Rama emëron Manjanin në vend të Naços

9 Nëntor 2015 - 22:06      

Në mënyrë të papritur ministri i Drejtësisë në Shqipëri, Nasip Naço dha sot dorëheqjen pas dy vitesh në detyrë. Ai ka patur një takim me kryeministrin Edi Rama, të cilit i ka komunikuar vendimin, edhe përmes një letre.

Në orët e pasdites, Ministria e Drejtësisë ka publikuar letrën e dorëheqjes së ish-kreut të këtij dikasteri, Nasip Naço. Ky i fundit, duke iu drejtuar kryeministrit Rama, e falënderon për bashkëpunimin, ndërkohë që thotë i bindur se reforma në drejtësi kërkon një nivel më të lartë bashkëpunimi dhe bashkëveprimi.

Naço, në letër, thotë se shpreson se akti i dorëheqjes do të ndihmojë në krijimin e klimës së bashkëpunimit të kërkuar për reformimin e sistemit të drejtësisë.

Pas kësaj dorëheqjeje, Rama ka patur një takim dhe me kryetarin e parlamentit Ilir Meta. Meta është kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, dhe Naço ishte një ndër 5 ministrat e kësaj force politike, aleatja kryesore e socialistëve të Ramës. Javët e fundit Meta kishte folur disa herë për nevojën e “impulseve të reja në qeverisje” duke mohuar publikisht se diçka e tillë lidhej domosdoshmërisht me ndryshime në ekzekutiv, raporton VOA.

Në deklarimet e tij, pak pas takimit me kryeministrin, Meta la të kuptohej se arsyet e dorëheqjes së ministrit nuk ishin personale, siç u spekulua fillimisht në media, porse ato kishin si shkak një marrëdhënie jo të përshtatshme dhe një pakënaqësi, lidhur me procesin e reformës në Drejtësi.

“Më duhet të vlerësoj aktin e dorëheqjes së Ministrit të Drejtësisë z. Nasip Naço si një akt të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm, si një akt qytetar i cili ka dhënë kontributin e tij gjatë gjithë kësaj periudhe në të mirë të qeverisjes dhe të reformave. Por njëkohësisht me këtë akt, ai ka gjykuar se jep një kontribut për të ndihmuar në realizimin e një bashkëpunimi të kërkuar prej kohësh dhe më të gjerë dhe në nivel të ri për të çuar përpara gjithë reformat dhe sidomos reformën në fushën e drejtësisë”, u shpreh kryetari i LSI-së, Ilir Meta.

Nevojës së një bashkëpunimi të ndryshëm nga ai i deritanishmi, Meta i mëshoi edhe kur foli për pasuesin e Naços. “Besoj se emri i ri që do të propozojë Kryeministri, do të jetë një emër që do të çojë në një bashkëpunim më të gjerë e më të ri”, deklaroi Meta.

Por arsyet e pakënaqësisë në raport me Reformën në Drejtësi nuk duken fort bindëse nëse mbahet parasysh se procesi i kësaj reforme ka nisur që prej gati një viti, dhe asnjëherë më parë Naço nuk ka shprehur ndonjë rezervë, me përjashtim të vendimit të LSI-së për të paraqitur, pak javë më parë, krahas propozimeve të grupit të ekspertëve të angazhuar në Komisionin parlamentar të refomës, disa propozime të saja alternative.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e ministrisë së Drejtësisë rezulton të kenë qenë të angazhuar në të gjitha fazat e procesit, madje gjatë kësaj jave dhe javën e ardhshme janë parashikuar të organizohen, me ministrinë e Drejtësisë edhe dy tryeza lidhur me reformën.

Largimi i Napos u shoqërua menjëherë me hipotezat e ndryshimeve të mundshme brenda kabinetit qeveritar. Por kryeministri i ka qëndruar besnik pozicionit të tij të përsëritur se nuk ka arsye për të bërë ndryshime në qeveri, dhe brenda pak orësh, ka vendosur për zëvendësuesin.

Detyra e ministrit të ri të Drejtësisë i është ngarkuar përfaqësuesit tjetër të LSI-së, Ylli Manjani.

Në një deklaratë të qeverisë lidhur me takimin që kryeministri ka patur me ministrin e ardhshëm bëhet e ditur se “Reforma në Drejtësi, përmirësimi i punës në zyrat e hipotekave, rritja e cilësisë së shërbimit në burgje, si edhe ritmi i asistencës teknike të Ministrisë së Drejtësisë në procesin e hartimit të akteve ligjore e nënligjore në funksion të reformave, kanë qenë në fokus të bashkëbisedimit”.

Kjo është dorëheqja e dytë në kabinetin e Ramës që prej ardhjes së tij në pushtet në shtator të 2013. Vitin e kaluar, u tërhoq ministri i atëhershëm për Marrëdhëniet me parlamentin, Ilirjan Celibashi. Ai ishte përfaqësues i Partisë Socialiste dhe u zëvendësua menjëherë nga socialistja tjetër, Ermonela Felaj. 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...