Lugina voton për themelimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare

12 Shtator 2015 - 12:07      

Përfaqësuesit politikë në Luginë të Preshevës kanë dhënë votën e tyre për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Shqiptare.

Takimi i thirrur nga Kuvendi i Këshillit Kombëtar është mbajtur në ndërtesën e Kuvendit Komunal në Preshevë.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Shqiptare të Luginës së Preshevës, sipas përfaqësuesve shqiptarë të atjeshëm, do të kishte fuqinë e njëjtë juridike me Asociacionin e Komunave më Shumicë Serbe në Republikën e Kosovës, duke u bazuar në parimet e reciprocitetit, raporton Radio Evropa e Lirë.

Organet e Asociacionit do të themelohen mbi bazën e statutit që do të hartohet nga një grup punues dhe miratohet nga Kuvendi.

Në rrethana të caktuara kombëtare e ndërkombëtare nëse vjen deri te ndryshimi i statutit të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, sipas organizatorëve, atëherë do të ndryshojë edhe statuti i Asociacionit të Komunave Shqiptare në Luginë.

Sidoqoftë, ky Asociacion po kundërshtohet nga Beogradi zyrtar.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur veprim të papërgjegjshëm politik dhe të papranueshëm.

“Serbia di si të reagojë - me urtësi dhe mençuri. Nëse është e nevojshme ta tregojë fuqinë, mos keni dert, sepse gjithsesi do ta tregojë”, ka theksuar Vuçiq.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri serb Ivica Daçiq, me tone të ashpra i ka porositur këshilltarët komunalë shqiptarë “të mos luajnë me zjarr”.

“I paralajmërojmë që të shtunën në Preshevë të mos bëjnë ndonjë paralele me Bashkësinë e komunave serbe në Kosovë. I paralajmërojmë që të mos luajnë me zjarr dhe ta respektojnë kushtetutën dhe rendin e Serbisë”, ka thënë Daçiq.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...