Gecaj: Do ta organizojmë regjistrimin në veri

24 Qershor 2016 - 09:44      

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, ka thënë se, pavarësisht paralajmërimeve të serbëve për bojkot, Qeveria mbetet e përkushtuar për ta organizuar procesin e regjistrimit të popullsisë në veri.

Ai ka vlerësuar se procesi i regjistrimit është në interes të shtetit dhe të qytetarëve në veri.

“Është në interes të Kosovës ta dijë numrin e qytetarëve në veri. Mirëpo ka qenë edhe kërkesë e përfaqësuesve të komunitetit serb të pjesës veriore që ky regjistrim të organizohet, sepse kanë problem me buxhetin, meqë buxheti ndahet në bazë të numrit të popullatës. Regjistrimi është bojkotuar herën e kaluar dhe prapë mund të kemi thirrje për bojkot. Nëse i kemi aksionet e qarta, se regjistrimi do të dështojë, ndoshta edhe nuk do ta organizojmë fare.

Megjithatë, qëllimi i Qeverisë ka qenë dhe është që regjistrimi të organizohet në veri”, ka deklaruar Gecaj, duke shtuar se është kërkuar nga Bashkimi Evropian që Serbia të mos jetë pengesë e proceseve të brendshme të Republikës së Kosovës. “Nuk është interesi i askujt, as i serbëve të veriut, as i Qeverisë së Kosovës, as i elementit të jashtëm, përfshirë Serbinë dhe bashkësinë ndërkombëtare, që të mos dihet numri i saktë i qytetarëve në veri. Meqë ministrja për Dialog e ka vendosur këtë çështje në raportin periodik të dialogut, do të thotë se do të kërkojë nga Bashkimi Evropian që Serbia të mos jetë pengesë e proceseve të brendshme të Republikës së Kosovës”, ka theksuar ai.

Gecaj në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ka folur edhe për vendosjen e simboleve shtetërore në veri, duke thënë se edhe më tutje mbetet sfidë kjo çështje.

“Ky është një problem me të cilin do të ndeshemi një ditë. Çështja e integrimit të komunave veriore nuk është një proces që do të ndodhë nesër, por do të marrë kohë disa vite. Tash për tash jemi duke punuar dhe është prioritet funksionalizimi i komunave meqë ato kanë vepruar totalisht jashtë sistemit të deritanishëm. Megjithatë, çështja e simboleve shtetërore do të adresohet në kohën e duhur”, është shprehur ai, duke shtuar se, pavarësisht sfidave, veriu do të integrohet në sistemin shtetëror të Kosovës.

“Megjithatë, ura do të hapet. Vija administrative në mes të komunave veriore është e përcaktuar me Pakon e Ahtisarit dhe nuk ka kurrfarë dileme se ku duhet të jetë ajo. Në Bruksel nuk shkojmë as për qejf e as për inat të Serbisë, por shkojmë për shkak të interesit të Republikës së Kosovës, sepse dëshirojmë që veriu të integrohet plotësisht në sistemin tonë shtetëror”, ka thënë Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal.

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...