Kosova ka më shumë miq pas fushatës për UNESCO, thotë Çollaku

7 Nëntor 2015 - 13:01      

Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, po pret një PO të madhe për Kosovën nga Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s, çka do ta bënte shtetin e ri të Evropës pjesë të kësaj organizate të rëndësishme të OKB-së.

Çollaku e ka quajtur votim jo të lehtë atë të së hënës. Fushatën e qeverisë të cilës i përket e ka quajtur “të klasit botëror”, e atë të Serbisë si “fushtatë të panikut”.

Ky është komenti i plotë i ministrit Çollaku:

Fushata diplomatike e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) do të marrë një përgjigje të rëndësishme të hënën.

Besoj se kjo përgjigje do të jetë një PO e madhe, ashtu siç i rekomandoi qartë më 21 tetor Bordi ekzekutiv i kësaj organizate Konferencës së Përgjithshme ku edhe do të votohet për anëtarësimin e vendit tonë. Një fitore të fundit të vogël kishim dje kur arritëm që të parandalojmë kërkesën e Serbisë për të shtyrë votimin për më vonë.

Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se do të jetë një votim i lehtë. Në njërën anë jemi ne që pa ngurrim e them se kemi pasur një fushatë të klasit botëror, intensive dhe angazhuese e me argumente të forta e pozitive, që do të duhet të bindë dy të tretat e vendeve anëtare. Kurse në anën tjetër Serbinë që ka mobilizuar të gjitha kapacitetet e veta dhe nuk ka lënë asnjë mjet e metodë pa përdorur në fushatën e vet të panikut, kërcënimeve e keqinformimit për të bindur një të tretën e anëtarësisë të votoj kundër (punë dukshëm më e lehtë se të binden 2/3 e shteteve!). Të mos harrohet se të dy anët kanë mbështetjen e shteteve të fuqishme botërore, në njërën anë Kosova me vendet më të fuqishme të botës demokratike, dhe Serbia që gëzon mbështetjen e miqve të saj tradicional Rusia, Kina etj. Sigurisht, rezultati do të varet edhe nga një vistër tjetër kalkulimesh e konsideratave që nuk do të trajtohen në këtë shkrim të shkurtër.

Por, sot nuk do të ndalem shumë te rezultati përfundimtar i kësaj episode të angazhimit tonë drejt anëtarësimit. Me qëllim kam zgjedhur të shkruaj tani kur ende nuk dihet ky rezultat, sepse konsideroj që ky proces tashmë ka sjellë disa fryte të rëndësishme që nuk duhen harruar. Pas votimit do të jetë më vështirë të flitet në mënyrë të qetë për këto sepse i gjithë fokusi do të jetë në rezultatin dhe numrat. Spektri i ngjyrave dhe nuancave do të reduktohet në bardh dhe zi – së paku për disa ditë. Nuk do të mungojnë lavdet, kritikat dhe propozime (të vonshme) se si do të kishte qenë më mirë të veprohej për të siguruar edhe më shumë vota – dhe këto do të thuhen pavarësisht rezultatit.

Të kthehem tek ajo që dua të nënvizoj: një pjesë të shpërblimit e kemi vjelë gjatë vetë rrugëtimit tonë drejtë këtij votimi. Gjatë fushatës lobuese të udhëhequr në mënyrë të shkëlqyeshme nga Ministria e Punëve të Jashtme, vendi ynë ka paraqitur një imazh pozitiv, një vetëbesim të shtuar në kërkimin e vendit të vet meritor të përfshirjes dhe përfaqësimit ndërkombëtar. Gjatë kësaj periudhe Kosova ka arritur të mobilizojë e ofrojë mbështetës të shumtë që i kanë kontribuar kauzës sonë në mënyrë të përkushtuar. Sido që të jetë, kjo përvojë na bënë më të përgatitur për shumë tjera të ngjashme që do të vijnë. Kjo përvojë na ka shërbyer edhe për të ngritur vetëdijesimin për pengesat që i kemi para vetes, që më e madhja pa dyshim në këtë drejtim është Serbia dhe mbështetësit e politikave të tyre. Të ndalemi nga pak te secila nga këto:

