Merkel sot në Tiranën e blinduar

8 Korrik 2015 - 08:08      

Sot në mesditë mbërrin në Tiranë kancelaria gjermane Angela Merkel. Vizita e kancelares Merkel do të shoqërohet me masa të rrepta sigurie, por dhe bllokimin e akseve rrugore apo kufizim të qarkullimit në disa zona.

Sipas informacionit zyrtar të kryeministrisë mësohet se ceremonia zyrtare e mirëseardhjes do të organizohet në ambientet e godinës qeveritare, ku do të zhvillohet dhe konferenca e përbashkët për shtyp mes kancelares gjermane dhe kryeministrit Edi Rama. Pas takimit me kreun e qeverisë shqiptare, Merkel do të pritet edhe nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Vizita e saj do të mbyllet me fjalën që Merkel dhe Rama do të mbajnë në Konferencën Ekonomike Gjermano-Shqiptare.

Kryeministria ka publikuar axhendën e detajuar të takimeve të kancelares Angela Merkel, e cila mbërrin në Rinas sot në orën 13:50. Sipas njoftimit të kryeministrisë, në orën 14.15 do të mbahet ceremonia zyrtare e mirëseardhjes, që do të pasohet me një takim kokë më kokë mes kryeministrit Rama dhe kancelares Merkel. Pas bisedimeve larg vëmendjes së medias, nga ora 15:40 deri në 16:10 do të mbahet konferenca e përbashkët për shtyp Rama-Merkel, që do të shënojë dhe mbylljen e bisedimeve zyrtare në kryeministri. Pas kësaj kancelarja Merkel do të drejtohet në presidencë, ku i është rezervuar një pritje zyrtare nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.

Rreth një orë më vonë, si kryeministri Rama, ashtu edhe kancelarja Merkel, do të mbajnë nga një fjalim në Konferencën Ekonomike Gjermano-Shqiptare, në “Tirana Business Park”, pranë aeroportit të Rinasit. Ndërkohë që Drejtoria e Policisë së Shtetit ka njoftuar për masat e marra në kudër të vizitës për rreth katër orë të kancelares gjermane në Shqipëri. Policia njofton se do të ketë bllokime të qarkullimit të mjeteve dhe kufizim të lëvizjes në disa akse rrugore, duke nisur nga ora 12:00 deri në orën 19:00. Rrugët që do të bllokohen janë ato nga Rinasi për në Kashar, por edhe superstrada Vorë-Tiranë. Bllokimi do të vijojë tek mbikalimi i Kamzës deri tek rruga e Durrësit, por edhe Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.

Në të njëjtën kohë, vizita e Merkelit do të jetë një angazhim serioz në aspektin e sigurisë. Një numër i madh forcash policore do të angazhohen për të garantuar sigurinë e realizimit të axhendës së kancelaren, në mënyrë të ngjashme me vizitën e kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç. Tirana pritet të jetë gjatë ditës së sotme një qytet i blinduar, por edhe i vështirë për të qarkulluar për shkak të masave të marra nga policia dhe shërbimet e tjera të sigurisë, në bashkëpunim të plotë me palën gjermane. Gjithashtu, Garda e Republikës do të ketë një angazhim të veçantë në planin e masave për garantimin e sigurisë së vizitës së kancelares Merkel.

Vizita e kancelares gjermane Angela Merkel do të ketë në qendër të vëmendjes, jo thjesht marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Gjermani, në planin politik, ekonomik apo çështjet e sigurisë, por edhe zhvillimet në rajon, duke qenë se kancelarja do të vizitojë dhe Serbinë dhe Bosnjën pas Shqipërisë. Kjo bën, që sipas ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, vizita të ketë një rëndësi historike. I pyetur për domethënien që ka kjo vizitë për rajonin në tërësi, Bushati ka pohuar se, “Gjermania në planin evropian konsiderohet si kontributorja kryesore në rajon gjatë këtyre 25 viteve”.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, pas mbylljes sot të vizitës zyrtare në Tiranë, do të drejtohet për në Serbi. Mësohet se Merkel do të zbresë sot në mbrëmje në aeroportin “Nikola Tesla” në Beograd. Sipas shtypit të Beogradit, shërbimet inteligjente gjermane kanë zbarkuar më herët në Serbi për të garantuar sigurinë e vizitës së kancelares. Për të garantuar sigurinë e saj, në rrugët e Serbisë do të vendosen rreth 2000 policë. Sipas medieve serbe, në Beograd kanë mbërritur tashmë pjesëtarë të shërbimit inteligjent “BND”. Siç raporton gazeta serbe “Blic”, përveç policëve në rrugë, aeroporti i Beogradit do të jetë i blinduar nga forcat e policisë speciale dhe agjentët e shërbimit inteligjent serb “BIA”.

Axhenda e kancelares Merkel në Shqipëri

13:50 - Mbërritja në Aeroportin “Nënë Tereza”

14:15 - Nis ceremonia zyrtare e mirëseardhjes, e cila do të zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë kryeministrisë, për të vijuar më tej në godinën qeveritare.

15: 40 - 16:10 - Do të jetë konferenca e përbashkët për shtyp.

16:10 - 16:40 - Kancelarja Merkel do të pritet nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.

17:00 - 18:00 - Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel do drejtohen me fjalime Konferencës Ekonomike gjermano-shqiptare.

Konferenca Ekonomike Gjermano-Shqiptare

12:00 - 13:45 - Zhvillohet dy panele në Konferencën Ekonomike gjermano-shqiptare që do të mbahet në ambientet e “Tirana Business Park”.

15:00 – 18:00 - Nis sërish Konferenca Ekonomike Gjermano-Shqiptare.

Rrugët që bllokohen

Nga ora 10:30 -14:30 nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve nga Rinasi për në Kashar (sensi tjetër do të vazhdojë normalisht).

Nga ora 13:30 -14:30

segmenti rrugor nga Superstrada Vorë – Tiranë, duke filluar nga mbikalimi i Kasharit – mbikalimi Kamëz dhe rrugët dytësore do të jenë të bllokuara. Në vazhdim segmenti rrugor nga mbikalimi Kamëz – Sheshi “Shqiponja” - Rruga e “Durrësit”. Segmenti rrugor Sheshi “Skëndërbej” – Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”- Sheshi “Nënë Tereza”, rrugët lidhëse me to nuk do të lejohet parkimi i mjeteve, si edhe do të bllokohet në momente të caktuara. Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve, që në këtë ditë nga ora 12:00 deri në orën 19:00, të shmangin qarkullimin me mjet në këto akse rrugore.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...