mbrojtje të plotë të interesave madhore të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës.

Mustafa ka shprehur gjithashtu vendosmërinë e Qeverisë për të avancuar proceset demokratike, duke u bazuar në legjitimitetin dhe legalitetin e plotë institucional, me vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur në zgjedhje si dhe me përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Gjatë takimit, siç potencon komunikata e Kryeministrisë, ishte konkluzion i përbashkët se “protestat e dhunshme dëmtojnë zhvillimet demokratike dhe tërë proceset tjera në Republikën e Kosovës dhe se ato nuk sjellin zgjidhje për shqetësimet reale të qytetarëve të vendit”.

“Po ashtu, të dy palët u pajtuan se dy temat e ngritura nga opozita si kauza për veprimet e dhunshme gjatë muajve të fundit, janë përdorur si pretekste populliste për të bërë përpjekje për rrëzimin e Qeverisë dhe ardhjen në pushtet”, përfundon komunikata e Kryeministrisë. 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...