Ministri Bajrami, i zhgënjyer me kushtet e shkollave për Atomistë

30 Maj 2015 - 17:07      

Projekti ATOMI, i cili merret me identifikimin dhe përkrahjen e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, ka bërë përzgjedhjen e 54 atomistëve të rinj, në kuadër të ciklit të katërt të funksionimit.

Projekti ATOMI gjatë këtij cikli, ka identifikuar nxënësit nga klasa VIII deri në të XII-ën, që përfshijnë të gjithë fëmijët e Shkollave të Mesme të Larta në Kosovë.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka marrë pjesë në takimin e parë të të 54 të përzgjedhurve, në kuadër të këtij projekti, ndërsa ka thënë se është krenar me ta, por i zhgënjyer me kushtet që ofrojnë shkollat në Kosovë.

“Sa jam krenar me ju, aq edhe jam i zhgënjyer me kushtet që ju ofrojnë shkollat, pasi është e qartë se për fëmijët me inteligjencë nuk mjafton vetëm ajo që ju merrni nga shkollat, por nevojiten edhe kushte shtesë që ju të arrini të realizoni veten tuaj”, u tha ministri Bajrami 54 atomistëve të përzgjedhurve.

Ministri Bajrami, po ashtu shprehu mbështetjen e plotë të Ministrisë që ai drejton për Projektin ATOMI dhe kërkoi nga Projekti që të punojë edhe në identifikimin e hershëm të fëmijëve me inteligjencë të jashtëzakonshme, duke filluar qysh nga klasat e para të shkollimit fillor.

Bajrami u shpreh se synimi i ministrisë që ai drejton, është arsimi cilësor, me një theks te veçantë në arsimin e fëmijëve me inteligjencë të jashtëzakonshme dhe talentëve.

“Ju, atomistët do të jeni liderë të së ardhmes dhe do të jeni ndryshues të mentalitetit dhe të të menduarit në shoqërinë tonë”, u tha Ministri Bajrami nxënësve të identifikuar nga Projekti ATOMI.

Në kuadër të takimit, janë zbuluar po ashtu edhe të dhënat dhe rezultatet e ciklit të katërt të Projektit ATOMI.

Pas procesit të nominimit/aplikimit, të gjithë aplikuesit e ciklit të katërt, gjithsej 1028, i janë nënshtruar një procesi tre-fazësh të seleksionimit, i cili është realizuar përmes përdorimit të testeve të standardizuara të inteligjencës, me norma britanike dhe amerikane, që i bie se IQ e të përzgjedhurve është e krahasueshme me popullatën e këtyre dy vendeve.

Gjatë ciklit të IV të Projektit ATOMI:

- Janë përzgjedhur gjithsej 54 atomistë nga mbarë Kosova.
- Të përzgjedhurit janë nga 15 komuna të ndryshme të Kosovës.
- Prej të përzgjedhurve janë 21 femra (39%), ndërsa 33 janë meshkuj (61%).
- Prej të përzgjedhurve janë 53 shqiptarë dhe 1 i komunitetit egjiptas.
- Të përzgjedhurit janë të grup-moshës prej 12-17 vjeç
- Dominojnë fëmijët e moshës 13 dhe 14 vjeçare.

Mbikëqyrësi Profesional i Projektit ATOMI, Nait Vrenezi ndërkaq foli për aktivitetet e Projektit ATOMI me të përzgjedhurit e rinj. Ai sqaroi nisjen e fazës së përkrahjes për fëmijët inteligjentë që do të fillojë nga 1 korriku me kampin veror, që do të zgjasë 2 javë në Kosovë dhe Shqipëri.

“Fëmijët e identifikuar nga Projekti ATOMI janë një promilëshi i shoqërisë Kosovare, që i bie 1 në 1000 bashkëmoshatarë të tyre”, tha Vrenezi.

Nga tetori, Projekti ATOMI do të fillojë me “Shkollën +” me kurse të avancuara, e cila do të dizajnohet në bazë të nevojave dhe interesimeve të atomistëve të rinj. Kjo shkollë organizohet gjatë të shtunave.

Përveç kampit veror dhe “Shkollës +”, atomistëve (fëmijëve me inteligjencë të jashtëzakonshme) synohet që t’ju sigurohet këshillim dhe përcjellje e vazhdueshme, mentorim nga profesionistët, qasje në literaturë të avancuar, avancim në shkollim, vizita studimore, ndërmjetësim për bursa, etj... Të gjitha shërbimet e sipërpërmendura ofrohen falas nga Projekti ATOMI. 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...