(1) Kosova ka udhëhequr një fushatë të vlerave të bazuar në argumente pozitive dhe ka dëshmuar një qasje serioze dhe maturi. Kjo fushatë për anëtarësim ka ndikuar shumë në mënyrën se si perceptohet vendi ynë. I është shpjeguar secilit që ka qenë i gatshëm të dëgjoj se burimi i frymëzimit për të marrë pjesë në këtë organizatë është përkushtimi ynë për të përforcuar arsimin, kulturën dhe mbrojtjen e të gjithë trashëgimisë kulturore pa dallim. Gjithashtu, është nënvizuar se qëllimi ynë është në përputhje të plotë me vetë misionin e kësaj organizate që është promovimi i solidaritetit moral e intelektual mes popujve duke bashkëpunuar në fushat e arsimit, shkencës dhe kulturës. Një prezantim çfarë është bërë, me një qasje moderne, pozitive, profesionale e kokëftohtë, është shenjë dalluese e një shteti serioz, dhe të matur.

(2) Pas kësaj fushate Kosova ka më shumë miq. Përpjekja për të koordinuar dhe mbledhur votat ka ndikuar në shtimin e angazhimit dhe prezencës tonë globalisht. Sigurisht që Kosova është koordinuar ngusht me partnerët e vetë, angazhimi i të cilëve ka qenë kyç edhe në këtë proces, por kjo fushatë e ka ngritur aktivitetin diplomatik dhe shkëmbimin me shumë shtete anekënd globit dhe kjo na ka ndihmuar të përforcojmë ura të vjetra dhe të ndërtojmë disa të reja.

(3) Kjo fushatë ka tërhequr në anën e Kosovës publikisht edhe shumë akterë tjerë, jashtë institucionalë, nga fusha të artit, kulturës, botës akademike. Ndër shembujt janë letra mbështetëse e dhjetë profesorëve me renome botërore, nga disa nga institucionet akademike më të njohura botërore si Harvardi, Oksfordi, Kembrigji etj. Më tej pjesa e diplomacisë publike, ka angazhuar me sukses shumë qytetarë, diasporë por edhe individ nga mbarë bota. Mjafton ti hedhet një sy rrjeteve sociale duke kërkuar moton #KosovoinUNESCO për të parë një mbështetje fantastike për Kosovën.

(4) Ndoshta ajo që ka vlerë më të madhe nga kjo fushatë është përfitimi i përvojës që do ta përdorim për ta çuar në fund jo vetëm këtë anëtarësim, por edhe shumë të tjera që do të pasojnë. Jo se Kosovës i mungon përvojë, mundësi e kapacitet në lobim ndërkombëtar për interesa të vetë, por për shkak se tani kjo po bëhet në kontekst tjetër (pas marrëveshjeve për përfaqësim rajonal dhe avancimit të procesit të dialogut për normalizim të marrëdhënieve) dhe që tani po hyjmë drejt anëtarësimit në organizata dhe forume ndërkombëtare ku do të kërkohet një mbështetje e gjerë globale.

(5) Padyshim, edhe pse jo e vetmja pengesë në këtë moment, Serbia si shteti që ka udhëhequr fushatën kundërshtuese mbetet pengesa kryesore për përfshirjen e Kosovës në komunitetin ndërkombëtar (për të qenë të qartë, ka edhe shtete tjera që nuk do të mbështetnin Kosovën pavarësisht qëndrimit të Serbisë). Një Serbi evropiane, dhe fqinje e mirë është në interesin e Kosovës. Por kjo është diçka që mbetet për tu arritur në të ardhmen. Fushata e udhëhequr nga institucionet e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës më së miri e ka dëshmuar këtë – dhe kjo nuk u dëshmua vetëm kundruall neve. Këtë sjellje dhe qasje e shohin dhe e marrin parasysh edhe vendet e BE-së – ku Serbia pretendon anëtarësim. Hendeku që Serbia në njërën anë të luajë lojën evropiane e në anën tjetër të krijojë pengesa sa shkon e ngushtohet.

Andaj, mund të marrim mësime por dhe të mburremi për fushatën që është bërë sikur dhe me ekipin që i është përkushtuar me gjithë energjinë e tyre, pa lënë derë pa trokitur për ta siguruar anëtarësimin në UNESCO. Uroj që kjo të jetë të hënën, po një gjë e sigurt është se Kosova në çdo rast ka fituar.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...