Foto: Facebook

Deklarata e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë shqiptare në Luginë [dokument]

12 Shtator 2015 - 15:23      

Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës vendosi sot në Preshevë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë shqiptare të Luginës së Preshevës.

Vendimin mbi themelimin e këtij asociacioni e votuan 43 këshilltarët shqiptarë, prej 74 sa numërojnë kuvendet komunale të Bujanocit, Preshevës e Medvegjës.

Vendimin e lexoi para të pranishmëve kryesuesi i seancës së KKSHLP-së, Jonuz Musliu, i cili më pas u aprovua unanimisht nga këshilltarët prezentë.

Musliu, njëherësh kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, e vlerësoi këtë ditë historike për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke thënë se ky rajon i banuar me shqiptarë është vendi më i diskriminuar në Evropë.

Në nenin e tretë të këtij vendimi thuhet se Asociacioni i komunave me shumicë shqiptare të Luginës së Preshevës do të ketë fuqinë e njëjtë juridike me Asociacionin e komunave me shumcisë serbe në Republikën e Kosovës, duke u bazuar në parimin e reciprocitetit.

Kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, theksoi se “shqiptarët e Luginës së Preshevës dinë të mblidhen dhe të sjellin vendime të këtilla sepse, siç u shpreh ai, për çdo ditë po e ndiejmë diskriminimin në lëkurën tonë”, raporton “Titulli”.

“Nëse vlejnë standardet për serbët e Kosovës, atëherë pse të mos vlejnë këto standarde edhe për shqiptarët e Luginës”, shtoi Mustafa.

Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, e vlerësoi këtë ditë shumë të rëndësishme për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Pas marrëveshjes së fundit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës erdhëm në përfundim që të miratojmë këtë dokument për një jetë më të mirë të shqiptarëve të Luginës”, tha Arifi.

Zëvendëskryetari i komunës së Preshevës, Skender Destani, u shpreh se është kundër asociacioneve etnike dhe kundër marrëveshjes në Bruksel.

Pasi në kuvend nuk ishin prezent këshilltarët e PVD-së dhe UDSH-së, Destani këtë e vlerësoi si të papranueshme për partinë BDL që udhëheq ai, pasi, sipas tij, ky vendim është dashur të miratohet me konsensus, e jo me shqiptarët të përçarë.

Destani në vazhdim tha se presin nga autoritetet në Kosovë dhe Shqipëri të thonë fjalën e tyre rreth këtij vendimi.  

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...