Bajrami: Projekti i Brezovicës u shty edhe prej situatës politike

23 Dhjetor 2015 - 13:36      

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami ka prezantuar punën e dikasterit që ajo drejton për vitin 2015, teksa bëri të ditur se është shtyrë afati i sjelljes së dokumentacionit për projektin e zhvillimit të kompleksit turistik “Brezovica” deri më 31 maj 2016.

“Komisioni ndërministror ka marrë vendimin, që kontrata dhe data e fundit për sjelljen e dokumentacionit, që dëshmojnë mobilizimin e financave, të jetë 31 maji i vitit 2016. Jemi marrë vesh gjithashtu, që të mos ketë shtyerje të tjera. Më 31 maj, nëse nuk i kemi të gjitha dëshmitë për mobilizimin e financave, Qeveria e Republikës së Kosovës do të ekzekutojë garancinë bankare, e cila është dyfishi i asaj që ka qenë. Garancia bankare për 6-mujorshin e ditëve të punës ka qenë 180 mijë, tashmë kemi 500 mijë euro”, tha Hykmete Bajrami, ministre e MTI-së.

Bajrami tha se, një ndër arsyet që konsorciumi ka kërkuar shtyrjen e afatit është edhe situata politike e muajve të fundit, në veçanti ajo me gazin lotsjellës brenda Kuvendit të Kosovës.

“Besojmë se, situata politike dhe gazi lotsjellës në Kuvend kanë pasur një impakt. Në fakt, një nga arsyet e konsorciumit të Brezovicës, që ka kërkuar zgjatje të afatit, ka qenë edhe kjo, ndaj dhe kanë thënë se ka qenë e vështirë që të përmbyllen negociatat me kompani botërore. Ata nuk kanë pavarësi tërësore prej financuesve të tyre, por një prej faktorëve që kanë ndikuar në zgjatjen e këtyre negociatave, ka qenë edhe gazi lotsjellës dhe pamjet në Kuvend”, tha Hykmete Bajrami, ministre e MTI-së.

Ministrja shtoi se, konsorciumi ka arritur të mobilizojë rreth 100 milionë euro dhe janë në negociata edhe me kompani të tjera, të cilat kanë kërkuar takime edhe me institucionet e Republikës së Kosovës.

Ministrja Hykmete Bajrami, duke folur për investimet e huaja të drejtpërdrejta tha se, vetëm në periudhën janar-shtator kanë qenë mbi 250 milionë, që sipas saj paraqet rritje të konsiderueshme në krahasim me 3 vitet e kaluara.

Ndër sukseset e këtij viti, ministrja theksoi funksionalizimin e zonave të lira ekonomike, riaktivizimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillimin Ekonomik të Kosovës, hapjen e tregut dhe integrimin e tregjeve rajonale dhe globale, përmirësimin e infrastrukturës ligjore, e të tjera. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...