Deputetët, 1 minutë heshtje për masakrën e Srebrenicës

9 Korrik 2015 - 10:37      

Në fillim të seancës së sotme, Kuvendi i Kosovës mbajti një minutë heshtje në shenjë të nderimit për viktimat e Masakrës së Srebrenicës, e cila ndodhi njëzet vite më parë, gjatë Luftës së Bosnjës.

Para këtij momenti, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në një fjalë të shkurtër rasti theksoi se “20 vite më parë, në verën përvëluese të vitit 1995, në qytetin Srebrenica të Bosnjës, u bë krimi më i madh në Evropë, që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, e njohur si Masakra e Srebrenicës. Brenda dy ditësh, mbi 8000 burra u masakruan barbarisht nga njësitë ushtarake të gjeneralëve të Milosheviqit. Mijëra familje u shkatërruan përgjithmonë. Një qytet që datonte prej kohës romake u zhbë brenda pak orësh. Fjalët “genocid” e “spastrim etnik” sërish njollosën ndërgjegjen njerëzore. Bota u trondit”.

Më tutje Veseli theksoi se “krimi në Srebrenicë shfaqi natyrën e vërtetë të regjimit të Milosheviqit, që vetëm tre vite më vonë, me të njëjtën barbari, u rishfaq në fshatrat dhe qytetet e Kosovës. 20 vite pas krimit në Srebrenicë, e 16 vite pas krimeve të bëra në Prekaz, Izbicë, Suharekë, Mejë, Gjakovë, e vende të tjera të Kosovës, drejtësia nuk është përmbushur akoma. Është e domosdoshme që drejtësia të vihet në vend, sepse krimet e padënuara ndjellin kobe të reja”.

Kuvendi i Kosovës ka filluar seancën me një minutë heshtje duke iu bashkuar të gjithë atyre që po kujtojnë masakrën e Srebrenicës, të kryer nga forcat serbe.

Me këtë rast, Kadri Veseli tha se drejtësia ndaj kryerësve të kësaj masakre dhe mijëra tjerave në Kosovë, nuk është përmbushur akoma dhe është e domosdoshme që drejtësia të vihet në vend.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...