Tahiri: Kosova në Bruksel do të kërkojë nga Serbia dëmshpërblim për luftën e fundit

6 Mars 2016 - 09:30      

Dinamika e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit ka rënë dukshëm këtë fillim vit. Zhvillimet e brendshme politike në këto dy qendra, kanë lënë prapa edhe marrëveshjet e nënshkruara, të cilat në shumicë kanë mbetur vetëm të shkruara në letër edhe përkundër presioneve dhe kërkesave nga faktori ndërkombëtar.

Megjithatë, Kosova do të ketë një agjendë të re në bisedimet politike me Serbinë, duke prekur temat e nxehta për të cilat Prishtina zyrtare ka interes, përfshirë këtu, pensionet, zhbërja e strukturave paralele serbe në Kosovë, demarkacioni i kufirit me Serbinë, e deri tek çështja e dëmshpërblimeve që Kosova duhet të kërkojë nga Serbia për dëmet dhe humbjet e mëdha që i ka shkaktuar vendit në kohën e luftës së fundit.

Kryenegociatorja nga Prishtina për dialogun teknik Prishtinë-Beograd, Edita Tahiri mendon se procedura e zgjedhjeve në Serbi do ta shtyjë procesin e dialogut.

Tahiri përmes linjës telefonike i tha KosovaPress-it se dialogu i Brukselit dhe angazhimi i dyja shteteve në dialog, në raund të parë zgjidhet me perspektivën evropiane të shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

“Për ne është e qartë, ne kemi orientim euroantlatik, Kosova e ka botërisht të njohur agjendën e saj euroatlantike. Ne dëshirojmë që Kosova sa më shpejtë të bëhet anëtare e BE-së dhe atë të OKB-së, prandaj fqinjësia e mirë është një prej kushteve për integrimin evropian prandaj edhe ne jemi të angazhuar. Kjo vlen edhe për palën serbe në çoftë se janë të interesuar të ecin drejt BE, do të jenë të përkushtuar në dialog”, tha Tahiri.

Ajo tha se Serbia edhe më tej ka paqartësi në politikën e jashtme, ngase ata ende janë në mes të Moskës dhe Brukselit.

“Do të shohim pas zgjedhjeve cili do jetë qëndrimi i Serbisë. Në të mirën e gjithë Ballkanit Perëndimorë është që gjitha vendet sa më shpejtë të bëhen anëtare të BE-së. Kjo do ishte një proces që do siguronte një stabilitet dhe një paqe më të qëndrueshme. Ndërsa sa na takon neve në politikën e jashtme ne kemi dy qëllime strategjike, anëtarësimin në NATO dhe BE dhe sigurisht në OKB të anëtarësohemi si vend në anëtare. Tek Serbia në raport me NATO-n nuk e ka të qartë për shkak që kanë ende lidhjet e pa sqaruara me Rusinë”, tha ministrja Tahiri.

Tutje, Edita Tahiri për KosovaPress tha se pas zgjedhjeve në Serbi do të mund të ndodhë që mes Prishtinës dhe Beogradit të krijohen temat e reja për dialog.

“Ne kemi bërë publike listën e temave për të cilat ne jemi të interesuara, tani po u jap temat kryesore. E para është demarkacioni i kufirit ndërshtetërorë mes dy shteteve, e dyta është që të zhbëhen gjithë strukturat paralele serbe në Kosovë që është edhe një kusht themelor për themelimin e asociacionit. Natyrisht ky proces vjen pasi që fillojmë hartimin e statutit që ende nuk e kemi filluar. Do të formohet grupi tre palësh në Bruksel për të shpërbërë strukturat paralele të Serbisë. Pastaj kemi çështjet e reparacioneve të luftës siç është çështja e të pagjeturve, pastaj kthimi i fondit pensional për gjithë pensionistët që nga koha e ish Jugosllavisë të cilët kanë gëzuar këto pensione por për fat të keq Serbia i ka uzurpuar këto fonde pensionale. Pastaj vjen depozita bankare, pastaj vinë dëmshpërblimet për luftën që janë bërë në Kosovë nga Serbia në të gjitha aspektet, çoftë dëme njerëzore, çoftë materiale, kulturore, fetare etj. Pastaj vjen faza e daljes së pasurisë sipas parimit ndërkombëtarë të suksesionit. Si dhe finalizimi i procesit është me njohje reciproke mes dyja shteteve”, tha Tahiri. 

comments powered by Disqus

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...