Jahjaga: Kosova sot është me familjet e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë

11 Korrik 2015 - 16:34      

Presidentja Atifete Jahjaga, ka përkujtuar 20-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, me një deklaratë në të cilën ka thënë se “kujtojmë me respekt dhe nder 8 mijë djem e burra të vrarë brutalisht në Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës, në aktin më çnjerëzor të gjenocidit në botë në shekullin 20”.

“Sot kujtojmë ata që u vranë në mënyrë brutale edhe ata që u varrosën pas 20 vjetësh të aktit më të errët të njerëzimit dhe gjithashtu kujtojmë mijëra të zhdukur, nga një vepër mizore në përpjekje për të shkatërruar jetë njerëzish”, ka shkruar Jahjaga.

Ajo ka shtuar se viktimat e masakrës në Srebrenicë kërkojnë drejtësi edhe 20 vjet pas masakrës.
“Dhe ne duhet të sigurojmë se ata do të pushojnë të qetë, kur shkaktarët e vrasjes së tyre të jenë përballur me forcën e ligjit. Duhet të kujtojmë që të mos përsëritet më krimi ndaj njerëzimit, të mësojmë se gjenocidi i kryer në Srebrenicë nuk mund të pushojë e të heshtet pa dënim”, thuhet në deklaratë.

Drejtësia duhet të vihet në vend, që të hapet rruga e pajtimit në Ballkan, pajtimit të madh mes popujve që kanë kaluar histori të rënda mes vete, ka thënë ajo.
“Falja nuk mund të ndodhë pa vënë përpara drejtësisë të gjithë ata që kanë kryer krime në emër të luftërave të pakuptimta në Ballkan dhe drejtësia do të triumfojë kur të jenë përballur me të të gjithë shkaktarët e akteve gjenocidale në Ballkan”, ka shtuar ajo.

Në këtë përvjetor të dhimbjes e vuajtjeve të mëdha, Kosova sot është me familjet e të gjitha viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, në një kohë kur edhe vetë po shëron plagët e luftës së saj, ka thënë ajo.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...