Përfundon protesta në Gjakovë, synohet zhvendosja në Prishtinë [foto]

17 Janar 2015 - 14:08      

(E plotësuar 15:40) Ka përfunduar ashtu siç kishte nisur, e qetë, protesta në Gjakovë, që kishte për qëllim kërkesën për shkarkimin e Ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandër Jabllanoviq.

Mijëra qytetarë të Gjakovës dhe jo vetëm kanë marshuar me pankarta në duar, kunëdr këtij ministri serb në Qeverinë e Kosovës, që ofendoi rëndë nënat gjakovare kur ju tha egërsira, raporton koha.net.

Një fjalë rasti e ka mbajtur, Nusrete Kumnova, që ka folur në emër të Shoqatës “Thirrjet e nënave”, raporton i dërguari i Kohavisionit në Gjakovë. Kumnova ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të ministrit Jabllanoviq, derisa Qeveria e Kosovës është cilësuar si servile, e cila me heshtjen e saj po i fyen ndjenjat e atyre që kanë humbur më të dashurit.

Driton Çaushi, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se kjo është protestë shembull, e cila duhet të zhvendoset menjëherë në Prishtinë, përcjell koha.net.

© KOHA.net

***

Gjakovarët i thonë “shporru” listës së Jabllanoviqit [foto/video]

Qindra qytetarë janë mbledhur në parkun e qytetit të Gjakovës për të protestuar kundër deklaratave të ministrit Jabllanoviq.

Ato po bartin pankarta me mbishkrime “Lista Srbska shporru”, “O me popullin o me Jabllanoviqin”, “Jemi kundër fashizmit” dhe shumë mbishkrime tjera.

Turma është duke vazhduar në rrugët e qytetit, ndërkohë në mesin e protestuesve janë edhe ish kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj, deputetja e AAK-së, Donika Kada-Bujupi, Visar Ymeri nga Vetëvendosje, drejtoresha e arsimit në Komunën e Prishtinës, Arberie Nagafci dhe përfaqësues të tjerë politike e institucional.


***

Në Gjakovë nis protesta kundër Jabllanoviqit

Ka nisur në Gjakovë protesta që kërkon shkarkimin e ministrit serb në Qeverinë e Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq, i cili kishte ofenduar rëndë duke i quajtur “egërsira” nënat gjakovare që s’e dinë ende ku i kanë më të dashurit e tyre, raporton koha.net.

Ndërkohë, është siguruar edhe teksti për kallzim penal kundër ministrit Jabllanoviq.

“Kallzim penal kundër Aleksandër Jabllanoviqit, ministër për Kthim dhe Komunitet në Qeverinë e Republikës së Kosovës, për arsye se me datë 06.01.2015, me rastin e festës së Krishtlindjeve ortodokse, në deklaratën e tij në televizione publike ka ofenduar rëndë banorët e Komunës së Gjakovës, pa cilësuar me emër ndonjërin i ka quajtur egërsira. Me këtë rast, Aleksandër Jabllanoviq më ka fyer edhe mua si banor i Komunës së Gjakovës prandaj duke na fyer publikisht ai ka kryer vepër penale sipas Nenin 147, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ka shkelur Nenin 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në këtë tekst.

Protestat kundër deklaratave të ministrit për Komunitete dhe Kthim, Aleksandër Jabllanoviq, kësaj radhe është zgjeruar në Këshilli Organizativ, ku pos shoqatës “Thirrjet e Nënave” dhe Lëvizjes Vetëvendosje janë të përfshira edhe disa OJQ të tjera që veprojnë në Gjakovë dhe Organizatat e dala nga lufta.

Edhe në këtë protestë po i kërkohet kryeministrit Isa Mustafa, shkarkimi i ministrit, Jabllanoviq. Ministri që është emëruar në këtë pozitë, si rezultat i koalicionit që PDK-ja dhe LDK-ja kanë me Listën Srpska, protestuesit e 6 janarit, kryesisht nëna të personave të zhdukur gjatë luftës i pati quajtur egërsira, përcjell koha.net.

Ai ka irrituar edhe më shumë qytetarët e Kosovës, kur duke u munduar ta arsyetojë vetën deklaroi se nuk ka qenë në dijeni për masakrat që janë kryer në Gjakovë gjatë luftës.

Protestë kundër tij ka pasur edhe para ndërtesës së ministrisë që ai e drejton, e cila dje eskaloi kur policia me forcë shpërndau protestuesit, kryesisht aktivistë të Vetëvendosjes. Si rezultat disa persona u lënduan, në mesin e tyre edhe policë. Gjatë aksionit policia arrestoi 22 protestues. 7 të arrestuarve iu caktua masa e arrestit prej 48 orësh, ndërsa të tjerët u liruan.

Kundër Jabllanoviqit dhe me kërkesën për shkarkimin e tij u protesta edhe në Pejë.

© KOHA.net


 

 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...