Përmbledhje nga ngjarjet që ndodhen në Paris, për Kosovën në UNESCO [video]

9 Nëntor 2015 - 19:06      

Ëndrra e Kosovës që të pranohet në UNESCO nuk u bë realitet.

Lobimi disa mujor i ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçi dhe zyrtarëve të tjerë të shtetit nuk ndihmuan që Kosova të jetë pjesë UNESCO-s.

Për 3 vota shteti i Kosovës mbeti jashtë kësaj organizate të rëndësishme të Kombeve të Bashkuara.

Në konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s Kosova ka marrë 92 vota për pranim në këtë organizatë, kundër kanë votuar 50 shtete.

Ndërkaq 29 shtete të tjera kanë abstenuar.

Ndër shtetet që kundërshtuan pranimin e Kosovës janë Brazili, Kina, Spanja, Rusia, India, Kazakistani, Bjellorusia, Palestina, Koreja Veriore, Sllovakia, Urugai, Venezuela, Bahrejni dhe Indonezia.

E paraprakisht, Serbia, siç ishte pritur, kërkoi shtyrjen e votimit për anëtarësim.

Pas një debati të ndezur, propozimi i Serbisë i mbështetur nga Rusia, Argjentina, Kuba e që u kundërshtua nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Gjermania, dështoi të marrë votat që të shtyhet votimi.

Kosova ka dështuar të bëhet anëtare e organizatës më të madhe për shkencë, arsim e kulturë, UNESCO. 92 shtete votuan për anëtarësimin e Kosovës, ndërkaq 50 ishin kundër dhe 29 shtete të tjera abstenuan. Përkundër kësaj, ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, ka deklaruar se shumica e botës votuan për Kosovën, derisa ka premtuar se nuk do të ndalen deri në anëtarësimin e shtetit në këtë organizatë.

Kur ambasadori i Serbisë kërkoi që vendimi të shtyhet, ambasadori i Britanisë së Madhe ka thënë se është kundër shtyrjes, sepse, shtoi ai, kurrë nuk ka ndodhur që Konferenca e Përgjithshme të refuzojë vendin që e ka propozuar Këshilli Ekzekutiv.

Këtë kërkesë e ka kundërshtuar edhe ambasadori i Gjermanisë në UNESCO.

Ambasadori i Austrisë ka theksuar se i ka të afërta edhe Kosovën e edhe Serbinë, porse vendi i tij është kundër shtyrjes së mbledhjes.

E menjëherë pas votimit kundër shtyrjes, kreu i diplomacisë kosovare, Hashim Thaçi, tha se u fitua një betejë procedurale për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s.

Ndërsa, pas votimit të dytë, atë për pranimin e Kosovës në UNESCO, ku Kosova dështoi t’i sigurojë votat e nevojshme për anëtarësim, pavarësisht rezultatit, Hashim Thaçi e zëvendësi i tij, Petrit Selimi, nga Parisi kanë premtuar se nuk do ta ndalin këtë rrugë të rëndësishme të Kosovës.

Ndërkaq, votimi i ardhshëm për pranimin e Kosovës në UNESCO mund të bëhet pas dy vjetësh, në vitin 2017.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...