Mustafa: Ligji për Asociacionin është miratuar më 2013 nga ata që sot po e kundërshtojnë

24 Nëntor 2015 - 11:26      

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka kritikuar edhe njëherë veprimet e opozitës me të cilat po kundërshtojnë nënshkrimin e marrëveshjeve në Bruksel dhe Demarkacionin me Malin e Zi.

Mustafa, në një konferencë për media, u kërkoi liderëve të opozitës që të kthehen në Kuvendin e Kosovës dhe të kuvendojnë ashtu siç u ka hije liderëve të një shteti demokratik.

Pamjet e dhunës, të gazit lotsjellës dhe të tjera veprime të opozitës janë të papranueshme për Isa Mustafën.

Ai luti opozitën që të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të mos e bëjnë vetë gjyqësinë.

“Ftoj opozitën që të vijnë në tempullin e demokracisë, në Kuvend, që të bisedojmë dhe t’i zgjidhim çështjet bashkë. Metodat e opozitës janë të pastra metoda të dhunës për të arritur objektivat politike. Këto metoda nuk i përkrah askush, pos një numri huliganësh që janë të prirë të shkatërrojnë gjithçka”, tha Mustafa gjatë fjalimit të tij në konferencë, raporton KP.

“Themelimi i Asociacionit nuk është vullnet i imi personal, por çështje që derivon nga ligji që është miratuar në vitin 2013 me shumicë votash edhe të atyre që sot po e kundërshtojnë. Askush nga ne, as pozita e as opozita, nuk mund ta marrin rolin e Gjykatës Kushtetuese. Jam i gatshëm ta zbatoj vendimin e GJK-së për Asociacionin. Opozita bën mirë ta pres vendimin GJK-së e mos ta merr në dorë vetëgjyqësinë”, theksoi kreu i ekzekutivit, Isa Mustafa.

“Edhe për demarkacionin kam kërkuar nga BE mbështetje profesionale”, tha Mustafa.

Ai falënderoi qytetarët për sjelljen e tyre dinjitoze ndaj këtyre zhvillimeve që i kanë shqetësuar ata dhe miqtë ndërkombëtarë.

“Qeveria që unë drejtoj është e vendosur pavarësisht vështirësive të qoj Kosovën drejt integrimit. Qeveria është dhe do të jetë e hapur për opozitën”, tha më tutje Mustafa. 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...